
María Corina Machado nuk arriti në kohë në skenën e Nobelit për Paqen dje në Oslo, por udhëtimi i saj, i zbuluar nga Wall Street Journal, flet më shumë se çdo fjalim. Liderja e opozitës venezueliane u nis nga brigjet e Venezuelës me një varkë drejt Curaçaos, ndalesa e parë e arratisjes së saj drejt Evropës, pas më shumë se një viti të kaluar në ilegalitet për të shmangur arrestimin. Një skenë si e dalë nga një roman aventurash, në përputhje të përsosur me atë se çfarë do të thotë sot, t’i kundërvihesh diktaturës hipokrite dhe të përgjakshme të Nicolás Maduro-s.
Suita e saj në Grand Hotel të Oslos, e famshmja “Nobel Suite”, e rezervuar për fituesit e çmimit, mbeti bosh. Medaljen dhe diplomën i mori e bija, Ana Corina, e cila nga podiumi, përpara një audience ku ishin ulur presidenti argjentinas Javier Milei dhe homologët e tij të Paraguait, Panamasë dhe Ekuadorit, Santiago Peña, José Raúl Mulino dhe Daniel Noboa, kujtoi se “për të pasur demokraci duhet të jemi gati të luftojmë për lirinë”.
Sipas Komitetit të Nobelit, María Corina, siç e quajnë në vendin e saj, do të duhej të mbërrinte mbrëmë ose, më së voni, sot në Oslo, ku më në fund do të mund të ribashkohej me tre fëmijët e saj, të cilët kanë vite që jetojnë jashtë për arsye sigurie. Por deri natën vonë, askush nuk e dinte me saktësi ku ndodhej ajo, as çfarë rruge kishte zgjedhur për të shmangur kontrollet, kufijtë dhe aparatet e inteligjencës besnike ndaj regjimit chavist.
Burime norvegjeze flasin për një “mision me rrezik shumë të lartë”, e megjithatë, edhe pa hipur në skenë, goditja politike për Karakasin ishte shkatërruese. Vetëm pak ditë më parë, prokurori i përgjithshëm kishte paralajmëruar se Machado do të konsiderohej “e arratisur” nëse do të largohej nga vendi. Tani Maduro duhet të përballet me një fakt të pamohueshëm: gruaja më e përndjekur e Venezuelës ka arritur jo vetëm t’i shpëtojë represionit, por të shfaqet fuqishëm edhe në skenën ndërkombëtare më prestigjioze në botë.
Mungesa e fitueses nuk e zbehu ngarkesën politike të ceremonisë së djeshme. Përkundrazi. E bija, duke lexuar fjalimin e përgatitur nga María Corina, denoncoi “terrorizmin e shtetit, torturat dhe zhdukjet e njerëzve”, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos e largojë vëmendjen nga drama venezueliane.
Kryetari i Komitetit të Nobelit, Jorgen Watne Frydnes, i bëri thirrje Maduros të “pranojë humbjen zgjedhore” të vitit 2024 dhe të largohet nga pushteti: një apel i paparë në historinë e çmimit. Tani mbetet pyetja thelbësore: pas arratisjes për Nobel, a do të kthehet Machado në Venezuelë? Rreziku i arrestimit në kthim është tepër i lartë, megjithatë ajo ka përsëritur se synimi i saj është të jetojë në një vend të lirë. E njëjta gjë u konfirmua edhe nga e bija dje: “Nuk do të qëndrojë në mërgim, do të kthehet shumë shpejt.”
Ndërkohë Donald Trump rrit edhe më tej presionin për rrëzimin e Maduro-s. Presidenti amerikan njoftoi dje se SHBA “sapo kanë sekuestruar një çisternë nafte pranë bregut të Venezuelës, një anije shumë të madhe, në fakt më të madhen që kemi sekuestruar ndonjëherë”.
“Ajo u sekuestrua për arsye shumë të mira,” shtoi ai, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara synojnë të mbajnë ngarkesën, edhe pse nuk dha detaje mbi anijen, pronësinë apo destinacionin e saj. “Po ndodhin gjëra të tjera,” përfundoi Trump në mënyrë enigmatike, pa shtuar të dhëna të tjera dhe duke siguruar se do të flasë për këtë çështje më vonë. / bota.al





