Analiza

MALI I ZI / Në parajsën e rusëve

Marcin Żyła
Tygodnik Powszechny, Poloni

* Investime, turistë, marrëdhënie politike shumë të ngushta dhe pak transparente. Moska dhe Podgorica janë të lidhura me një miqësi shekullore. Por sot, Mali i Zi dëshiron të afrohet me Europën dhe të çlirohet nga ndikimi i Kremlinit

* Rrëfimet e turistëve me pushime, apo ata të qytetarëve rusë që kanë zgjedhur këtë vend ballkanik si shtëpi të dytë nuk ofrojnë gjithësesi një panoramë shteruese të “Malit të Zi rus”. Qeveria e Podgoricës, filoperëndimore dhe që synon të fusë vendin në Bashkimin Europian dhe në NATO, sot gjendet përballë një problemi jo të vogël: ndikimin që ushtrojnë oligarkët rusë në politikën e brendshme. Sipas një raporti të kohëve të fundit, të paktën 40 përqind e pronave të paluajtshme në bregdet janë në pronësi të nënshtetasve rusë, në pjesën më të madhe politikanë dhe biznesmenë

Monte 1Zbritja me avion në Mal të Zi është një aventurë. Por edhe një leksion gjeografie. Avioni e nis zbritjen duke fluturuar mbi një pllajë shkëmbore, më pas manovron mbi njërin prej gjireve më të bukur të Adriatikut dhe pak momente më vonë kalon sërish mes maleve. Pista e zbritjes ndodhet në fundin e luginës dhe pilotët e ulin mjetin fluturues në diagonale, duke e korrigjuar trajektoren vetëm pak çaste para se të prekin tokën. Cdo ditë në aeroportin e Tivarit, që kontrollon trafikun ajror të brigjeve malajzezë, ulen afro 15 Boeingë.  Mbi të gjitha nga Rusia. Në dalje të terminalit, pasagjerët përballen menjëherë me reklama ruse. Nëpër kioska blejnë gazeta ruse. Dhe mbrëmjeve dëfrehen në lokalet e bregdetit, nën ritmin e muzikës ruse.
Mali i Zi është parajsa e rusëve mbi Adriatik. Ky vend, që ka një popullsi prej afro 650 mijë banorësh, pret çdo vit 180 mijë turistë rusë që vijnë nga Moska dhe Shën Petërsburgu, të cilët për shkak të stilit të jetesës së vendasve, ku spontaniteti mesdhetar i bashkohet kulturës ortodokse, ndihen në të njëjtën kohë me pushime, dhe në shtëpi.
Nadia është nga Moska, një prej afro shtatë mijë rusëve që jetojnë këtu. Ka hapur një shkollë ruse në një zonë bregdetare, më të frekuentuarën në vend, në Budva. Sapo ka mbërritur në brigjet e Adriatikut, rrëfen ajo, ka mësuar menjëherë fjalën “polako”, që në gjuhën malazeze do të thotë “ngadalë”, “me qetësi”, e që përsëritet shpesh si formulë rituale gjatë takimeve me mysafirët neurotikë që vijnë nga qytetet e mëdhenj. Kjo fjalë, dhe ritmi i ngadaltë i jetës së detit e kanë marrosur dhe bindur të transferohet këtu. Në vitin 2011 bëri një përpjekje që të rikthehet në Moskë, por, siç thotë sot, nuk mundi të ripërshtatet me rrugët e bllokuara prej trafikut dhe furinë metropolitane.
Një tjetër imigrant i ardhur nga Rusia, Konstantini, rendit me një frymë arsyet që e kanë bërë të transferohet në Malin e Zi. “Moska ka një përqindje kriminaliteti më të lartë se sa ajo e Meksikos. Të vetmet produkte që kanë një treg të mirë janë cigaret, vodka dhe havjari. Dhe sapo fillon të kesh fitime të mirë, tek dera vijnë e të trokasin zotërinjtë e shërbimeve specialë”. Konstantinit, që është programues, këtu në Adriatik i mungon vetëm një gjë: lidhja e shpejtë në internet.
Të mbrojtur nga malet
Rrëfimet e turistëve me pushime, apo ata të qytetarëve rusë që kanë zgjedhur këtë vend ballkanik si shtëpi të dytë nuk ofrojnë gjithësesi një panoramë shteruese të “Malit të Zi rus”. Qeveria e Podgoricës, filoperëndimore dhe që synon të fusë vendin në Bashkimin Europian dhe në NATO, sot gjendet përballë një problemi jo të vogël: ndikimin që ushtrojnë oligarkët rusë në politikën e brendshme. Sipas një raporti të kohëve të fundit, të paktën 40 përqind e pronave të paluajtshme në bregdet janë në pronësi të nënshtetasve rusë, në pjesën më të madhe politikanë dhe biznesmenë. Për të huajt që duan të banojnë në Malin e Zi, gjëja më e lehtë që mund të bëjnë është të hapin një biznes në këtë vend. Kjo shpjegon, veç të tjerash, përse një e treta e ekonomisë së Malit të Zi kontrollohet nga kompani me kapital rus. Deri tani, sipërmarrësit rusë kanë investuar këtu 2 miliardë Euro.
Megjithatë, Moska ndjek me një shqetësim në rritje aspiratat filoperëndimore të këtij vendi të vogël ballkanik. Në të njëjtën kohë, Brukseli vazhdon të kërkojë hetime për korrupsionin dhe parregullsitë gjatë privatizimeve të viteve të fundit, ku kanë marë pjesë shumë biznesmenë të lidhur me Kremlinin. Ambasadori rus në Podgoricë ka mbërritur deri aty sa të akuzojë malazezët se e kanë kujtesën të shkurtër, duke u kujtuar mbështetjen politike që kanë marrë në të kaluarën nga Rusia.
Në fakt, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Malit të Zi i kanë rrënjët të thella, që në kohën e Pjetrit të Madh. Mali i Zi, një sjtet i vogël i mbrojtur nga malet, në vitet shtatëqind ishte një prej fortesave kryesore të rezistencës kundër perandorisë osmane. Pikërisht në atë periudhë malazezët fituan famën e luftëtarëve kurajozë, të pamposhtur dhe këmbëngulës, dhe kur Moska filloi t’i furnizojë me armë për interesat e saj politikë. Ndjenjat e vëllazërisë mes dy popujve që lindën në ata vite dhe që u forcuan më vonë prej ideologjisë së pansllavizmit i rezistuan provës së kohës. Në fundin e viteve nëntëdhjetë të shekullit që kaloi, kur Mali i Zi ishte ende i bashkuar me Serbinë e Sllobodan Millosheviçit, aleati i tij më besnik ishte gjithmonë Rusia. Pikërisht në ata vite, rusët investuan në prona ta paluajtshme në brigjet e Adriatikut. Kështu, ndërkohë që vendi po rimerrte veten nga trauma e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, morën formë pasuritë e para të oligarkëve të rinj. Trualli kushtonte ende relativisht pak, dhe pikërisht këtu lindi miti të të pasurve të rinj rusë.
Por sot, konflikti në Ukrainë po i vë autoritetet malazeze në një situatë të vështirë. Mbështetja popullore për anëtarësimin në NATO është rritur (sipas një sondazhi, 46% e popullsisë është në favor) dhe që kur në vitin 2013, Kroacia fqinjë u bë anëtare e BE-së, edhe procesi i integrimit me Brukselin ka njohur një përshpejtim. Sot, Mali i Zi dhe Kroacia konkurojnë për turistët që vizitojnë brigjet lindore të Adriatikut.
Nga ana tjetër, varësia ekonomike e Podgoricës nga Rusia i bën të druhen se Kremlini mund të pengojë afrimin e saj me Perëndimin. Lobi filorus mbështetet, veç të tjerash, nga partitë e opozitës që janë kundër anëtarësimit në NATO, nga kisha konservatore ortodokse serbe, e cila përfshin kishën lokale (e njohur si Metropolite e Malit të Zi dhe bregdetit) si dhe nga disa organizata joqeveritare. Pavarësisht kundërshtimit të tyre, në mars qeveria e Podgoricës vendosi të miratojë paketën e sanksioneve kundër Moskës që u kërkua prej Brukselit, duke marrë kështu një qëndrim krejt të ndryshëm nga ai i Serbisë që, ndonëse aspiron për anëtarësim në Bashkimin Europian, refuzoi të marrë masa kundër Moskës.
“Përse ne duhet të pushojmë së shituri luleshtrydhe Rusisë, kur francezët vazhdojnë t’i shesin asaj anije lufte?”, pyeste shtypi i Beogradit. Në atë rast, qeveria e Podgoricës i bëri thirrje perëndimit që të përshpejtojë edhe procesin e anëtarësimit në NATO, që deri në vitin 2015 duhet të vendosë nëse do të pranojë kandidaturën e Malit të Zi.
Ndaj këtyre lëvizjeve, Moska ka reaguar me nervozizëm: ka deklaruar se do të shfuqizonte privilegjet tregtarë që i ka akorduar Podgoricës dhe që do të rivendoste vizat hyrëse për nënshtetasit malazezë. Janë vite kur Rusia përpiqet të mbajë rajonin nën sferën e saj të influencës. Dhe pas vështirësive në realizimin e projektit të saj më ambicioz – ndërtimin e gazsjellësit Southstream, që duhej të çonte gazin rus në Europë pa kaluar nga Ukraina – Kremlini ka rivënë në punë makinerinë e propagandës.
Korrupsion dhe ideologji
Pak kohë më parë, të përditshmet rusë kanë cituar një raport të hartuar nga një universitet i Moskës me titullin: “Mali i Zi: çmimi i integrimit”. Nga studimi del që në dekadën e ardhshme afrimi me Brukselin do i kushtojë vendit të vogël ballkanik 1.5 miliardë dollarë. Autorët shkruajnë që, me pretekstin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeveria e Podgoricës po vazhdon të mbyllë sipërmarrjet ruse, ndërkohë që autoritetet fiskalë angazhohen me një zell të tepruar kundër pronave të rusëve.
Raporti ka vënë në fokus një prej problemeve më të rëndësishëm: lufta kundër korrupsionit rrezikon të kompromentojë ndikimin që Kremlini ushtron mbi Malin e Zi. Biznesmenët dhe oligarkët rusë, shpesh herë në bashkëpunim me shërbimet e fshehtë, akuzohen se korruptojnë politikanët vendas. Lidhjet e tyre të paqarta me pushtetin kanë ngjallur shpesh herë dyshimet e gazetarëve dhe organizatave joqeveritare.
Sigurisht, Moska nuk do të arrijë të pengojë Malin e Zi që të afrohet me Perëndimin. Sipas shumë analistëve vendas, ka analogji të mëdha mes paralajmërimeve që bëjnë sot rusët dhe mënyrës së punës të Cominformit, Zyra e Informacionit e partive komuniste, aktive në vitet dyzetë dhe pesëdhjetë, e cila shërbente për t’i garantuar Rusisë së Stalinit një rol udhëheqës në brendësi të botës komuniste.
Në ata vite, Bashkimi Sovjetik kërcënonte të pushtonte me ushtri Jugosllavinë. Në Ballkan, lufta e ftohtë kujtohet mbi të gjitha për artin e manovrimit me shkathtësi mes pritshmërive të lindjes dhe perëndimit, që binin ndesh mes tyre. Megjithatë, sot gjithnjë e më shpesh thuhet se Kremlinit i është dashur një herë të braktisë ëndrrën e vendosjes së dominimit të tij në këtë rajon. “I qëndruam Stalinit, do i rezistojmë edhe Putinit”, thonë malazezët.
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button