Analiza

Loja e rrezikshme e Vladimir Putinit

VlNga Bernard Guetta

Të paktën sinjalet janë kontradiktore. Optimistët, mund të vënë në dukje se intensiteti i përleshjeve në Ukrainën Lindore ka rënë, dhe se natën mes të shtunës dhe të dielës së shkuar, u arrit një marrëveshje për shkëmbimin e robërve të luftës, në përputhje me paktin e Minskut.
Më mirë se asgjë. Por është po aq e vërtetë, që Rusia po vazhdon të fusë armë në Ukrainë; se separatistët kanë marrë nën kontroll qytetin e Debaltseves, kur armëpushimi kishte hyrë tashmë në fuqi; se të dielën një sulm ka shkaktuar vdekjen e dy personave në qytetin e Kharkivit (në verilindje të vendit) gjatë një demonstrate patriotike.
Mbi të gjitha, rrethi duket se po shtrëngohet përreth portit të Mariupolit, rënia e të cilit do t’i dhuronte Rusisë një vazhdimësi territoriale ndërmjet Krimesë dhe rajoneve tanimë të kontrolluara, nga aleatët e saj separatistë. Në mëdyshje, kryeqytetet perëndimore kanë shumëfishuar paralajmërimet ndaj Moskës dhe sot në Paris, do të përpiqen të marrin vesh se cilat janë qëllimet e Vladimir Putinit, gjatë një takimi midis ministrave të jashtëm të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës.
Por në këtë pikë, ne mund të dyshojmë se qëllimi i Kremlinit, nuk është aspak paqja. Në këtë moment çdo gjë të bën të mendosh se Putini, dëshiron të synojë drejt një rruge të mesme, mes paqes dhe luftës, i bindur se vazhdimi i tensioneve politike dhe ushtarake me Perëndimin, do të forcojë më tej pushtetin e tij.
Në fakt, derisa përleshjet në Ukrainë do të vazhdojnë, presidenti rus mund të argumentojë se vendi i tij është i kërcënuar dhe viktimë e një tentativë për rrethim, nga ana e Perëndimit. Në këtë mënyrë, Putini do të çonte më tej propagandën e tij kundër “fashistëve” në pushtet në Kiev, dhe flasë për “gjenocidin”, që do të godiste rusisht-folësit, në rast se vendi amë, nuk do të kishte ndërhyrë.
Me pak fjalë, presidenti do të mund të vazhdojë ta paraqesë veten si shpëtimtar i Rusisë, duke heshtur çfarëdolloj zëri opozitar, e duke akuzuar cilindo kritik, se paguhet nga perëndimi dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.
Si mund ta shpjegojmë ndryshe këtë qëndrim, përveçse me një llogaritje të brendshme të këtij lloji?
Aktualisht Putini, është në gjendje t’i drejtohet popullit të tij, duke nxjerrë në pah se falë tij, Rusia ka pushtuar Krimenë, se Aleanca Atlantike nuk do të arrijë kurrë në kufijtë e saj, dhe se rusishtfolësit në Ukrainën Lindore, do të fitojnë autonominë.
Për më tepër, ai mund të mburret edhe me marrëveshjet Minskut, që janë realisht të favorshme për Moskën. E megjithatë, ai nuk bën asgjë për t’i respektuar ato marrëveshje, përkundrazi tenton me çdo mënyrë t’i sabotojë, duke vazhduar furnizimin me armë për separatistët, të njëjtët që mund t’i qetësuar si dhe kur ai dëshiron. Pra, deri sa të provohet e kundërta, Vladimir Putini e do luftën, një konflikt me intensitet të kontrolluar, por gjithësesi shkatërruese për stabilitetin e Evropës dhe botës./“Internazionale”/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button