Analiza

Lufta e ardhshme e KLASAVE

Andrew Sheng

bricsStrategu ushtarak gjerman i shekullit 18, Carl von Clausewitz e quante luftën një vazhdim të politikës, por me mjete të tjerë, dhe ashtu si strategu i lashtë kinez, Sun Tzu, besonte se të sigurosh paqen, do të thotë të përgatitesh për konflikt të dhunshëm. Ndërkohë që bota bëhet gjithnjë e më e trazuar – gjë që po shihet në rigjallërimin e betejës ushtarake në Ukrainë, kaosin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme dhe rritjen e tensioneve në Azinë Lindore – një mendim i tillë nuk mund të ishte më aktual.
Luftërat janë luftuar tradicionalisht për territore. Por definicioni i territorit është ka evoluar, për të përfshirë pesë fusha: tokën, ajrin, detin, hapësirën dhe më së fundi, hapësirën kibernetike. Këta dimensione të “luftës së KLASAVE” përcaktojnë edhe rreziqet që ndesh bota sot. Shkëndijat e veçanta, objektivat, vijat e betejave të konflikteve të tillë do të përcaktohen, në masë të ndryshme, prej pesë faktorëve: besimit, klanit, kulturës, klimës dhe monedhës. Në fakt, këta faktorë që tani po ushqejnë konfliktet përreth botës.
Feja, ose besimi, është një prej motiveve më të zakonshëm historikë të luftërave, dhe shekulli 21 nuk bën përjashtim. Mendoni përhapjen e grupeve xhihadistë, si Shteti Islamik, që vazhdon të pushtojë territore në Irak dhe në Siri, apo Boko Haramin, që është angazhuar në një fushatë brutale rrëmbimesh, bombardimesh dhe vrasjesh në Nigeri. Ka patur edhe përplasje të dhunshme mes budistëve dhe myslimanëve në Mianmar, në jug të Tailandës, dhe mes islamikëve dhe katolikëve në Filipine.
Faktori i dytë – klani – po manifestohet në rritjen e tensioneve në Europë, Turqi, Indi dhe gjetkë, i nxitur prej forcave si migrimi dhe konkurrenca për vende pune. Në Afrikë, kufijtë artificialë që u krijuan prej fuqive koloniale po bëhen të paqëndrueshëm, teksa fise dhe grupe të ndryshëm etnikë përpiqen të krijojnë hapësirat e tyre territoriale. Dhe konflikti në Ukrainë mobilizon frustrimin kohëgjatë që ndiejnë rusët etnikë, të cilët u lanë pas dore, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik.
Burimi i tretë potencial i konfliktit konsiston në dallimet themelorë kulturorë që janë krijuar prej historive unike të shoqërive, dhe marrëveshjet institucionale. Pavarësisht se kanë një të tetën e popullsisë së botës, SHBA dhe Europa kanë gëzuar prej kohësh dominimin ekonomik – duke patur gjysmën e GDP global – si dhe një ndikim ndërkombëtar të shpërpjestuar. Por, me ngjitjen e fuqive të reja ekonomike, këto do ta sfidojnë gjithnjë e më shumë Perëndimin, dhe jo vetëm për pjesë të tregut dhe për burime; ata do të përpiqen të vërshojnë rendin global me idetë e tyre kulturore, dhe pikat e referimit.
Sigurisht, konkurenca për burime do të jetë gjithashtu e rëndësishme, sidomos tesa pasojat e faktorit të katërt – ndryshimet e klimës – të fillojnë të shfaqen. Shumë rajone dhe shtete ndodhen tashmë nën stresin e mungesës së ujit, që jo vetëm do të rritet teksa ndryshimet e klimës do të shkaktojnë fatkeqësi natyrore dhe ngjarjet ekstreme të motit, si thatësirat, do të bëhen edhe më të zakonshme. Po kështu, ndërkohë që pyjet dhe burimet ujorë shkurtohen, konkurrenca për ushqimin do të prodhojë konflikte.
Ky lloj konflikti bie direkt ndesh me premtimin e globalizimit – domethënë, aksesi në ushqimin dhe energjnë nga jashtë do i detyrojë shtetet që të përqëndrohen në avantazhet e tyre konkurues. Nëse konfliktet aktualë apo trysnia e konkurencës, do të çojë, për shembull, drejt sanksioneve ekonomikë apo pengimin e rrugëve kryesore të tregtisë, ballkanizimi i tregtisë globale, që do të rezultonte prej kësaj, do të reduktonte në mënyrë domethënëse përfitimet e globalizimit.
Po kështu, trazirat sociale që shoqërojnë shpesh krizat ekonomike mund të detyrojnë shtetet të fragmentohen në njësi më të vogla, që luftojnë njëra-tjetrën për burime. Deri në një farë mase, kjo gjë po ndodh tashmë, teksa Iraku dhe Siria po ndahen në njësi sektare apo fisnore.
Risku i fundit madhor që ka përballë bota është monedha. Që nga kriza ekonomike globale, politika monetare ekspansioniste që kanë ndjekur bankat qendrore të ekonomive të përparuara kanë shkaktuar lëvizje në masë të madhe të kapitalit përmes kufijve të ekonomive në zhvillim, duke prodhuar paqëndrueshmëri në këta vende dhe duke nxitur akuzat për “luftërat e monedhës”.
Përdorimi jashtë kufijve i kompetencave rregullatore dhe atyre të taksimit – sidomos nga SHBA, që ka avantazhin e shtuar të emetimit të monedhës dominuese të botës – po përforcon idenë që monedhat mund të përdoren si armë. Për shembull, SHBA praktikisht e ka ballkanizuar sistemin bankar global duke u kërkuar të gjithë bankave të huaja që operojnë atje, që të shndërrohen në kompani bija dhe duke u kërkuar bankave ndërkombëtare me llogari në dollarë që të zbatojnë taksimin e SHBA, rregulalt e SHBA, dhe në një farë mase edhe politikën e jashtme të SHBA (për shembull të mos bëjnë tregti me armiq të Amerikës).
Gjobat e rënda që rregullatorët amerikanë vënë për moszbatim të rregullave – si për shembull gjoba 8.9 miliardë dollarë për BNP Paribas – po i bëjnë që tani bankat europiane të rishikojnë kostot e pajtimit me ligjet amerikanë si dhe fitimin për ushtrimin e aktivitetit në SHBA. Ndërkohë, gjykatat amerikane kanë detyruar Argjentinën të shkojë drejtnjë tjetër falimenti (mospagim i kësteve të huave).
Por ndoshta mesazhi më i fortë po dërgohet përmes sanksioneve ndaj industrive ruse të naftës, financës, mbrojtjes dhe teknologjisë, si dhe zyrtarëve rusë. Me këtë qasje, SHBA dhe aleatët e vet po dërgojnë një mesazh të qartë për këdo që mund të mos bjerë dakord me politikën e SHBA: shmangni përdorimin e dollarit dhe llogaritë bankare në dollarë. Një pjesë e veprimtarisë financiare është shtyrë tashmë në hije, gjë që reflektohet në përdorimin e Bitcoinit dhe monedhave të tjera, që janë përtej kontrollit të rregullatorëve amerikanë.
Një shembull i fundit i kërkimit të një alternative ndaj lidershipit amerikan është krijimi i një Banke të re Zhvillimi dhe një marrëveshje për rezervat mes vendeve BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut). Problemi për SHBA është se, në këtë rast, ata që i largohen janë ekonomitë më të mëdha në zhvillim të botës, të cilët së bashku kanë burime financiarë edhemë të mëdhenj se sa institucionet e BrettonWood-sit. Nuk ka gjasa që transaksionet bankarë të BRICS të bëhen në dollarë.
Në një fjalim të kohëve të fundit, Presidenti Obama deklaroi se pyetja nuk është nëse SHBA do të udhëheqë, por si do të udhëheqë. Por, teksa besimi, klani, kultura, klima dhe monedha e bëjnë botën gjithnjë e më të ftohtë ndaj rendit botëror me qendër SHBA, deklarata të tilla mbartin një optimizëm të tepruar. Në të vërtetë, në luftën e ardhshme të KLASAVE, askush nuk duket i sigurtë se kë duhet të ndjekë pas. Project Syndicate/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button