Analiza

Lufta paralele e diplomacisë

Tensions Remain High At Israeli Gaza BorderMes ndërmjetësve, Egjipti, Katari dhe Turqia

Lufta paralele që po luftohet në lidhje me konfliktin Hamas-Izrael ka tre protagonistë kryesorë dhe shumë lojtarë. Në tryezë janë një sërë interesash, ndonjëherë personalë, herë të tjera kombëtarë dhe ndërkombëtarë që shkojnë nga prestigji tek pushteti, e deri tek përpjekjet për stabilizimin e rajonit, ose menaxhimin e konflikteve që, nga e ashtuquajtura “pranverë arabe” e deri sot e kanë transformuar Lindjen e Mesme në një fushëbetejë dhe kanë nxjerrë në pah urrejtjet dhe pakënaqësitë jo vetëm nacionale, por edhe fetare.

Al-Sisi

Fillojmë nga Egjipti. Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi nuk e do Hamasin dhe lidershipin e tij. Lëvizja palestineze që kontrollon Gazën është një “brinjë” e vetë Vëllazërisë Myslimane të cilëve u mori pushtetin. Do të donte t’i shikonte të zhdukeshin edhe nga galaksia politika palestineze. Ndoshta kur propozoi formulën e armëpushimit, e dinte që Hamasi do ta kundërshtonte. Ashtu sikurse e dinte, pas një bisede telefonike (sekrete deri dje) me Netanjahun, që ai do ta pranonte. Në sytë e izraelitëve, Al Sisi përfaqëson vazhdimësinë e paqes së ftohtë me Egjiptin dhe mbrojtjen e kufirit të tyre perëndimor. Gjenerali është një tjetër Mubarak dhe ai vlerësohet shumë (ndonëse nuk e “adhurojnë), edhe nga SHBA dhe BE. Sot deklarojnë se mbështetja e tyre për revoltën popullore kundër Mubarakut, si dhe pjesëmarrja e tyre, direkte apo indirekte në revoltat e armatosura në Libi dhe në Siri ishte një gabim i madh në vlerësim. Nuk mund të luftohet një regjim, pa patur një zëvendësues. Edhe presidenti palestinez, Mahmoud Abbas sheh tek Al Sisi një aleat në luftën e tij kundër Hamasit dhe për forcimin e Autoritetit Kombëtar Palestinez.

Emirati

Katari, emirati i vogël dhe ipasur me naftë e gaz, me një telefizion satelitor (Al Jazeera), në gjendje që të informojë arabët dhe të manovrojë ngjarjet, është një prej mbështetësve të mëdhenj të Vëllazërisë Myslimane. Ka financuar, armatosur dhe ndihmuar rebelët e Bengazit në luftën e tyre kundër Gedafit. Forcat speciale të tij ishin të parat që hynë në bunkerin e diktatorit libian në Tripoli. Ka financuar partinë islamike në Egjipt dhe vazhdon të mbështesë një pjesë të armiqve të Assadit në Siri. Emiri i vjetër besonte në një botë arabe të qeverisur prej Vëllazërisë Myslimane. Edhe për këtë arsye, Hamasi i beson Katarit. Formalisht emirati është në luftë me Izraelin, ashtu si shumica e vendeve arabë, por i ruan kontaktet me “armikun”, mbi të gjitha në fushat e sigurisë dhe ekonomisë.

Erdogani

Turqia, një vend mysliman por jo arab, është një lojtar periferik, prej kohësh në kërkim të një roli hegjemonist në Lindjen e Mesme. Bashkë me Katarin është ofruar për të ndërmjetësuar armëpushimin dhe formuluar një të tillë afatgjatë, por marrëdhëniet e Erdoganit, nga shumë të mira janë shndërruar në të ftohta pas sulmit, përballë Rripit të Gazës, të forcave speciale izraelite ndaj anijes turke Mavi Marmora dhe vrasjes së disa militantëve turkë që shkonin të mbështesnin palestinezët. Sot, Netanjahu nuk e do një ndërmjetësim të Ankarasë, edhe pse do të donte të riktheheshin marrëdhëniet e dikurshme me Turqinë, mbi të gjitha për të patur akses në bazat ajrore të konsideruara si shumë strategjike për një sulm të mundshëm ndaj impianteve bërthamorë iranianë. /messaggero.it/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button