Histori

Maksimilian Robespieri, revolucionari para Revolucionit Francez

Kush ishte njëri nga drejtuesit kryesorë të Revolucionit Francez? Fëmijëria e trazuar, spikatja në studime, ndikimet nga filozofët egalitarë, suksesi si avokat dhe oratoria e pashoqe, letra drejtuar Benxhamin Frenklinit. Një nga ironitë e historisë është se Roberspieri mbajti fjalimin e mirëseardhjes së mbretit në Kolegjin mbrëtëror, për ta rrëzuar 14 vite më vonë…

Screen Shot 2016-03-11 at 10.55.11

Natën e 6 majit 1758 në Arras, një qytet në rajonin Artua, në veri të Francës, u lind një fëmijë të cilin prindërit, Fransua Dërobespier, prej disa vitesh një avokat me profesion, dhe Zhaklin Karo,e  bija e një prodhuesi të pasur të birrës, të dy vendas në Arras, e quajtën Maksimilian Fransua Mari Isidor.

Familja Derobespier ose Robespier, i përkiste borgjezisë së vogël. Çifti Robespier pati edhe fëmijë të tjerë:Sharlotën, Henrietën dhe Augustin, dhe një tjetër që jetoi vetëm një ditë duke vdekur të nesërmen. Zhaklin vdiq gjatë lindjes së tij. I ve dhe i mërzitur nga vdekja e gruas së tij, Fransuaja u largua pak kohë më vonë nga Arrasi, braktisi profesionin e avokatit dhe fëmijët, të cilët ia besoi të afërmve, duke filluar të udhëtojë.

Ai u kthye në vëndlindje vetëm dy herë, ndërsa dy nga letrat e tij, në vitet 1770 dhe 1771, na informojnë se ai e ngrysi jetën në Manhajm të Gjermanisë. Vdiq në vitin 1777 në Mynih të Bavarisë, ku kishte hapur një shkollë të vogël në gjuhën franceze. Të afërmit e dërguan Maksimilianin dhe të vëllain August në Kolegjin e Arrasit, një shkollë e lirë e drejtuar nga fretërit oratorë.

Para se të shkonin në shkollë, ata kalonin një pjesë të mirë të kohës në birrarinë e gjyshit të tyre. Masksimiliani u prek nga sëmundja e lisë, e cila e la disa shenja të përhershme në fytyrë. I Pakorruptueshmi i ardhëshm qe një fëmijë i shenjuar nga dashuria për nënën e tij, i cila vdiq kur ai ishte vetëm 6-vjeç, dhe dashuri-urrejtja për babain e tij, i cili e kishte braktisur familjen, duke e vazhduar jetën e tij jashtë modeleve të kohës.

Kjo ndjenjë e dyfishtë, jo plotësisht e ndarë nga e para, e nxiti Maksimilianin të ndërtonte një model të saktë dhe të rreptë sjelljeje për t’u përballuar me jetën, pranuar nga të tjerët dhe në të njëjtën kohë duke harruar kujtimin e babait të tij, për të bindur veten dhe të tjerët se qe një shembull i përkryer dhe pa asnjë faj mbi supe.

Kishte gati një lloj harmonie ndërmjet të karakterit të Robespierit, dhe mënyrës së tij të jetesës nga njëra anë dhe peizazheve natyrore të Artuasë dhe ato të krijuara nga njeriu në Arras në anën tjetër:e para përbëhej nga qiej të zymtë, nga rrjedha uji të qeta dhe fusha pothuajse të shkretuara të përshkruara nga rrugët e gjata e të drejta, të veshura me pemë të bukura; edhe e dyta me lagjet gjeometrike të shtëpive të të pasurve dhe ato popullore të larta e të heshtura, me shumë qendra të mëdha ushtarake, ndërtesa të zymta dhe kisha të rrepta, simbolet e pushtetit politik dhe autoritetit gjyqësor dhe kishtar, që dominonin një qytet të devotshëm e të përkushtuar ndaj profesioneve ligjore, artizanatit dhe aktiviteteve bujqësore.

Mbi fëmijërinë e Maksimilianit, kemi dy dëshmi të veçanta:atë të së motrës Sharlot dhe abatit Proja, zëvendësdrejtor i Kolegjit Luigji i Madh në Paris, ku Maksimiliani mësoi dhe jetoi për 11 vjet më rradhë. Ato janë diametralisht të kundërta. Për të motrën, Maksimiliani “ishte i qeshur nga natyra, dinte të bënte shaka dhe nganjëherë qeshte me lot; ishte i sjellshëm dhe i butë në karakter, çka e bëri atë të dashur nga të gjithë.

Por për abatin Proja Roberspieri “nuk qeshte kurrë, dhe buzëqeshte shumë rrallë”. “Ai ishte i paaftë për ndjenjat e miqësisë dhe nuk kishte asnjë shok të vetëm. Me vëllain dhe motrat e tij sillet ashpër si një tiran. Karakteri tij dhe stili i jetës, e mbajtën krejtësisht të veçuar nga gratë”. Gjatë viteve të kaluara në kolegjin parizian, ai u njoh me dy nga figurat e njohura të

revolucionit të mëvonshëm Kamil Dëmulën dhe Zhorzh Zhak Danton. Ky i fundit, e përshkruante asokohe Maksimilianin si ”aspak simpatik, të konsumuar nga krenaria intelektuale, të zymtë, gjaknxehtë dhe xheloz për suksesin e të tjerëve”.

Maksimiliani që sigurisht një nxënës shumë i mirë, gjithmonë ndër të parët për inteligjencë dhe disiplinë, aq sa abati Projar kujtonte se “ai e vendosi gjithë interesin e tij tek studimi, duke lënë pas dorë gjithçka tjetër, studimi ishte Perëndia e tij!” Djaloshi nga Arrasi qe i hipnotizuar nga klasikët grekë dhe latinë, përmes të cilëve mësoi historinë e lashtë:në veçanti leximi i “Jetë paralele” i Plutarkut dhe veprat e Ciceronit, Virgjilit, Tit Livit dhe Tacitit i mundësuan të forcojë aftësitë e tij oratorike, dhe e bërë njëherazi një admirues të zjarrtë të virtyteve të lashtë dhe historisë republikane të Romës, kaq të largëta nga regjimet absolutiste dhe zakonet e shekullit XVIII.

Abati Hervo, profesor i retorikës, mbeti i impresionuar nga hijeshia, fuqia shprehëse dhe përmbajtja e fortë etike si e eseve të tij ashtu edhe prezantimet me gojë të tyre, aq sa i vuri nofkën Romaku. Elokuenca e Maksimilianit nuk ishte asgjë tjetër veçse rezultat i bashkimit të dhuntisë natyrore dhe artit të fituar.

Në vitin 1775, i riu nga Arrasi u përzgjodh për të lexuar fjalimin e mirëseardhjes ndaj Mbretit Luigjit të XVI dhe mbretëreshës Maria Antuaneta në Kolegj, pas ceremoninë së kurorëzimit në Reims. Duket se të dy sovranët, të mbyllur në një karrocë për shkak të shiut, e braktisur nën rreshjet e furishme djaloshin që sapo kishte mbaruar fjalën, gjithësesi pasi shprehën kënaqësinë e tyre.

Në vitet që pasuan, Maksimiliani fitoi 3 çmime të dyta në konkurse të ndryshme letrare të organizuara nga Kolegji. Në formimin e tij intelektual, ishte thellësisht i impresionuar nga tezat e Gabriel Dë Mablisë dhe sidomos nga mendimi i filozofit Zhan Zhak Ruso, veprat e të cilit, “Heloiza e Re”, “Emilio” dhe ndoshta edhe “Kontrata Sociale”, qarkullonin me një “farë lirie” në këtë institucion arsimor.

Nga Mabli një mendimtar modest i shekullit XVIII, Maksimiliani huazoi idenë se prona private është e papajtueshme me barazinë sociale; ndërsa nga Ruso disa koncepte të rëndësishme: natyra e ka krijuar njeriun e mirë dhe të lumtur, ndërsa shoqërisë e ka prishur atë; se pabarazitë sociale janë në rrënjë të çdo të keqeje; kontrata sociale është i vetmi mjet që mundëson mbrojtjen e individit dhe pronës së tij, për të siguruar barazinë dhe mirëqenien sociale të individit dhe t’i sigurojë të njëjtën liri.

Maksimiliani ndoshta e takoi apo thjesht e pa Rusoin nga afër në vitin 1778, kur edhe filozofi u nda nga jeta në Gjenevë të Zvicrës. Maksimiliani mendoi të bëhet avokat, duke vazhduar kështu traditën e familjes. Ai filloi studimet e larta në tetor 1779, duke u angazhuar në të njëjtën kohë në një studio ligjore pariziane si praktikant. Ai e përfundoi kursin universitar pas 2 vitesh, dhe në vjeshtën e vitit 1781 u rikthye në Arras.

I ndihmuar nga disa personalitete të shquara atje, Robespieri filloi karrieren si avokat duke mbrojtur çështje të ndryshme. Falë aftësive dhe angazhimit, ai arriti të krijojë një klientelë të gjerë duke korrur sukses në Gjykatën e Arrasit:në vitin 1782 përfaqësoi 13 çështje, duke fituar 7 prej tyre; në 1783-shin, fitoi 20 nga 21 çështje; dhe në 1784 fitoi 12 nga 13 çështje. Fama e tij u rrit në mënyrë të konsiderueshme. Dëshmi e kësaj është një letër nga një avokat nga Arrasi i cili i shkruan një kolegut të tij në Paris:”Nuk ka asgjë të re në qytet, përveç se një njeriu të quajtur Robespier (…) ai bëri debutimin e tij këtu, menjë rast të famshëm që e mbrojti në 3 seanca për të trembur cilindo që mendon të ndjekë të njëjtën karrierë”.

Viti 1783 qe vendimtar për karrierën e Roberspierit. Në sajë të miqësisë së tij me Antuan Zhozef Buisa, një avokat tjetër i Arrasit, shkencëtar amator dhe lexues i apasionuar i Enciklopedisë, ai mori në fakt në mbrojtje Sharl-Dominik dë Viseri dë Bua -Val, i akuzuar se kishte instaluar në çatinë e shtëpisë së tij një rrufepritëse gjigante.

Nga frika se mos pajisja i devijonte rrufetë në shtëpitë e tyre, fqinjët kishin arritur të merrnin nga Gjykata një urdhër për ta çmotuar atë, por Viseri e apeloi çështjen në Këshillit të Lartë të Artuasë dhe ia besoi mbrojtjen Buisarit, i cili përpiloi një raport të shkëelqyer falë të cilit Maksimiliani arriti ta pezullojë atë urdhër.

Argumentet e tij ishin të gjithë të një natyre filozofike, aq sa kjo çështje u shndërrua në një kryqëzatë të Iluminizmit kundër obskurantizmit dhe injorancës. “Zotërinj, ju duhet të mbroni Shkencën. Fakti që e gjithë Evropa ka kthyer vëmendjen  ndaj kësaj çështje të debatuar këtu, do të bëjë që vendimi juaj të fitojë një famë më të gjerë… Parisi, Londra, Berlini, Stokholmi, Torino, Shën Petersburgu do të jenë të vetëdijshëm në të njëjtën kohë mbi Arrasin dhe këtë shenjë diturisë dhe “entuziazmit juaj mbi progresin shkencor”.

Suksesi e nxiti Roberspierin t’i dërgonte një letër Benxhamin Frenklinit, për shkak se ai e kuptoi se, në fund të fundit, me Bua-Valin kishte mbrojtur një nga shpikjet më të famshme e gjeniale amerikane:”Dëshira për të ndihmuar në çrrënjosjen e paragjykimeve që pengojnë progresin në rajonin tonë, më frymëzoi mua të shtyp fjalimin që mbajta para Gjykatës. Unë guxoj të shpresoj zotëri që me mirësi do të pranoni një kopje…”.

Robespieri Maximilien do të kishte mbetur një avokat provincial, nëse situata politike, ligjore, sociale dhe ekonomike e Francës nuk do  kishte shpërthyer me zë të lartë në vitin fatal 1789, viti i shumënjohur i Revolucionit Francez. Sa për jetën private, vitet studentore të një jete boheme, ia lanë vendin një jetë të përkorë e të organizuar në një mënyrë shumë strikte.

Pavarësisht nga numri i madh i klientëve, Robespieri nuk drejtonte një studio ligjore me të ardhura të mëdha, dhe kjo për dy arsye: së pari sepse ai qe në fakt avokati i të varfërve; së dyti, sepse sikurse është vënë re tek fjalimet e tij, ai kritikonte haptazi regjimin e privilegjit që rregullonte jetën politike, juridike, sociale dhe ekonomike të Francës së asaj epoke.

Maksimilian Robespieri nuk nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë, ndërsa pati lidhje me disa gra në Arras dhe Paris.

Marrë me shkurtime nga StoriaIn – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button