Sport

Lionel Messi, tradhtar apo i tradhtuar!

Argjentina në buzë të greminës, Messi me kryqin mbi shpinë që përshkron të famshmen “Via Dolorosa” për të shkuar drejt kryqëzimit, kjo është panorama e dhimbshme e “albiçelestëve”.

Dështimi epokal i “La Selecion” është shumë pranë, megjithatë ende nuk është konkretizuar dhe fitorja e Nigerisë ndaj Islandës ka bërë që pavarësisht gjëndjes, Argjentina të jetë sërish padrone e fatit të saj.

Kur je një ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave, je shpresa e një kombi, je njeriu ku të gjithë kanë kthyer sytë dhe kur skuadra nuk ecën dashuria e tifozëve kthehet në urrejtje, por a është Lionel Messi tradhëtari i Argjentinës, apo kapiteni është tradhëtuar nga e gjitha pjesa tjetër.

Përpara se Sergio Aguero të realizonte kundër Islandës, të gjithë golat e shënuar nga Argjentina në 600 ditët e fundit pra në gati 2 vjet kishin kaluar nëpërmjet këmbëve të Lionel Messit, pa harruar që ishte pikërisht ai që i kualfikoi në Botëror duke shënuar tre gola në fitoren ndaj Ecuadorit.

Sigurisht kapiteni është ai që mban përgjegjësitë më të mëdha për rrugën e errët që ka ndërrmarrë kombëtarja amerikano-latine, por “tangon” e zhgënjimit nuk po e kërcen i vetëm.

Sergio Aguero shënoi në sfidën e parë, por e preku shumë pak herë topin ndaj Kroacisë dhe po flasim për një futbollist që e mbylli sezonin në Premier me 21 gola.

Paulo Dybala është talenti më i madh i Juventusit.

“La Joya” pati 25 minuta në dispozicion për të ndryshuar fatet e sfidës, nuk bëri asgjë, po ashtu si Gonzalo Higuain, që gjatë gjithë pjesës së dytë nuk e shqetësoi thuajse asnjëherë Subasic.

3 lojtarët e përmendur nuk janë futbollistë të kategorisë së tretë, por lojtarë çmimi i të cilëve në treg shkon në qindra miliona euro.

Kryqi i takon Messit, por ndoshta të tjerët duhet të vendosin një dorë për t’ia lehtësuar peshën e papërballueshme. / Supersport

Leave a Reply

Back to top button