Horizonti.alMAIN

Magjia e fshehtë e gjërave të vogla

Truri ynë është një organ i mrekullueshëm, i cili ka një qëllim të vetëm dhe të përhershëm: mbijetesën. Gjithçka që bën, gjithçka që përpunon, ka këtë si synim final. Kjo ide e thjeshtë, por thellësisht logjike, ka udhëhequr evolucionin tonë si qenie biologjike që ekzistojnë brenda një biosfere komplekse. Për t’i mbijetuar botës, kemi mësuar t’i përshtatim shqisat tona për të identifikuar rreziqet dhe për të kuptuar nëse diçka që ndodhet përpara nesh, është apo nuk është kërcënim.

Në botën natyrore – në stepa, pyje apo lugina të pafundme – kjo ishte një aftësi jetëshpëtuese. Atje, stimujt ishin të kufizuar dhe rreziqet rrallë ndodhnin. Liria për të parë horizontin pa pengesa na ofronte një qetësi të brendshme, një ndjenjë hapësire që na lidhte me botën në mënyrë harmonike.

Por sot, në kaosin e botës urbane, gjërat janë përmbysur. Ndërtesat që ngrihen deri në qiell, rrugët plot makina, reklamat me drita verbuese – të gjitha këto i detyrojnë shqisat tona të përballen me një rrjedhë të pandërprerë stimujsh.

Fushëpamja jonë ndërpritet vazhdimisht dhe truri ynë përpiqet të përpunojë çdo detaj, duke na lënë të lodhur e të dëshpëruar për hapësira të gjera. Jo më kot, njerëzit shpesh kërkojnë strehë në tarraca apo kulme të larta për të rikthyer atë ndjesi të vjetër: të shikojnë pa parë, të shijojnë hapësirën pa kufij.

Të mos humbasim pamjen

Sa më shumë që jetojmë në hapësira të ngushta, aq më shumë ndjejmë nevojën për liri të pamjes. Kërkojmë horizonte të gjera, pamje të mahnitshme që na bëjnë të harrojmë qytetet e zhurmshme. Por kjo dëshirë për të gjetur “pamjen perfekte” po ndryshon mënyrën si përjetojmë udhëtimet dhe vendet ku shkojmë.

Nisemi drejt një destinacioni me një qëllim të qartë: të kapim atë pamje madhështore që do ta ruajmë në kujtesë – ose në telefon. Por rrugës ndodh diçka e çuditshme: vëmendja jonë përqendrohet vetëm te destinacioni final dhe na bën të verbër për bukurinë e udhës. Detajet e vogla – një kthesë lumi, dritat që kalojnë mes pemëve, një gur i thyer me formë të çuditshme – humbasin në sfond, të injoruara nga mendja jonë që është tashmë e fokusuar te panorama e shumëpritur.

Bota në një detaj

Natyra është e kudondodhur. Bukuria ekziston edhe në vendet më të fshehura, më të thjeshta, por shpesh nuk e vërejmë, të magjepsur pas madhështisë që mund ta ndajmë me të tjerët. Kjo etje për të shfaqur të jashtëzakonshmen na ka bërë të harrojmë mrekullitë e vogla që formojnë udhëtimin.

Janë këto detaje të vogla – ato që nuk përfundojnë në fotografi por mbeten në kujtesë – që përmbajnë thelbin e vërtetë të një udhëtimi. Është aftësia për të ndaluar, për të parë pa ngut, për t’u magjepsur nga gjërat që shfaqen vetëm për ata që dinë të vëzhgojnë me kujdes dhe durim.

Por në përpjekjen për të kapur spektaklin, kemi humbur aftësinë për të shijuar thjeshtësinë. Udhëtojmë me nxitim, me mendjen tashmë te fotografia që do të kapim. Dhe kur më në fund arrijmë, ajo mrekulli e pritur shpesh zgjat vetëm një çast. Është shumë e shkurtër për të ushqyer shpirtin dhe shumë sipërfaqësore për të lënë një shenjë të thellë.

Gjërat e vogla

Konteksti ku jetojmë na formon. Ai flet me shqisat tona, na lidh me botën. Por sot, gjithnjë e më shumë, jetojmë në një gjendje të izoluar, të larguar nga kjo lidhje. E trajtojmë udhëtimin si një seri ndalesash, jo si një rrjedhë të vazhdueshme momentesh. Dhe kjo ndarje na lë një zbrazëti. Si një bimë artificiale në zyrë që nuk mund të zëvendësojë natyrën e gjallë, një panoramë spektakolare nuk mund të mbushë boshllëkun që shkaktohet nga mungesa e një lidhjeje të vërtetë.

Ndoshta është koha të ndryshojmë qasjen. Të ndalojmë së ndjekuri vetëm pamje të mëdha dhe të fillojmë të kërkojmë çastet e vogla. Të rikthejmë shikimin drejt detajeve, të humbemi në ato gjëra të imëta që shpesh i shpëtojnë syrit të shpërqendruar. Sepse udhëtimi i vërtetë është një rrjedhë çastesh për t’u përjetuar, jo thjesht një pikëmbërritje. / bota.al

Back to top button