AnalizaEkonomi

Lufta tregtare SHBA-Kinë, rrezikon të kthehet në një tjetër luftë të ftohtë

Nga Charles Hankla

Presidenti amerikan Donald Trump, është duke e mbajtur e premtimin e tij për të përshkallëzuar luftën tregtare me Kinën, duke imponuar tarifa shtesë mbi 200 miliardë dollarë mallra kineze. Nga ana e saj, qeveria kineze po hakmerret me taksa të reja mbi 60 miliardë dollarë importe nga SHBA-ja.

Nëse jeni kuriozë, se përse sanksionet e Kinës nuk përputhen me ato Trump, kjo e ka një shpjegim të thjeshtë:Pekini po e mbaron listën e produkteve amerikane, që duhet të godasë. Amerikanë blejnë 375 miliardë dollarë më shumë nga Kina, sesa kinezët blenë nga SHBA-ja vitin e kaluar, çka do të thotë që Trump ka shumë më tepër për të ndëshkuar.

Ndërkohë, kjo do të thotë që mekanizmat ndikues të Kinës ndaj tregtisë janë të kufizuara. Por kjo s’do të thotë që Trump mund ta fitojë me lehtësi këtë përballje. Kjo për shkak se Kina ka shumë mënyra të tjera për t’u hakmarrë, si heqja dorë nga një pjesë e konsiderueshme e borxhit amerikan, ose vështirësimi i një marrëveshje bërthamore mes Trump dhe Koresë së Veriut.

Në këto dhe fusha të tjera, Pekini ka leva të shumta në përdorim. Kjo ka bërë që disa të sugjerojnë se lufta tregtare, do shndërrohet së shpejti në një “luftë të re të ftohtë”.

A munden Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të jenë në prag të llojit të ngërçit gjeopolitik që dominoi gjysmën e dytë të shekullit XX-të? Shumëçka do të varet nga mënyra, se si Kina do të reagojë ndaj tarifave më të fundit amerikane. Unë besoj se kjo përgjigje, mund të jetë në 4 mënyra.

 

Kokat e ‘ftohta’

 

Së pari, Kina mund të zgjedhë të ulë tensionet. Kjo mund të bëhet shpejt duke, negociuar disa zgjidhje me administratën Trump – edhe pse kushtet e presidentit amerikan për përfundimin e luftës tregtare mbeten të paqarta. Përndryshe, Kina mund të lejojë që konflikti të ziejë, duke e lejuar atë të vazhdojë të hakmerret, dhe u shfaqur në dukje “e arsyeshme”.

Kjo qasje, do të shmangte ndonjë ngatërresë të madhe për Kinën, dhe duke shpresuar zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor në SHBA, apo presidencialet e 2020-ës, do ta zbusin politikën amerikane. Në fakt, Kina e ka thënë tashmë, se nuk do të negociojë deri në zhvillimin e zgjedhjeve amerikane të nëntorit.

Një strategji pajtuese, mund të jetë tërheqëse për të moderuarit në Pekin, të cilët janë shumë të vetëdijshëm se Kina ka nevojë për SHBA- në, po aq sa SHBA-ja ka nevojë për Kinën. Kjo qasje do t’i siguronte partnerët e tjerë tregtarë, se Pekini është serioz në lidhje me respektimin e angazhimeve të tij

 

Dhimbje ekonomike

 

Një mundësi tjetër për Kinën, është që të përshkallëzojë përballjen, duke përdorur levën e saj të konsiderueshme ekonomike jashtë tregtisë. Mënyra më e dukshme që Kina mund të hakmerret, do të ishte zvogëlimi i blerjeve të thesarit amerikan, ose shitja e një pjese prej 1.18 trilionë dollarësh që zotëron aktualisht. Në përgjithësi, Kina zotëron gati një të pestën e borxhit kombëtar të SHBA-së, që aktualisht mbahet nga vendet e huaja.

Megjithëse do të qe me gjasë më pak apokaliptike sesa supozohet, një politikë kineze për reduktimin e aseteve të saj, do të rriste ndjeshëm koston e shumë mallrave që amerikanët blejnë çdo ditë. Problemi me këtë qasje për Kinën, është se do të forcojë edhe juanin, dhe do t’i bënte mallrat kineze më të shtrenjta për të huajt. Një formë e tillë e hakmarrjes financiare, nuk mund të jetë një opsion i besueshëm për Pekinin.

 

Lojëra gjeopolitike

 

Marrëdhënia SHBA-Kinë është e shumëllojshme, një fakt që mund t’i lejojë Kinës të hakmerret jashtë krejtësisht arenës ekonomike. Një mënyrë do të ishte përdorimi i ndikimit të saj me Korenë e Veriut, për të minuar përpjekjet e SHBA në ç’armatosjen e Kim Jong Un, ndoshta duke mos zbatuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

Kina mund të përballet me Shtetet e Bashkuara në Detin e Kinës Jugore, ose të ndërmarrë përpjekje të reja për të izoluar Tajvanin, për të thelluar lidhjet me Rusinë si një kundërpeshë ndaj SHBA-së, ose të përshpejtojnë ndërtimin e një ushtrie moderne.

 

Hegemoni me ‘steroide’

 

Së fundi, Kina mund të shfrytëzojë luftën tregtare të Amerikës, si një arsye për të përshpejtuar përpjekjet e saj, për të krijuar hegjemoni rajonale dhe një pavarësi më të madhe ekonomike. Programi “Kinë 2025”, një grup politikash industriale që synojnë ta çojnë vendin më pranë kufirit teknologjik, mund të marrin një nxitje nga ky konfrontim.

Nisma e famshme e Kinës “Brezi dhe Rruga”, një korridor i madh ekonomik i financuar nga Pekini, mund të zgjerohet, ashtu si edhe përpjekjet e vendit për të rritur ndikimin e vet në Afrikë. Kina gjithashtu mund të pompojë më shumë të holla në alternativën e saj ndaj Bankës Botërore, Bankën Aziatike për Zhvillimin e Infrastrukturës.

 

Po çfarë do të bëjë Kina?

 

Reagimi më i mundshëm kinez, në gjykimin tim si ekonomist politik, është një përzierje e të katër opsioneve. Presidenti Trump, është duke luajtur një lojë të rrezikshme. Në përpjekje për

të trajtuar defiçitin tregtar me një çekiç të madh, ai po krijon një numër sfidash të tjera serioze ndaj interesave amerikane, që mund të vazhdojnë për vitet që vijnë.

Defiçiti i madh dhe i vazhdueshëm tregtar i SHBA-së, me Kinën ka nevojë për një zgjidhje,

por tarifat nuk janë rruga e duhur. Një qasje e mençur amerikane do të ishte përdorimi i mekanizmave ekzistues të rendit ndërkombëtar, për të zgjidhur ankesat e saj të ligjshme tregtare me Kinën.

Dhe ka mënyra të tjera për të reduktuar defiçitin tregtar, dhe për të zbutur efektet e tij të këqija, si inkurajimi i një shkalle më të lartë të kursimeve, duke shkurtuar defiçitin federal (të përkeqësuar nga shkurtimet e taksave nga ana e Trump), dhe nxitja e konkurrencës përmes rikualifikimit të krahut të punës dhe investimeve.

Por kthehemi tek pyetja jonë fillestare:a po shkojmë drejt një lufte të re të ftohtë ? Jo, të paktën jo si lloji i luftës që SHBA-ja zhvilloi kundër Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore. Lufta e Ftohtë mund të ketë qenë e ngrirë në Europë, por ajo çoi, direkt ose indirekt, në konflikte të tmerrshme në Kore, Vietnam dhe më gjerë. Ajo gjithashtu e ndau botën në dy blloqe antagoniste të ndërsjella, që vazhdimisht po luftonin për hegjemoni.

Sigurisht, një konflikt në rritje midis dy fuqive më të mëdha të botës, mund të inkurajonte formimin sërish të sferave të kundërta të ndikimit. Por ndërvarësia ekonomike midis SHBA-së dhe Kinës – si dhe ekzistenca e fuqive të tjera të mëdha – do ta bënte një luftë të tillë të ftohtë mjaft të ndryshme, dhe ndoshta më të butë se ajo e dikurshme.

Gjithsesi, është më mirë që Shtetet e Bashkuara të shmangin një marrëdhënie konfrontuese me Kinën. Është e natyrshme të mbrosh interesat vetjake, por nga një luftë në përshkallëzim, dhe që nuk dihet se ku të çon, nuk do të përfitonte askush.

Burimi: “The Conversation”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button