Analiza

Londra nuk do të jetë më e njëjta

Me apo pa Skocinë, nga sot Mbretëria e Bashkuar do të jetë ndryshe. Rezultati i referenduit do të ketë pasoja të rëndësishme kushtetuese. Dhe do të peshojë mbi të ardhmen e konservatorëve dhe laburistëve. Edhe nëse do të shmanget ndarja, sic edhe tregojnë sondazhet, do të jetë i pashmangshëm zgjerimi i hapësirave të sovranitetit të Skocisë, duke filluar nga taksat dhe mirëqenia sociale. Dhe kjo do të thotë udhëtim drejt një qëndrimi federal. Një histori e bukur e lënë pas. Dhe një tjetër që pritet të fillojë

skociRetorika e fitimtarëve do të anulojë për disa orë realitetin, që gjithësesi është një: ka një tjetër Mbretëri të Bashkuar. David Cameron ka meritën që ka pranuar sfidën, duke e konsideruar referendumin separatist një ushtrim të natyrshëm të demokracisë, duke qenë se e kërkonte partia më e madhe skoceze. Por si kryeministri britanik, ashtu edhe lideri i opozitës, Ed Miliband kanë bërë një gabim të madh: kanë nënvlerësuar indipendentistët, kapacitetin e tyre në rritje, me tone të moderuar dhe pragmatistë, asnjëherë vulgarë dhe folklorikë, për të prekur kordat pasionante të nacionalizmit. Jo një populizëm arrogant, por krenari politike me rrënjë të forta historike dhe kulturore, të bashkuara me strategji inteligjente komunikimi.
Drejtuesit më të lartë të administratës shtetërore kishin paralajmëruar Cameronin që në janar se Alex Salmond, “ministri i parë” i Skocisë, po fitonte terren dhe që panorama po ndryshonte. Edhe udhëheqësit laburistë skocezë kishin përcjellë në Londër shqetësimet e tyre, duke sinjalizuar që një pjesë e partisë po reshtohej në mbështetje të PO-se. Por vetëm në dy javët e fundit David Cameron dhe Ed Miliband u zgjuan duke premtuar një delegim masiv kompetencash për Skocinë, sidomos në fushën fiskale.
Kështu, prej heshtjes dhe vonesave të Londrës, rezultati mbeti në fije të perit deri në momentin e fundit dhe Skocia e sheh veten të ndarë më dysh. Në nivel kushtetues dhe institucional, pasoja është e dukshme: edhe nëse shmanget ndarja, do të jetë i pashmangshëm zgjerimi i hapësirave të sovranitetit të Skocisë (janë betuar Cameroni, Milibandi dhe Cleggu), duke filluar nga taksat dhe pagesat sociale. Dhe kjo nënkupton shkuarjen drejt një qëndrimi federal, një Londër dhe një parlament shumë më pak dominues politikisht, duke marrë madje parasysh edhe shtytjet që do të vijnë nga Irlanda e Veriut dhe nga Uellsi si dhe faktin që një pjesë e madhe e unionistëve skocezë kanë votuar “JO” për shkak të premtimeve për një delegim më të madh të kompetencave.
Me pavarësinë do të kish lindur një tjetër Mbretëri e Bashkuar, që nuk do ta kishte më Skocinë. Por me Skocinë që mbetet lind një Mbretëri e Bashkuar federale. Nuk është një lojë fjalësh: asgjë nuk do të jetë si më parë. Ky mendim, që e ndajnë të gjithë analistët, sjell një pasojë të dytë që është politike dhe që prek si Cameronin, ashtu edhe Milibandin.
Perspektiva e një delegimi masiv të kompetencave kundërshtohet nga të paktën njëqind deputetë konservatorë anglezë, të cilët parashikojnë skenarë rebelimi ndaj kryeministrit të tyre dhe një pozicion të ashpër në Dhomën e Ulët. Pas mosbindjeve për martesat e homoseksualëve, pas protestave antieuropiane, pas rritjes së votave për UKIP, tani vjen edhe delegimi: konservatorët janë në prag të një krize nervash. Në prag të zgjedhjeve nuk është një sinjal që jep siguri për Cameronin, i cili kërkon rizgjedhjen.
Dhe nuk është se janë më mirë laburistët. Makthi i referendumit i ka alarmuar dhe i ka ndarë. Me ndarjen, Ed Milibandi do të kish humbur cdo shpresë për t’u zgjedhur Kryeministër duke qenë se Skocia është një bastion laburist. Me unionin e konfirmuar dhe me delegimin, rritet dhe shumëfishohet “pesha” kushtëzuese e 41 deputetëve laburistë skocezë: do të jenë përcaktues në ekuilibrat numerikë në rast se Miliband do të arrinte të fitonte konsultimet e përgjithshëm të pranverës së ardhshme.
Ky referendum i ka ndryshuar tashmë një herë e mirë ekuilibrat kushtetues dhe politikë të Mbretërisë së Bashkuar. Një histori e bukur është lënë pas. Dhe një tjetër po fillon. /Corriere della Sera/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button