Histori

Marrëzi koloniale, vetëvrasje europiane

Adam Hochschild*

Marrwzi koloniale, vetwvrasje europianeSi sot njëqind vjet më parë, artileria dhe anijet luftarake austriake në Danub nisën të godasin Serbinë – ishin goditjet e para të kataklizmës së madhe që në katër vitet e gjysmë që pasuan do të përkeqësonin botën tonë, në çdo drejtim. Ne e mendojmë Luftën e Parë Botërore sikur i ka patur shkaqet në Europë, aty ku do të ndodhte gjakderdhja dhe shkatërrimi më i madh. Por disa prej iluzioneve që shtynë fuqitë e mëdha në luftë i kishin rrënjët e tyre në skajet e largët të botës.
Iluzioni më i madh, sigurisht, ishte që fitorja do të ishte e shpejtë dhe e lehtë. “Do të ktheheni në shtëpi”, u tha trupave të tij Kaizeri Vilhelmi II, “përpara se gjethet të bien nga pemët”. Plani gjerman i luftës parashikonte që Franca do të mposhtej brenda 42 ditëve. Aleatët nuk ishin kaq arrogantë, por kishin besim se triumfi do të vinte brenda pak muajve, dhe jo viteve.
Një iluzion i dytë i atyre që marshonin me krenari drejt betejës në 1914-ën është se do të qëllonin armikun, por që ky i fundit nuk do të kundërpërgjigjej, ose të paktën jo me fektivitet. SI mund të shpjegohet ndryshe që shumica e ushtarëve të të dy palëve nuk kishin helmeta metalike? Dhe që miliona ushtarë të këmbësorisë franeze, ashtu si edhe kavaleria austriake, mbanin veshur uniforma të shkëlqyeshme ngjyrë të kuqe dhe blu? Me fillimin e luftës, trupat nga të dy palët përparuan masivisht në fushë të hapur, a thua nuk po përballeshin me pushkë dhe automatikë: francezë me bajoneta dhe radhë ushtarësh të rinj gjermanë që ecnin drejt ushtarëve të shastisur britanikë me armët e lidhura pas trupit. Britanikët do të bvënin disa marshime vetëvrasës në vitet që do të vinin.
Ku kishin lindur këta iluzione? Kjo erdhi sepse gjeneralët përzgjidhnin sipas dëshirës se nga cilët konflikte duhej të nxirrnin mësime. Një vështrim nga afër i rrethimit të Petërsburgut, në luftën civile amerikane, do të kish ofruar mësime të vyer për luftën e llogoreve – si dhe një ndjesi se çfarë do të thoshte të ndodheshe nën zjarrin e armikut nga një paraardhës i hershëm i automatikut, e ashtuquajtura arma Gatling. Një shije e ngjashme e luftës së llogoreve dhe fuqisë së automatikut do të ishte e keqe, po të studiohej rrethimi i Port Arturit (Kinë) gjatë luftës ruso-japoneze të viteve 1904-1905.
Por burrat që udhëhoqën Europën drejt Luftës së Parë Botërore e panë më të volitshme të shihnin gjetkë – në betejat ku fitorja ishte e shpejtë dhe armiku kishte fuqi zjarri të pakët. Në vitin 1914, Europa nuk kishte patur një luftë të madhe prej më shumë se 40 vitesh dhe, përveçse për rusët, pothuajse të gjithë oficerët që kishin marrë pjesë vetë në luftime, e kishin fituar këtë përvojë në luftërat koloniale në Afrikë dhe Azi.
Erich von Falkenhayn, për shembull, kreu i Shtabit gjerman për dy vitet e parë të luftës, kishte qenë në forcën ndërkombëtare që shtypi rebelimin antiperëndimor të Boxer-ëve në Kinë në 1900. Një tjetër veteran i asaj fushate – dhe në shërbime ushtarakë në Indokinë dhe Algjeri – ishte Robert Nivelle, më vonë frontin perëndimor dhe lider i ofensivës së vitit 1917 që la të vdekur apo të plagosur 120 mijë ushtarë francezë dhe shkaktoi një kryengritje. Joseph Joffre, paraardhësi i Nivelles, kishte shërbyer në Indokinë dhe Madagaskar dhe kishte udhëhequr ekspeditën nëpër Sahara për të pushtuar Timbuktunë. Shumica e gjeneralëve britanikë kishin shërbyer në koloni. Kur shpërtheu lufta, Britania kishte më shumë trupa në shërbim aktiv në Indi, se sa në ishujt britanikë.
Luftërat koloniale rrallëherë zgjasnin shumë, sepse ushtritë gjermane, franceze dhe britanike kishin pushkë moderne, automatikë si dhe artileri të lëvizshme, ashtu sikurse dhe anije me avull dhe hekurudha që mund të lëviznin sipas nevojës njerëz dhe armë. Afrikanët dhe aziatikët zakonisht nuk kishin asnjë prej këtyre gjërave.Për shembull, në vitin 1898, një sërë oficerësh britanikë (përfshirë edhe Churchillin) që më vonë do të luftonin në Europë, ishin nisur në një betejë në Omdurman, në Sudan. 50 mijë sudanezët që u dolën përballë ishin armatosur vetëm me shtiza, shpata dhe pushkë të vjetra. Brenda pak orësh, automatikët “Sir Maxim” të forcës anglo-egjiptiane goditën me gjysmë milioni plumba, duke vrarë afro 11 mijë sudanezë dhe plagosur 16 mijë të tjerë, shumë prej të cilëve fatalisht. Ajo betejë përcaktoi në më pak se një ditë fatin e luftës.Europianët ishin kaq shumë të ngazëllyer pre fuqisë së automatikëve kundër rebelëve të kolonive, saqë nuk e morën asnjëherë mundimin të bënin vetë plane kundër trupave që do të kishin po këto armë.
Një tjetër iluzion në të dy palët në vitin 1914 ishte se forca kyçe ishte kalorësia. Në fund të fundit, a nuk kish qenë shërbimi i kalorësisë një shteg drejt lavdië ushtarake për më shumë se 2 mijë vite? Në Klubin e Kalorësisë në Picadilly Circus të Londrës dhe në homologët e tij në Paris, Berlin, Shën Petërsburg dhe Vienë, oficerët parashikonin pak a shumë të njëjtën gjë. Për shembull, pushtimi fillestar i Francës dhe Belgjikës nga Gjermania përfshinte tetë divizione kalorësie me më shumë se 40 mijë kuaj – sasia më e madhe e dërguar ndonjëherë në luftë në Europën Perëndimore. Dhjetëra-mijëra kafshë të pafata u dërguan papushim në front duke përshkuar distanca të mëdha: në Lindjen e Mesme, nga Zelanda e Re, në Belgjikë nga Kanadaja, në Francë nga India.
Edhe besimi tek kalorësia buronte prej luftërave koloniale. Kalorësit britanikë kryen një sulm në Omdurman dhe e bënë këtë në mënyrë shumë më spektakolare një vit e gjysmë më vonë në një tjetër konflikt kolonial, Lufta e Boerëve. Të maskuar prej një reje gjigande pluhuri që ngrihej në ajër prej galopit të kuajve, britanikët sulmuan me sukses, pothuajse të paprekur, mespërmes forcave të Boerëve duke rrethuar qytetin e Kimberleyt, në Afrikën e Jugut. “Një epokë në historinë e kalorësisë”, shkruante London Times në atë kohë. “Një sukses i jashtëzakonshëm”, raportonte stafi i gjeneralëve gjermanë për atë betejë.
Komandanti dhe shefi i shtabit të kalorësisë që u përfshinë – atëherë miq të ngushtë, më vonë rivalë të fortë – ishin John French dhe Douglas Haig. Një dekadë e gjysmë më vonë, ata do të ishin komandantë të njëpasnjëshëm në frontin perëndimor. Ndonëse me sa duket Haig i kishte nxjerrë disa mësime për luftën e industrializuar nga kasaphana në Francë dhe Belgjikë, ai, ashtu si shumë gjeneralë të tjerë, nuk hiqte dot dorë nga iluzionet e epokës koloniale. Deri në fund, ai mbajti të gatshëm tre divizione të kalorësisë. Edhe tetë vite pas luftës, vazhdonte të lobonte për të mbajtur kalorësinë, duke shkruajtur se “aeroplanët dhe tanket ishin vetëm aksesorë të njeriut dhe të kalit”.
Asnjëri prej vëzhguesve të shumtë ushtarakë në Luftën e Boerëve nuk e vinte re që një masë e thjeshtë mbrojtëse do të kishte shpëtuar shumë viktima në rrethimin e Kimberleyt: telat me gjemba. Në Frontin Perëndimor në 1914, ai bashkë me automatikun, do të bënte namin kundër kalorësisë dhe të gjithë iluzioneve të tjerë.
* Autor i ‘Fundi i të gjithë luftërave: Një histori besnikërie dhe rebelimi, 1914-1918”

BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button