Analiza

Lindja e Mesme dhe rikthimi i Historisë

Joschka Fischer*

The Middle East and the Return of HistoryQë kur Francis Fukuyama argumentoi, më shumë se dy dekada më parë, se bota kishte mbërritur në fundin e historisë, kjo e fundit (historia) e ka bërë botën që të mbajë frymën. Ngjitja e Kinës, luftërat e Ballkanit, sulmet terroristë të 11 shtatorit 2001, luftërat në Afganistan dhe në Irak, kriza financiare globale e vitit 2008, “Pranvera Arabe” dhe lufta civile në Siri, të gjitha hedhin poshtë vizionin e Fukuyamës, për triumfin e pashmangshëm të demokracisë liberale. Në fakt, mund të thuhet se historia ka bërë një cikël të plotë gjatë këtij çerekshekulli, që nga rënia e komunizmit në Europë në vitin 1989, deri në konfrontimin e rinisur mes Rusisë dhe Perëndimit.

Por një vend ku historia është përditë “në punë” është Lindja e Mesme. Aty janë edhe pasojat më dramatike. Lindja e Mesme e dikurshme, e formuar prej mbetjeve të Perandorisë Otomane pas Luftës së Parë Botërore, është duke u shpërbërë, në një pjesë të madhe për shkak të veprimeve të Amerikës në këtë rajon të prirur për konflikte.

Mëkati fillestar i Shteteve të Bashkuara ishte pushtimi ushtarak i Irakut në vitin 2003, në kohën e presidentit George W. Bush. “Neokonservatorët” që ishin në pushtet në atë kohë kishin harruar nevojën për të plotësuar boshllëkun e pushtetit në Irak dhe në rajon, pas rrëzimit të Sadam Huseinit. Tërheqja e nxituar dhe e parakohshme e Presidentit Obama ishte dështimi i dytë i SHBA.

Tërheqja e Amerikës, që pothuajse përkoi me Pranverën arabe dhe shpërthimin e luftës civile në Siri, dhe më pas pasiviteti i SHBA si forca që ruante rendin në rajon, tani rrezikon të shkaktojë shpërbërjen e Irakut, për shkak të përparimit të shpejtë të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri (ISIS), duke përfshirë këtu edhe marrjen e qytetit të dytë më të madh, Mosulit. Në të vërtetë, teksa ISIS-i ka kontrollin e pjesës më të madhe të zonës në veriperëndim të Bagdadit, kufiri mes Irakut dhe Sirisë praktikisht ka pushuar së ekzistuari. Shumë prej kufijve me fqinjët e tjerë mun të ribëhen me forcë. Një fatkeqësi humanitare masive ka rrezik të përkeqësohet edhe më shumë.

Nëse ISIS ia del mbanë të krijojë një entitet pothuajse-shtetëror në pjesë të Irakut dhe Sirisë, atëherë shpërbërja e rajonit do të përshpejtohej, SHBA do të humbiste “luftën globale ndaj terrorizmit”, dhe paqja botërore do të rrezikohej seriozisht. Por edhe pa shtetin terrorist të ISIS-it, situata mbetet tejet e paqëndrueshme, për shkak se lufta civile në Siri po rezulton shumë ngjitëse. Në fakt, “luftë civile” është term i gabuar, për arsye se ngjarjet e atjeshme ka kohë që kanë marrë formën e një lufte për dominimin rajonal mes Arabisë Saudite dhe Iranit, e cila nxitet prej konfliktit të hershëm mes shumicës sunite të Islamit dhe pakicës shiite.

Kurdët janë një tjetër komponent i paqëndrueshëm i trashëgimisë otomane. Të ndarë mes disa shteteve të Lindjes së Mesme – Iran, irak, Siri dhe Turqi – kurdët ka disa dekada që luftojnë për shtetin e tyre. Megjithëkëtë, ata kanë treguar vetëpërmbajtje të madhe në Irakun verior që nga koha e rrëzimit të Sadam Huseinit, duke u kënaqur me ndërtimin e provincës së tyre autonome, si politikisht edhe ekonomikisht – deri në atë pikë sa tashmë është e pavarur në gjithçka përveç emrit, me një ushtri të fortë dhe me përvojë.

Përparimi i ISIS dhe marrja e Mosulit prej tyre ka zgjidhur tashmë, me një të rënë të lapsit, të gjithë mosmarrëveshjet territoriale mes qeverisë qendrore dhe qeverisë rajonale kurde në favor të këtyre të fundit, sidomos sa i përket qytetit të Kirkukut. Në vijim të tërheqjes së ushtrisë irakene, ushtria e kurdëve (Peshmerga) mori menjëherë qytetin, duke u dhënë kështu kurdëve rezerva të mëdha gazi dhe nafte që ka nëntoka e veriut. Përveç kësaj, Irani dhe Turqia fqinje, ashtu si edhe SHBA, do të kenë nevojë urgjente për mbshtetjen e ushtrisë kurde kundër ISIS-it. Kështu që, për kurdët është hapur një dritare e papritur mundësish për të arritur pavarësinë e plotë, ndonëse varësia e tyre nga marrëdhëniet e mira me Turqinë dhe Iranin për të patur akses në tregjet globale me siguri që do i moderojë ambiciet e tyre politike.

Po kështu, me pushtimin e Irakut, SHBA i hapi derën hegjemonisë rajonale të Iranit dhe nisi një ndryshim dramatik në aleancat e saj rajonale, efektet afatgjatë të të cilit – përfshirë edhe negociatat aktuale me qeverinë iraniane – tani po bëhen gjithnjë e më të qarta. Të dy palët po luftojnë kundër të njëjtëve xhihadistë, të cilët mbështeten prej aleatëve të supozuar të Amerikës, shtetet e gjirit që sundohen nga sunitët. Ndonëse SHBA dhe Irani mbeten kundër bashkëpunimit zyrtar, rrotat janë vënë në lëvizje, teksa bisedimet e drejtpërdrejtë dypalësh tashmë janë bërë rutinë.

Një pikëpyetje me shumë rëndësi për të ardhmen do të jetë nëse Jordania, që luan një funksion kyç në ekuilibrat e rajonit, do të shpëtojë e paprekur nga ndryshimet gjeopolitikë. Nëse nuk ia del, i gjithë ekuilibri i fuqive në konfliktin tradicional të Lindjes së Mesme mes Izraelit dhe Palestinës do të prishet. Pasojat do të jenë kohëgjata, dhe të paparashikueshme.

Për Europën, zhvillimet në Lindjen e Mesme paraqesin dy rreziqe madhorë: rikthimi i luftëtarëve xhihadistë që kërcënojnë të sjellin terrorizmin me vete, si dhe përhapja e ideve të tyre ekstremiste në Ballkan. Në interes të sigurisë së tyre, Bashkimi Europian dhe shtetet anëtarë do të detyrohen t’i kushtojnë më shumë vëmendje Europës juglindore. /Project Syndicate/

* Joschka Fischer ka qenë Ministër i Jashtëm dhe ZëvendësKancelar i Gjermanisë nga 1998 deri në 2005

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button