Ekonomi

Lufta e Trumpit që mund të shkatërrojë BE-në

Pa kaluar as edhe një javë nga inaugurimi, administrata e re e Donald Trumpit bëri të qartë se po bëhet gati për një luftë ekonomike globale, shkruan Harold Xhejms në Foreign Policy. Një luftë që, sipas Xhejms, nuk është e drejtuar nga Kina, por nga… Gjermania. Kreu i Këshillit Kombëtar të Tregtisë në SHBA, Piter Navarro, pretendoi pak ditë më parë se Gjermania po e përdor monedhën e vet, për të shfrytëzuar “edhe fqinjët, edhe SHBA”. Eshtë e qartë se SHBA e sheh BE dhe bashkimin monetar, si një mjet që mbron interesat dhe shtrin fuqinë e Gjermanisë. Dhe kjo është e cuditshme. Sepse, nëse gjermanët po synonin këtë gjë, a nuk do ta nuhasnin fqinjët planin ogurzi? Dhe zhytja e fqinjëve drejt falimentit, a nuk do të ishte e dëmshme për stabilitetin edhe të vetë Gjermanisë?

Kritikat e Navarros për “euron e nënvlerësuar”, konsistojnë në atë që unioni monetar është një mënyrë e përhershme për të mbajtur atë që realisht duhej të ishte Deutsche marka, më ulët nga sa duhet të jetë. Duke i dhënë kështu avantazhe tregtare Gjermanisë, sidomos në drejtim të eksporteve të produkteve gjermane, shkruan Xhejms. Fakti është që sulmi nga SHBA luan rol në politikën e brendshme të Gjermanisë dhe tek kritikët e Angela Merkelit, si dhe krijon skenën për një fushatë zgjedhore që do të përqëndrohet në dy politika: Euron dhe Refugjatët. Dhe qeveria amerikane, me siguri që do të luajë një rol opozitar. Ted Malloch, që mendohet të jetë ambasadori i ardhshëm amerikan në BE, ka deklaruar se mund të vërë bast për kolapsin e Euros. Po cila do të ishte pasoja? Me siguri do ta dobësonte Europën si konkurrent, por në të njëjtën kohë do ta bëntë shumë më të paqëndrueshme, pasi do të rishfaqeshin rivalitetet e vjetra. Dikur, amerikanët e shihnin Europën si një pol stabiliteti në një botë të sigurtë. Sot, ky vizion sheh një Europë të paqëndrueshme, politikisht dhe ekonomikisht. Një Europë, pak a shumë si Amerika e Trumpit. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button