Analiza

Lufta dhe paqja kibernetike

Screen Shot 2015-05-07 at 12.07.34 PMnga Javier Solana

Teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë bërë një pjesë qëndrore e jetës së përditshme për pjesën më të madhe të popullsisë së botës. Ato prekin edhe zonat më pak të zhvilluara dhe më të largëta të planetit, dhe janë shndërruar në një faktor kyç për nxitjen e zhvillimit, inovacionit dhe rritjes ekonomike.

Por ky është vetëm fillimi i një transformimi themelor. Në vitet që do të vijnë, teknologjitë e reja, si “Interneti i gjërave”, printimet 3D dhe automjetet autonomë do të revolucionarizojnë operacionet e biznesit, regjimet rregullatorë dhe madje edhe traditat sociale.

Screen Shot 2015-05-06 at 18.59.26

Këto teknologji gjenerojnë përfitime shumë të mëdha, por kanë edhe risqe, për shkak të lehtësisë në qasjen ndaj të dhënave si dhe përdorimin e tyre për qëllime të paligjshme. Sulmet kibernetikë po rriten tashmë në numër, sofistikim, madhësi dhe impakt. Teksa bota bëhet gjithnjë e më e ndërvarur dhe shumë e ndërlidhur, ka një shqetësim në rritje në lidhje me dobësinë e internetit, një infrastrukturë në të cilën varen tashmë pothuajse të gjithë veprimtaritë ekonomike – përfshirë tregtinë, sigurimin e energjisë, dhe të gjithë sistemin fiskal.

Sulmet kibernetikë ndodhin në një medium, hapësirën kibernetike, ku vepripmet sulmues kanë një avantazh ndaj veprimeve mbrojtës. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e infrastrukturës së hapësirës kibernetike është projektuar për të garantuar ndërveprueshmërinë dhe hapjen e saj, shpesh herë në dëm të sigurisë, e cila ka prirjen të kufizojë përdorimin.

Sulmet janë zakonisht asimetrikë; barrierat ndaj hapësirës kibernetike janë të paqëndrueshme dhe qeveritë kanë vuajtur për të vendosur sundimin e ligjit online. Sulmues me burime të kufizuar janë në gjendje të shkaktojnë dëme që kanë një impakt shumë më të madh, se sa veprime të ngjashëm në botën fizike. Në të vërtetë, dëmi i një sulmi kibernetik është për nga natyra transnacional, në gjendje të ketë një efekt të shpejtë kaskadë në nivel global.

Në një medium që nuk ka kufij politikë, është e pamundur të kontrollosh risqet përmes vetëm një juridiksioni. Në terma ekonomikë, krimi kibernetik është tashmë i krahasueshëm në madhësi me trafikun e drogës, dhe ai është tejet i ndërkombëtarizuar. Por ne ende nuk kemi arritur të krijojmë një regjim të qeverisjes globale. Nisma të ndryshme janë përpjekur të lehtësojnë kontrollin ndërkombëtar të hapësirës kibernetike, por asnjëra nuk ka shkuar përtej një suksesi të kufizuar.

Konferenca Globale për Hapësirën Kibernetike (KGHK) që u zhvillua kohët e fundit në Holandë, është një shembull i kësaj. Përfaqësues nga qeveritë, sektori privat, shoqëria civile dhe komuniteti teknik u takuan në Hagë për të projektuar një qasje shumëpalëshe ndaj qeverisjes së hapësirës kibernetike dhe bashkëpunimit publik-privat.

Qasja e mishëruar nga KGHK kombinon një regjim tradicional – ku shtetet sovranë janë aktorët kryesorë – me një tjetër qasje, më moderne, ku të gjithë palët e interesuara janë pjesëmarrëse. Ky model më i hapur, shumëpalësh, pasqyron menaxhimin tradicional teknik të Internetit, që ka rezultuar shumë i efektshëm në ruajtjen e aftësisë “vetëshëruese” të hapësirës kibernetike. Bazohet në konsensusin nga poshtë-lart, ushqen një ndjesi kolektive menaxhimi, dhe vë theksin në nxitjen e besimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Efektshmëria e qasjeve si kjo është e limituar prej faktit që tre fuqitë më të mëdha të hapësirës kibernetike – SHBA, Kina dhe Rusia – nuk kanë rënë dakord për një traktat të përbashkët për harmonizimin e ligjeve kombëtarë, apo për të lehtësuar bashkëpunimin. Ata nuk bashkëpunojnë as për këtë cështje përmes institucioneve të tjerë, me përjashtim të G20 dhe OKB. Rastet e fundit të spiunazhit kibernetik kanë shkaktuar një rritje të mosbesimit edhe mes aleatëve tradicionalë, si BE dhe SHBA. Në interes të mbrojtjes së sovranitetit të tyre, shtetet mund të fillojnë të ndërhyjnë në qeverisjen teknike që ka qenë kaq eficiente.

Në të vërtetë, rreziku i konfliktit ndërkombëtar është përkeqësuar gjatë muajve të fundit, duke gërryer edhe aq besim sa mund të ketë ekzistuar mes fuqive. Hapësira kibernetike rrezikon të kthehet në një fushëbetejë, në të cilën do të përplasen qeveritë, aktorët joshtetërorë dhe sektori privat. Sulmi i fundit që xhihadistët kryen ndaj kanalit TV5 në Francë si dhe hacker-imi i SOny-t nga Korea e Veriut janë tregues i asaj që do të vijë.

Kompanitë dhe shoqëria civile kanë role për të luajtur në garantimin që qeverisja e hapësirës kibernetike të mbetet e hapur, gjithëpërfshirëse, dhe mjaftueshëm elastike për t’u përshtatur me risqet dhe sfidat që ndryshojnë. Qasja aktuale ndaj menaxhimit teknik duhet ruajtur, edhe teksa eksplorohen propozime të rinj inovativë. Ide që do të mund të kontribuonin për një qeverisje më të mirë përfshijnë Bordin e Stabilitetit Kibernetik, me anëtarë vendet e G20 si dhe 20 aktorë të tjerë joqeveritarë, si dhe një sistem të koordinimit dhe paralajmërimit të hershëm, të bazuar në qasjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndaj epidemive. 

Reagimi përballë sfidave të shekullit 21 me mjete të shekullit 20 është një ide e keqe. Deri në vitin 2020, dy të tretat e popullsisë globale do të jenë online. Bota ka nevojë për një dialog fluid dhe të sinqertë mes shteteve, sektorit privat, dhe shoqërisë civile, me qëllim garantimin e sigurisë së hapësirës kibernetike.

Komuniteti ndërkombëtar ka krijuar kode minimalë që rregullojnë fusha si shëndetësia dhe përhapja e armëve bërthamore. Nuk ka arsye përse të mos bëjmë të njëjtën gjë në hapësirën kibernetike. Ne të gjithë kemi një interes të përbashkët në ruajtjen e karakterit global të saj; por që të bëjmë këtë, duhet të lëmë mënjanë interesat e ngushtë kombëtarë, në interes të garantimit të progresit kolektiv.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Cyber War and Peace

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button