HistoriMagazineMAIN

Magjia: Një histori e iluzioneve optike dhe trukeve të tjera

Magjia e iluzionit është një art që ka ekzistuar gjatë gjithë epokave. Në vijim, ne do t’i referohemi këtij arti si magji. Por kujdes, nuk duhet ngatërruar magjia e iluzionit me aktet e magjisë. Këto të fundit përfshijnë një përpjekje për të kontrolluar botën natyrore përmes mjeteve të mbinatyrshme ose paranormale.

Ndërkohë, magjia e iluzionit përfshin krijimin e iluzioneve që duken të mbinatyrshme ose të pamundura, por që në fakt arrihen me mjete natyrore. Për më tepër, këto hile synojnë që të argëtojnë audiencën. Edhe pse iluzion magjik modern siç e njohim ne sot, mund të gjurmohet  rreth shekullit XVIII-të, origjina e tij mund të gjenden që në botën e lashtë.

Në aspektin etimologjik, fjala “magji” vjen nga persishtja e vjetër “magush”. Më pas, kjo fjalë u përshtat në greqisht dhe latinisht. Më vonë akoma, fjala hyri në frëngjishten e vjetër, dhe prej andej në anglisht, ku ajo zëvendësoi fjalën e vjetër angleze wiccecræft.

Por shembuj të praktikës së magjive të iluzionit mund të ketë pasur edhe më herët. Një pikturë në mur në një varr të lashtë egjiptian, mund të përmbajë përshkrimin më të vjetër të magjisë. Varri gjendet në nekropolin e Beni Hassan, dhe i takon Baket III, një monark që jetoi gjatë dinastisë së11 -të (shekulli XXI Para Krishtit).

Një nga skenat e paraqitura në këtë pikturë murale, përshkruan 2 burra të gjunjëzuar me katër tasa të përmbysur midis tyre. Disa e kanë interpretuar këtë si praktikën e parë të“kupave dhe topave”, një truk magjik klasik. Por të tjerët, spekulojnë se kjo mund të jetë në të vërtetë një lloj loje tjetër që luhej nga egjiptianët e lashtë .

Truku në fjalë është përshkruar nga Seneka i Riu në “Epistulae Morales ad Lucilium”  (Letrat Morale për Luciliusin), rreth vitit 65 Pas Krishtit. Por pavarësisht nëse filloi në Egjiptin apo Romën e lashtë, praktika e “kupave dhe topave”, është pa dyshim truku më i vjetër magjik që ka mbijetuar deri më sot, dhe që është ende shumë popullor.

Siç sugjeron edhe vetë emri, truku realizohet me gota dhe topa. Një top vendoset nën njërën nga 3 gotat. Më pas magjistari do ta kalojë topin nga gota origjinale në një tjetër, ose të realizojë “shumimin” e topit. Në realitet, pa dijeninë e audiencave, magjistari ka në dorë një top shtesë.

Ky truk realizohej në shumë pjesë të botës antike, përfshirë Lindjen e Mesme dhe pjesë të ndryshme të Azisë. Në vitin 1584 u botua libri“Zbulimi i magjisë” nga anglezi Rexhinald Skot. Ai zbuloi shumë truke që kryheshin nga magjistarët, që portretizohen si sharlatanë. Prandaj, ky libër konsiderohet si vepra e parë mbi magjinë.

Skot argumentoi se meqë këta magjistarë bënin hile të thjeshta, nuk meritonin të digjeshin në turrën e druve me akuzën e magjisë. Kjo ishte një kritikë e ashpër për autoritetet e kohës, si Kisha Katolike Romake, që i barazonte truket magjike me magjitë e tjera, duke sjellë kësisoj përndjekjen e magjistarëve si  shtriga. Megjithatë përkundër qëllimeve të tij të mira, libri i Skotit nuk i ndryshoi qëndrimet ndaj magjistarëve.

Gjithsesi magjia u bë gradualisht më e pranueshme si një formë argëtimi. Për shembull, nëpër panaire magjistarët shëtitës do të argëtonin publikun me truket e tyre magjike. Me kalimin e kohës magjia jo vetëm që fitoi pranueshmëri, por edhe respekt.

Përveç dhënies së shfaqjeve për publikun, magjistarët po performonin edhe për klientë të pasur privatë. Disa magjistarë madje u bënë super të famshëm. Një nga ata ishte Isak Fouks, një magjistar anglez që jetoi midis shekujve XVII-XVIII. Ai jepte rregullisht shfaqje për mbretin Xhorxh II.

Ai u bë shumë i pasur. Në kohën e vdekjes së tij në vitin 1732, raportohet se kishte grumbulluar një pasuri prej mbi 10 mijë paund, ekuivalente me të paktën 1 milion dollarë sot. Ndërkohë, magjia moderne filloi vetëm në shekullin XIX.

Një nga figurat më të njohura në atë kohë ishte Zhan-Eugjen Robert-Hudin, një francez që cilësohet gjerësisht si “Babai i Magjisë Moderne”. Robert-Hudin lindi në vitin 1805 në qytetin francez Blua. I ati Prosper Robert ishte orëndreqës, dhe kur Robert-Hudin u rrit ndoqi hapat e babait të tij.

Megjithëse po trajnohej si orëndreqës, ai ishte gjithashtu i interesuar pas magjisë. Ndaj i përsosi aftësitë e tij si një magjistar, dhe realizoi shumë truket magjike. Përveç kësaj, Robert-Hudin i demaskoi magjistarët që përdornin të mbinatyrshmen si një shpjegim për truket e tyre magjike, duke i quajtur ato si falsifikime.

Ndërsa Hudin po korrte sukses në Francë, homologët e tij anembanë Kanalit po arrinin gjithashtu suksese në punën e tyre. Në Anglinë Viktoriane, shfaqjet magjike u bënë jashtëzakonisht të njohura falë një kombinimi të kontraksioneve mekanike, zgjuarsisë dhe një kurioziteti të pangopur mbi të çuditshmen dhe të panjohurën.

Gjatë shekullit XX, ardhja e televizionit nënkuptonte se magjia mund të arrinte tek një audiencë më e gjerë. Në fakt, kjo formë argëtimi kaloi lehtësisht nga teatri në televizion dhe lulëzoi në këtë medium të ri. Për më tepër, duket se me kalimin e kohës, aspekti edukativ  i magjisë u bë më pak i rëndësishëm, duke u lënë në hije nga vlera e saj argëtuese.

Gjithsesi disa magjistarë modernë, të tillë si Xhejms Randi, dhe “Penn and Teller”, e kanë vazhduar traditën e edukimit të audiencës së tyre duke përdorur njohuritë e tyre të magjisë për të demaskuar sharlatanët. Magjia ka ekzistuar prej rreth 2000 vjetësh, dhe ndoshta edhe më gjatë. Ajo ka argëtuar shumë njerëz përgjatë gjithë epokave dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. / Ancient Origins – Bota.al

Back to top button