Analiza

Lufta hipokrite e OKB-së ndaj Izraelit

Screen Shot 2015-04-03 at 12.13.31 PM

Nga Ron Prosor*

Organizata e Kombeve të Bashkuara, kremton këtë vit 70-vjetorin e themelimit. Ajo kishte për qëllim të ishte një tempull i paqes, por ky organ, dikur i madh botëror, është uzurpuar nga regjimet represive, që shkelin të drejtat e njeriut dhe dëmtojnë sigurinë ndërkombëtare.

Në vitin 1949, kur Kombet e Bashkuara e pranuan Izraelin si një shtet anëtar, organizata kishte 58 vende anëtare dhe rreth gjysma e tyre kishin një orientim demokratik. Sot, peizazhi i organizatës ka ndryshuar në mënyrë drastike. Nga 51 vende anëtare në themelimin e saj në vitin 1945, institucioni është shtuar deri në 193 anëtarë, ku më pak se gjysma janë vende demokratike.

Kombet që realisht mohojnë të drejtat demokratike të popullit të tyre, abuzojnë me forumet demokratike të Kombeve të Bashkuara, për të çuar përpara interesat e tyre. Grupimi më i madh përbëhen nga blloku i fortë 120-anëtarësh, i njohur si Lëvizja e të Paangazhuarve. Që prej vitit 2012, blloku drejtohet nga Irani, i cili ka përdorur pozicionin e tij për të mbështetur aleatët e saj dhe margjinalizuar Izraelin.

Në mars, Kombet e Bashkuara e mbyllën takimin vjetor të komisionit të tij mbi Statusin e Grave, duke publikuar një raport që veçonte efektisht vetëm një vend për ndëshkim:Izraelin. Komisioni mesa duket nuk kishte asgjë për të thënë për vajzat sudaneze, të cilët i janë nënshtruar shpesh gjymtimit gjenital, as për gratë iraniane që janë dënuar për krimin e “tradhtisë” përmes ekzekutimit me goditje gurësh. Këto gabime mund të kenë disi lidhje me faktin, sesi Irani ashtu edhe Sudani kanë vendin e tyre në komisionin 45 prej anëtarësh.

Pastaj është Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara (organ që zëvendësoi në vitin 2006 Komisionin për të Drejtat e Njeriut). Këshilli ka në përbërje të tij vende si Arabia Saudite, Katari dhe Venezuela, kombet ku në fakt ju rrezikoni jetën dhe lirine tuaj nëse shprehni mendime të kundërta me ato zyrtare. E megjithatë, këto qeveri veprojnë si gjyqtare për pjesën tjetër të OKB-së.

Në vitin 2007, Sudani kryesoi një komision për mbikqyrjen e të drejtave të njeriut – edhe pse president i saj, Omar Hasan Al-Bashir, ishte duke u hetuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Darfur, për të cilat Gjykata Ndërkombëtare Penale më vonë lëshoi një urdhër-arresti. Arabia Saudite – një regjim të njohur për ekzekutimet publike dhe rrahjet me kamxhik, sikurse i ndodhi kohët e fundit blogerit Raif Badavi – ulet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, pavarësisht se rregullisht marr vlerësimet më të këqija të mundshme për liritë civile dhe të drejtat politike nga organizata e pavarur “Freedom House”.

Në vitin 2013, Irani u zgjodh në Komitetin Përgjegjës për Çarmatimin – ska gjë se edhe Teherani ka vazhduar programin e saj bërthamor, mbështetur terrorizmin dhe shkatërrimin e Izraelit. Vitin e kaluar, një iranian shërbeu si zv.kryetar i Komitetit Ligjor të Asamblesë së Përgjithshme, një zgjedhje kjo e pashpjegueshme po të kihet parasysh se qytetarëve iranianë, u janë mohuar në mënyrë vazhdueshme proceset e rregullta gjyqësore.

Duke e ditur këtë histori, ndoshta ne s’duhet të habitemi që vetëm në seancat e sesionit 2014-15, Asambleja e Përgjithshme miratoi rreth 20 rezoluta kritike ndaj Izraelit, në një kohë që situata e të drejtave të njeriut në Iran, Siri dhe Korenë e Veriut, meriton një ndëshkim më të rëndë në secilin rast. Ditë pas dite, shtetet anëtare bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh për krimet më të mjerueshme.

Irani? Vetëm një rezolutë armiqësore kundër një kombi, që ekzekuton me vdekje mesatarisht 2 qytetarë në ditë për “krime” që përfshijnë homoseksualitetin, braktisjen e fesë dhe veprën e paqartë penale të

të qënit një “armik i Zotit”.

Koreja e Veriut? Vetëm një rezolutë negative, ndonëse Pheniani ka burgosur më shumë se 200 mijë qytetarë, ka kyçur fëmijët në kampet e punës së detyruar dhe nënshtruar popullsinë e saj ndaj mungesës së ushqimit dhe të urisë, pikërisht si pasojë e politikave të qeverisë. Siria? Përsëri, vetëm një rezolutë kundër një qeverie që ka zhvilluar një luftë kundër popullit të vet dhe që ka shkaktuar vdekjen e të paktën 220 mijë burrave, grave dhe fëmijëve, shumë prej të cilëve nga torturat, uria, armët kimike dhe bombardimet nëpër tregje apo shkolla.

Të krishterët tashmë numërohen mes grupeve më të persekutuar fetare në botë në vendet myslimane, mirëpo kjo krizë e të drejtave të njeriut është injoruar thuajse tërësisht nga Kombet e Bashkuara.

Në kontrast me këtë tabllo, Izraeli, demokracia e vetme në Lindjen e Mesme dhe një zonë në rajon, ku popullsia e krishterë është realisht në rritje, shpesh duket të jetë kombi vetëm me të cilin merren Kombet e Bashkuara. Askund tjetër paragjykimi anti-Izrael nuk është më i qartë sesa në Këshillin e të Drejtave të Njeriut me seli në Gjenevë.

Këshilli vë në dukje abuzimet me të drejtat e njeriut në të gjitha vendet e botës, në bazë të një programi të njohur si “Agenda Item 4”. Kjo është, të gjitha vendet me një axhendë. Izraeli është kombi i vetëm që është veçuar për kritika, për arsye të një programi të veçantë, të njohur si “Agenda Item 7”. Rrjedhoja, sipas grupit me bazë në Gjenevë të monitorimit të OKB-së “Human Rights Watch”, është se më shumë se 50 përqind e të gjitha rezolutave dënuese janë të drejtuara ndaj shtetit hebre.

Pas konfliktit të verës së shkuar në Gaza, Këshilli i të Drejtave të Njeriut krijoi një ‘Komision për Hetime’, ndërsa Uiliam Shabaz, profesor i jurisprudencës kanadeze, u zgjodh të kryesonte hetimin. Në shkurt të këtij vitit, zoti Shabaz u detyrua të japë dorëheqjen, pas publikimit të një dokumenti që zbulonte se në vitin 2012, ai kishte bërë punën e konsulentit për Organizatën Çlirimtare të Palestinës. Çuditërisht, ky fakt rrëshqiti në mendjen e zotit Shabaz, gjatë procesit të tij të verifikimit.

Ishte e qartë që nga fillimi se zoti Shabaz, nuk ishte një arbitër i paanshëm, qëkur ai kishte një rekord deklaratash publike që sugjeronin se kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe ish-presidenti, Shimon Peres, duhet të përballeshin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Megjithatë, kur Izraeli protestoi, Kombet e Bashkuara e injoruan atë.

Shpesh më pyesin sesi mund të reagojmë ndaj valës së urrejtjes që synon Izraelin. Përgjigja jonë ndaj akuzave të Kombeve të Bashkuara, është të flasim pa pushim në emër të atyre që u është mohuar patja e një zëri, në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme – gratë, minoritetet, komunuteti LGBT – dhe për të luftuar përpjekjet e përditshme të regjimeve totalitare për të minuar shoqëritë demokratike.

Bazuar në faktin se Izraeli është një shoqëri e lulëzuar, unë besoj se ne jemi fitues. Më vonë gjatë këtij viti, kryesia e Lëvizjes së të Paangazhuarëve do të transferohet në Venezuelë, një aleate e ngushtë e Iranit. Në një të ardhmentë parashikueshme, mund të presim më shumë sjellje të njëjta. Problemi me Kombet e Bashkuara, është se liderët e shumë prej shteteve anëtare të saj, nuk qeverisin me pëlqimin e popullit të tyre. Në vend të kësaj, ata e përdorin OKB si një forum për të shmangur vëmendjen nga sundimi i tyre të pamëshirshëm. Duke vepruar kështu, ata e shndërrojnë fazën e artit të qeverisjes së guximshme, në një teatër tragjik të absurdit./NYT/

Shënim: Ron Prosor është ambasador i Izraelit në Kombet e Bashkuara

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button