Histori

MAKTHI I ROMES / Atila, Mbreti i Hunëve, që sfidoi Perandorinë

Në shekullin V, një njeri i vetëm arriti të mbajë nën kontroll të gjithë Europën: pushtoi perandorinë romake, duke mbjellë vdekje e shkatërrim, dhe përparoi pothuajse deri në dyert e qytetit të përjetshëm. Dhe gjithcka për dorën e një princeshe. Ai njeri ishte Attila, mbreti karizmatik i hunëve

Rosa Sanz Serano

Attila

“Furia e verbër e një njeriu të vetëm provokoi shkatërrimin e popujve të pafund dhe kapricoja e një mbreti arrogant asgjësoi në një moment të vetëm atë që natyra kishte krijuar për shekuj të tërë”. Kështu, historiani bizantin Giordani (shekulli VI) komentonte bëmat e përgjakshme të Atilës, mbret i hunëve, i ripagëzuar nga tradita kristiane si “kamzhiku i Zotit”. Popull me origjinë të panjohur, hunët identifikohen nga disa historianë të shekullit XVIII me pasardhësit e frikëndjellësve Xiongnu për të cilët flasin burimet kinezë, një konfederatë nomade e fiseve të Azisë qendrore. Të dhënat e para historike të dokumentuara për hunët i përkasin shekullit IV dhe e shohin origjinën e tyre në stepat e Mongolisë. Duke u shtyrë gjithmonë në jug dhe në lindje, ky popull luftëtar nomad hyri në rrugën e përplasjes me perandorinë romake të Lindjes dhe Perëndimit, duke nënshtruar popullsitë e tjera barbare që ndeshte gjatë marshimit të vet.

Mbretëria e hunëve arriti pra që të shtrihet nga lumi Vollga në Danub dhe nga Deti Balltik në Detin e Zi. Për egërsinë dhe përcmimin ndaj jetës që demonstronin në fushat e betejës, hunët konsideroheshin një farë e egër nga bashkëkohësit e tyre, sic e tregojnë rrëfimet historikë të latinëve si Ammiano Marcellino, Zosimo dhe Giordani, që kanë jetuar mes shekujve IV dhe V. Përshkruheshin si të ndryshueshëm, jobesnikë, të etur për flori dhe tmerrësisht mizorë, ushqeheshin me rrënjë bimësh dhe mish të gjallë, visheshin me lëkurë dhish apo cjepërish dhe nuk kishin një fe. Megjithatë, hunëve u njihej për meritë një aftësi e jashtëzakonshme në luftë, për të cilën stërviteshin që në fëmijëri.

Tek “Panegirico ad Antemio”, perandor i Perëndiit nga 467 deri në 472, poeti dhe peshkopi romak Sidonio Apollinare nënvizon tiparet fizike tipike të hunëve, si koka e zgjatur dhe sytë e hollë të mësuar që të mbështillnin hapësira të mëdha me shikimin e tyre. Sidonio shton: “Që kur lindin meshkujve u lidhet një fashë në hundë me qëllim që të pengohet rritja e saj, kjo në mënyrë që hunda të mos kalojë mbrojtjen e përkrenares; deri në këtë pikë dashuria e nënës deformon fëmijët e lindur për të luftuar. Pjesa tjetër e trupit është e pashme tek burrat: gjoks të gjerë, shpatulla të mëdha”.

Apollinare ishte i magjepsur prej aftësive të tyre në kalërim: “Që kur fëmijët hedhn hapat e parë, një kalë u ofrohet: mund të mendosh që pothuajse kurrizi i kafshës përshtatet me shalët e atij që e kalëron, aq shumë janë të bashkuar. Mbajnë në krahë harqe: dora e tyre është e frikshme dhe e sigurtë”.

Në fillimet e shekullit V u konsolidua një mbretëri e hunëve, falë punës së mbretit Rua, i cili e udhëhoqi së bashku me vëllezërit e tij Oktar dhe Mundiuk. Këta u pasuan në 434 nga Bleda dhe Atila (406-453), bij të Mundiukut. Megjithatë, rreth vitit 445 Bleda gjeti vdekjen, ndoshta i vrarë nga vëllai, që mbeti mbreti i vetëm.

Kreu i ri i hunëve kishte njohur botën romake kur, ende në moshë të adoleshencës, ishte dërguar në Ravenë, atëherë kryeqytet i Perandorisë së Perëndimit, si “peng i rangut të lartë” në vijim të një marrëveshje paqeje të lidhur mes xhaxhait të tij, Rua dhe Perandorisë. Në atë qytet Atila kish mësuar latinishten dhe ishte bërë dëshmitar i drejtpërdrejtë i korruptimit të madh në sferat e larta, gjë që frymëzoi edhe përcmimin e tij për Romën.

Me të arritur në kulmin e pushtetit, Atila e vendosi oborrin e tij në rajonin e lashtë të Panonias, në stepat e sotme hungareze, në brigjet e lumit Tibisk. Ai vendbanim ishte në të vërtetë shumë i ndryshëm nga vendi i egër që përshkruhet prej shumë historianëve latinë, të cilët në fakt nuk e panë asnjëherë. Edhe në këtë rast, ashtu si në shumë rrëfime mbi hunët, historiografia tradicionale ushqente klishetë sipas të cilave populli i Atilëve ishte barbar dhe jo civil i krahasuar me romakët. Për këtë arsye është shumë e vyer dëshmia e drejtpërdrejtë e historianit bizantin Prisco di Panion, biografi më i rëndësishëm i Atilës. Në vitin 449 ai u vendos pranë mbretit hun si ambasador i Perandorit të Lindjes, Theodhosi II, duke lënë pas rrëfimin e tij për një vendbanim të formuar nga mure të fortë dhe ndërtesa të drunjta, ashtu sikurse dhe për një pallat mbretëror me një dysheme të mbuluar me gurë të zbukuruar, ku ai ishte mysafir në një banket të mrekullueshëm.

Aleanca e brishtë me Perandorinë

Prestigji në rritje i hunëve bëri që disa perandorë dhe gjeneralë romakë të drejtoheshin nga ata si mercenarë për të shtypur popuj të tjerë barbarë. Ndër më të aftët që menaxhonin këtë politikë delikate aleancash ishte gjenerali romak Flavio Encio (390-454), me origjinë barbare, i cili në moshë të re kishte jetuar pranë hunëve si peng dhe, përvecse u njihte zakonet, kishte me ta marrëdhënie miqësore. Megjitatë, bashkëpunimi ushtarak me Romën nuk ofrohej falas: Atila siguronte në shkëmbim tribute shumë të mëdhenj. Marrëdhëniet me perandorinë nisën të prishen kur pretendimet e tij u bënë shumë të tepruar dhe u bë e qartë që, përvec parave, ai synonte edhe zotërime të qëndrueshëm mbi të cilët të mbretëronte, duke arritur deri aty sa të paguante popujt e nënshtruar për të garantuar besnikërinë e tyre dhe duke rënë ndesh në këtë mënyrë, me politikën e Romës.

Situata u përkeqësua pas zbulimit, në vitin 449, të një komploti për të vrarë mbretin hun, i organizuar nga Perandori i Lindjes, Theodhosi II. Pak pas kësaj, pasardhësi i këtij të fundit, ushtaraki nga Trakia Marciano, refuzoi që t’u paguante hunëve haracet e kërkuar. I vetëdijshëm për pamundësinë për të sulmuar Kostandinopojën, Atila vendosi atëherë që të niset për pushtimin e perandorisë së Perëndimit, duke shfrytëzuar një pretekst të vecantë: duke shpallur pretendimin e motrës së perandorit për të qenë pasardhëse e kuriorës. Për të kuptuar pretendimin e Atilës duhet shkuar pas në kohë, në vitin 410, kur Visigotët e Alarikos sulmuan Romën dhe morën peng Galla Placidian, motër e Onorios dhe Arkadios, perandorët e parë, respektivisht, të perandorisë romake të Perëndimit dhe të Lindjes. Placidia u martua në vitin 414 me pasardhësin e Alarikos, Ataulfon, i cili vdiq pak kohë më pas. Princesha u kthye atëherë në oborrin e Ravenës, ku u detyrua të martohet me një gjeneral të Onorios. Nga martesa lindën Onoria dhe perandori i ardhshëm i Perëndimit, Valentiniano III. Në vitin 437, Valentiniano e privoi motrën Onoria nga titulli i augusta-s, që do i kish mundësuar asaj t’i transmetonte perandorinë bijve të saj meshkuj, gjë të cilës i frikësohej jo pak Valentiniano, i cili kish vetëm vajza nga martesa e tij.

Konflikti vëlla e motër u acarua kur Perandori zbuloi një marrëdhënie mes motrës dhe një funksionari të oborrit. Valentiniano urdhëroi vrasjen e oborrtarit dhe detyroi Onorian, që ishte shtatzënë, të martohej me Basso Ercolanon, një senator i moshuar dhe besnik i Kostandinopojës. Situata u ndërlikua kur Onoria i bëri thirrje njeriut më të fuqishëm jashtë perandorisë. Princesha dërgoi në fakt tek Atila eunukun e saj, Giacinto me një shumë të madhe parash dhe me një letër, me anë të së cilës i kërkonte ndihmë për t’u shkëputur nga martesa si dhe për të rikthyer të drejtën e saj kundër vëllait.

Ambasadore kishte me vete unazën perandorake të Onorias, si provë e vërtetësisë së mesazhit. Atila e interpretoi atë shenjë, apo ndoshta e përdori si pretekst, si një premtim për martesë nga ana e Onorias. Një rast i tillë justifikonte në sytë e tij një fushatë kundër Perandorisë për të cliruar Onorian, që e konsideronte tashmë kandidate për bashkëshorte dhe në të njëjtën kohë të luftonte për të drejtën e saj për gjysmën e perandorisë romake të perëndimit.

Përballë refuzimit të Valentinianos për të kënaqur kërkesat e tij, Atila kaloi Renin në drejtim të Galisë për t’u shkëputur visigotëve provincat e pretenduara. Përparimi i tij mbolli vekje dhe shkatërrim në shumë qytete, mes të cilëve Magonza, Treviri, Uorms, dhe Këln. Ezio nuk mundi ta shmangte përplasjen. Aleatët e vjetër gjendeshin njëri përballë tjetrit në 20 qershor të vitit 451 pranë fushave Katalaunike, Chalons-de-Champagne e sotme, në Francën verilindore.

Barbarët ishin protagonistë të betejës në të gjithë anët. Me Ezion ishin bashkuar në fakt visigotët e Teodorikos dhe kontigjente më të vegjël të burgundëve, frankëve, saksonëve, alanëve dhe armorikanëve. Në radhët e Atilës ishin fise të ndryshëm gjermanikë, mes të cilëve ostrogotët e Valamiros, Gepidët e Ardarikos, shirët, rugët, erulët dhe turingët.

Krerët e të dy ushtrive dolën të paprekur nga beteja, në të cilën në fakt humbi jetën Teodoriko. Giordani rrëfen se fitorja iu atribua Ezios, që pa hunët t ktheheshin në vendfushimin e tyre. Gjenerali romak megjithatë lejoi që hunët të tërhiqeshin, pasi druhej se humbja e tyre do të conte visigotët në një pozicion supremacie, që do u jepte më pas kurajë që të rebeloheshin kundër autoritetit të Romës.

Një xhesti të tillë mëshire Atila iu përgjigj me pushtimin e Italisë, në 452, gjithmonë duke përdorur thirrjen e Onorias. Gjatë marshimit të tij, “kamzhiku i Zotit” la pas gjurmën e zakonshme të shkatërrimit, duke rrafshuar, mes qyteteve të tjerë, edhe Padovën, Akuileian, Veronën dhe duke kërcënuar me pushtim Romën. Përparimi i Atilës u ndal prej Papës Leoni I që pranë Mantovës, e bindi që të tërhiqej. Ndoshta papa i ofroi një shumë të majme, por në vendimin e kreut të hunëve duhet të ketë ndikuar edhe epidemia e tmerrshme e murtajës që po përgjysmonte ushtrinë e tij. Mbreti supersticioz, druhej se mos duhej ta paguante me jetën e tij marrjen e Romës, sic i kish ndodhur Alarikos menjëherë pas marrjes së kryeqytetit. Cilatdo të kenë qenë motivet e tij, Atila mori rrugën e kthimit drejt Danubit, duke u dhënë fund betejave të përgjakshme që për vite të tërë kishin bërë që Perandoria të mbante frymën.

Megjithatë, një fat tragjik i priste luftëtarët e fushave katalaunike. Atila vdiq në vitin 453, në pallatin e tij, prej një helmimi që e mbyti në natën e parë të martesës me gjermanen Ildiko dhe luftërat mes bijve të tij i vunë vulën fundit të mbretërisë hune. Ndërsa Ezio ishte viktimë e intrigave të oborrit: në vitin 454 u vra nga Valentiniano III, i cili e shpërbleu në këtë mënyrë mbrojtësin e perandorisë së tij. Për vdekjen e Ezios, “i fundmi i romakëve”, u hakmorën ushtarët e tij që vranë Valentinianon në Campo di Marte./Focus/

www.bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button