“Koncepti i sëmundjeve mendore është analog me magjinë. Në shekullin e pesëmbëdhjetë besohej se disa njerëz ishin shtriga ose shtriganë. Në shekullin e njëzetë, mendohet se disa njerëz janë të çmendur dhe se sjellja e tyre ka si shkak vuajtjen nga sëmundje mendore”, thotë psikiatri Tomas S. Sas në librin e tij “Prodhimi i çmendurisë” (1970). Njohuritë aktuale mjekësore dhe psikiatrike kanë për qëllim të hedhin dritë mbi origjinën e vizioneve demoniake dhe rasteve të posedimit.
Frojdi tashmë ka botuar një vepër pioniere me titull “Një neurozë demoniake në shekullin e shtatëmbëdhjetë”, në të cilën ai analizon përmes lentes së psikoanalizës, rastin e piktorit Christopher Haitzmann, i cili kishte vizione të djallit dhe firmosi një pakt gjaku me të. Psikiatri i njohur J.J. López Ibor, autori i “Si bëhet një magjistar?” (1976), thoshte në atë kohë se në mesjetë “pacientët trajtoheshin si të demonizuar, shtriga, vrasës, armiq të shoqërisë. Ata mbylleshin në kafaze dhe kulla. Ata keqtrajtoheshin dhe digjeshin në turrën e druve. Ata quheshin heretikë dhe të magjepsur, kur ishin thjeshtë të sëmurë të gjorë”. Sipas mendimit të tij, magjistari nuk është domosdoshmërisht “i çmendur”.
“Në shumicën e rasteve bëhej fjalë për neurozë, histeri, depresion, personalitete psikopatike dhe disa dobësi mendore”, argumentonte ai. Edhe pse shumë më herët, Philippe Pinel, një mjek francez i lindur në shekullin e tetëmbëdhjetë, kishte shkruajtur tashmë se shtriganët ishin të sëmurë mendorë. Nga ana e tij, ai e quajti histerike Charcot-ën. Me të drejtë, historiani mjekësore Henry Sigerist, sugjeron se psikiatria moderne si një disiplinë mjekësore, sjell një ndryshim të qëndrimit ndaj shtriganisë.
Nuk është çudi, pra, që për psikoanalistin Gregory Zilboorg, Malleus Maleficarum ishte një traktat i jashtëzakonshëm i psikiatrisë. Interesant, në këtë kuptim, ishte edhe kontributi i neuropsikiatrit francez Jean Lhermitte, autor i “Nën ndikimin e djallit” (1956), që konsideron pseudo-posedimet nga djalli, si gjendje përkatëse mendore, krejt individuale, dhe për këtë arsye të identifikueshme nga specialistët.
“Aktualisht, nuk ka më dyshim për të vërtetën e “pushtimit të rremë nga demoni”: është sëmundje mendore, sjellja e parregullt e të cilës mund të justifikohet me një interpretim racional,” thotë. Edhe pse ka edhe mjekë që pranojnë posedimin, si Dr. Alfred Lechter, i cili në vitin 1948 shkruante: “Unë nuk kam dyshime që posedime prej djallit ka, në fakt, edhe pse kjo është diçka që rrallë pranohet. Unë vetë kam parë një numër rastesh, gjatë të gjithë karrierës time, që nuk mund të shpjegohen në mënyrë të përshtatshme, përmes psikologjisë ose psikiatrisë”./bota.al