Analiza

Makiaveli i Kremlinit e ka çuar Rusinë drejt katastrofës

Gideon Rachman

Makiaveli i KremlinitPutini është shfaqur si një bastexhi i dalldisur, që po e çon vendin e tij drejt izolimit ekonomik dhe politik

Vetëm pak muaj më parë, njerëzit e gjenin të pranueshme të vlerësonin Vladimir Putinin për gjeninë e tij strategjik. Të djathtët në Amerikë, përballë vendosmërisë së shfaqur prej tij, vinin për kontrast dobësinë e presidentit të tyre. Në një editorial me titull “Obama përballë Putinit. Mospërputhja…”, Charles Krauthammer argumentonte: “Me këtë president, Rusia e ka sjellë vërdallë për hunde Amerikën”. Rudy Giuliani, ish kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut vlerësonte vendosmërinë e Putinit dhe deklaronte: “Ai po, që është një lider”. Nigel Farage, udhëheqësi i UKIP në Britani, deklaronte se Putini ishte udhëheqësi botëror që admironte më shumë.
Sa i pavend tingëllon i gjithë ky adhurim, pas rrëzimit të avionit të Malaysian Airlines. Politika e hapur e Rusisë, e furnizimit të rebelëve prorusë me raketa tokë-ajër nuk ishte thjeshtë imorale. Ajo përgënjeshtrone dhe idenë se Vladimir Putini është një lloj gjeniu strategjik. Përkundrazi, këtu ai është shfaqur si një bastexhi i dalldisur, politikat paranojake dhe cinike të të cilit po e çojnë Rusinë drejt izolimit ekonomik dhe politik.
Mini-Makiaveli i Kremlinit besonte se mund ta destabilizonte Ukrainën ndërkohë që të vazhdonte të mohonte në mënyrë të besueshme lidhjet e Rusisë me rebelët separatistë.
Megjithatë, “Zoti i kukullave” nuk arriti të mbajë në kontroll të gjithë fijet. Pas vdekjes së pothuajse 300 civilëve të pafajshëm, një dritë e fortë po hidhet mbi përfshirjen e Rusisë në këtë tragjedi. Jashtë Rusisë, vetëm një grusht apologjesh të Putinit ka gjasa të pranojnë mohimin e përfshirjes së tij.
Tani, autoritetet ruse përballen me një zgjedhje shumë të vështirë. Nëse bashkëpunojnë me një hetim ndërkombëtar për tragjedinë e MH17, rezultatet ka gjasa të jenë tmerrësisht sikletosëse. POr nëse bllokojnë hetimin, fshihen prapa teorive të komplotit apo edhe dërgojnë trupa në Ukrainën lindore, atëherë do të nxisin një kundër-reagim edhe më të fortë ndërkombëtar. Javën që kaloi, edhe para tragjedisë së avionit civil, SHBA kishte paralajmëruar intensifikimin e sanksioneve. Edhe BE pritet të ashpërsojë qëndrimin e vet. Disa kompani të mëdha ruse po humbasin aksesin në tregjet perëndimorë të kapitalit.
Tek pragu është edhe izolimi politik. Rusia është dëbuar tashmë nga Grupi i Tetë vendeve më të industrializuar. Australianët, që humbën shumë nënshtetas në atë avion, po pendohen rëndë që kanë ftuar Putinin në një samit të G20-ës në Brisbane, në muajin nëntor. Dhe shumë shpejt, pritet të vihet në dyshim edhe organizimi i Kupës së Botës 2018 nga Rusia.
Gabimet e Putinit shtrihen përtej papërgjegjshmërisë së mundësimit që separatistët të qëllojnë një avion civil. Ajo gafë i ka rrënjët në të paktën katër politika të tjera të dështuara. Së pari, ishte reagimi shumë i ekzagjeruar ndaj idesë që Ukraina mund të firmoste një marrëveshje tregtare me BE-në. Ideja që Brukseli po përpiqej me forcë të rrokte Ukrainën ishte paranojake. Në të vërtetë, prej dekadash BE ka qenë hezituese për të afruar Ukrainën. Anëtarësimi në NATO – që Moska e shpalli si kërcënimin e madh ndaj Rusisë – ishte gjithashtu një ngjarje e largët. Në samitin e vitit 2008 NATo refuzoi ta fusë Ukrainën në rrugën e anëtarësimit, dhe ky ka qenë pozicioni i saj që nga ajo kohë.
Gafa e dytë e Rusisë ishte që shkaktoi trazira në Ukrainë ndërkohë që mohonte përgjegjësinë. Mund të jetë dukur gjë e mençur në një kuptim cinik – dhe sigurisht që e zuri botën në befasi kur aneksoi Krimenë. Por në Ukrainën lindore, manipulimi i Moskës ka qenë më pak efektiv dhe më i vështirë për t’u fshehur. Kulmi erdhi me tragjedinë e MH17. Rezultati është që Rusia është në një pozicion që më keq nuk bëhet. Ajo nuk ka kontroll të plotë të ngjarjeve, por sërish fajësohet për to. Dhe me të drejtë, sepse, edhe nëse urdhëri për të qëlluar nuk ka ardhur nga Moska, rusët mundësuan që ngjarja të ndodhte.
Kurthi i tretë që Putini ka krijuar për vetveten ka të bëjë me manipulimin e opinionit publik të Rusisë përmes një propagande nacionaliste, gjithnjë e më të fortë. Kjo ka sjellë efektin e dëshiruar të rritjes së mbështetjes për presidentin. Por kjo ia bën edhe shumë më të vështirë që të sprapset. Cdo veprim që është më pak se mbështetje totale për separatistët do e ekspozonte Putinin ndaj akuzës se ai dështoi në mbrojtjen e rusishtfolësve nga “fashistët”, që mediat e tij thonë se po kontrollojnë Ukrainën.
Gafa e tij e katërt ka qenë se ka nënvlerësuar vazhdimisht reagimin e Perëndimit. Ndoshta lajkatarët që i rrinë rrotull e kanë bindur se është një mjeshtër në strategji dhe që perëndimi është i dobët. Reagimi i perëndimit ndonjëherë ka qenë i ngadaltë, por janë miratuar sanksione realë, dhe të tjerë priten. Biznesmenët e mëdhenj rusë janë të tmerruar nga kjo situatë. Por për momentin, janë të pafuqishëm.
Duke i lejuar vetes të futet në një konfrontim të panevojshëm dhe shkatërrimtar me perëndimin, Putini po merret gjithashtu me problemin e gabuar. Pavarësisht gjithë paranojës së Moskës në lidhje me NATO-n, sfida e vërtetë strategjike e Rusisë është ngjitja e Kinës. Por, i mbërthyer në një konfrontim me perëndimin, Putini ështëshndërruar në një njeri që i lutet Pekinit, siç u bë e qartë edhe nga marrëveshja për energjinë që firmosi me Kinën në muajin maj.
Ka qenë media ruse që e ka zbutur këtë dështim të madh dhe e ka paraqitur Putinin si një hero që ngrihet kundër botës armiqësore. Dhe sondazhet tregojnë se kjo fushatë po ecën mirë për momentin.
Rreziku është që, e vetmja mënyrë për Putinin që të fshehë dështimet e tij të njëpasnjëshëm është të përkeqësojë më tej atmosferën e krizës, duke krijuar një profeci vetëpërmbushëse në të cilën Rusia gjendet vërtetë përballë një perëndimi armiqësor. Kjo politikë është e rrezikshme për botën – dhe mbi të gjitha, për vetë Rusinë. /Financial Times/
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button