Analiza

Llogore, spiunë dhe shumë gabime. Ndjekja në tunele

Gaza_Tunnels_Main_pic_1Nëse teknologjia nuk mjafton, u besohet dy armëve. Shërbimi i fshehtë, me një informator që sinjalizon hyrjen. Apo thjeshtë “fati”. I pasigurtë po aq sa një vesh i mbështetur pas tokës
Guido Olimpio
Duhet të pyesin Le Xian Vinë. Vietnamez, ish zyrtar i policisë, konsiderohet një prej etërve të tuneleve. I krijoi ai në provincën Quang Tri në kohën e luftës kundër SHBA. Ishte viti 1966. Shumë jetë më parë. Por problemi ka mbetur. Ndërtimi i galerive ka lodhje, një punë gjashtë mujore dhe para. Por nuk është e lehtë as të gërmohen. E dinë mirë njësitë izraelite, ashtu si dhe agjentët amerikanë të antidrogës, që u duhet të merren me kalimet e fshehtë të narkotrafikantëve meksikanë. Ka shumë zgjidhje, por asnjëra përfundimtare.
Hera e parë që dëgjova të flitet për tunelet e Gazës ishte viti 2000, në prag të Intifadës. Ndodhesha në Rrip dhe një oficer i konsideronte si rrezik potencial, por nuk kish qenë në gjendje të më tregonte as edhe një fotografi. Pak muaj më vonë, ajo që mund të dukej si legjendë, u shndërrua në realitet. Me galeritë e domosdoshme, fillimisht për të kaluar njerëz dhe armë. Më vonë morën një karakter sulmues. Jo vetëm shkelin bllokadën e vendosur nga Izraeli në Gaza, por edhe lejojnë brigadat palestineze të infiltrohen në territorin e armikut.
Që në vitin 2001 ishin problem, me ushtrinë izraelite që u drejtohet universiteteve: gjeni zgjidhjen. Instituti i Gjeofizikës propozoi një rrjet sizmografësh të lidhur me një qendror. Thonë se kjo barrierë e nëndheshme funksionon, por Mbrojtja ia beson këtë punë disa kompanive private. Dhe programi nuk i ndalon dit qindra “urithët” palestinezë. Në dhjetor 2004, muxhahedinët vendosin një minë gjigande poshtë një stacioni kufitar. Një shpërthim i tmerrshëm. Viktima. Presione mbi gjeneralët, teste të tjerë. Ecet me të prekur, ndonëse shkencëtarët thonë se i kanë gjetur kundërmasat. Dhe shpenzohet shumë. Bashkë me 50 milionë dollarët për Trencherin, një makinë e prodhuar në Teksas dhe në gjendje të gërmojë llogoret e thella 25 metra, “kuota” e preferuar e minatorëve të Gazës.
Komanda e jugut i kërkon një mendim Yossy Langotskyt, veteran i Luftës Gjashtë Ditore, gjeolog dhe njeri shumë praktik. Raporti i tij është shkatërrimtar: po shkojmë drejt katastrofës. Kështu që nxit për adoptimin e sistemit të sizmografëve. Megjithatë, gjithcka fundoset në papërgjegjshmërinë e shtabit dhe burokracinë ushtarake. Morsa e dyfishtë pengon ecjen përpara ndërkohë që palestinezët zhvillojnë rrjetin e tyre në thellësitë e tokës me ndihmën e Hezbollahut libanez, dhe mbajnë në mendje përvojat e koreano-veriorëve, që kanë ndërtuar galeri gjigande për të pushtuar jugun.
Izraelitët provojnë një aparat të NASA që zbulon ndryshimet në gravitetin dhe një tjetër që mendohet se lokalizon vendburimet e gazit. Sërish, raportet e gjenive ushtarakë nuk duken të kënaqshëm. Zhgënjim që përmblidhet në shqetësimin që Hamasi dhe fraksionet e tjerë do të kryejnë aksione të befasishëm kundër kibbutz-ëve apo për të rrëmbyer ushtarë. Rasti i Gilad Shalit, ushtari i rrëmbyer në 2006-ën dhe që më pas u shkëmbye me një mijë të burgosur palestinezë, tregon vlerën strategjike të galerive.
Një episod që shoqëron parashikimin e zi të formuluar nga mbrojtja në vitin 2010. Të gjithë stacionet në linjën që rrethon Gazën dhe vendbanimet civilë në territor izraelit janë në rrezik. Koloneli Ilan Sabbag shton: “E dimë që ekzistojnë tunelet, por problemi është t’i gjejmë”.
Nëse teknologjia nuk mjafton, u besohet dy armëve. Shërbimi i fshehtë, me një informator që sinjalizon hyrjen. Apo thjeshtë “fati”. I pasigurtë po aq sa një vesh i mbështetur pas tokës. /corriere.it/
Përshtatur nga BOTA.al

Leave a Reply

Back to top button