Histori

Marrëzia në pushtet: Çaushesku si Kaligula

Historia e një parku që u ndërtua brenda natës, për një tekë të diktatorit. Fiksimi se mos e helmonin, që e shtyu të dezinfektojë duart, pas takimit me Mbretëreshën Elisabetë. Si e bëri qenin kolonel, dhe si i la të vdesin në rrugë të moshuarit që zgjidhnin vetëvrasjen…

Screen Shot 2015-07-28 at 09.56.31Ndodh herë pa here që, një person me personalitetin e duhur shfaqet si për të vërtetuar se pushteti absolut korrupton absolutisht… Kaligula ishte llagapi i Gaius Cezar Germanikus, i cili, për katër vite që nga 37-41 pas Krishtit ka qenë ndoshta Perandori më i çuditshëm i Perandorisë Romake. Çaushesku ishte diktatori i “marrë” i Rumanisë që nga viti 1965, deri në përmbysjen e dhunshme dhe ekzekutimin e tij në 1989. Mund t’ju kujtohen pamjet e trupit të tij të vdekur që transmetoheshin të shoqëruara me gëzimin e papërshkrueshëm të turmave në Rumani. Ndërkohë që është e vërtetë se rumunët flasin një gjuhë e cila ngjan shumë me latinishten, Kaligula dhe Çaushesku kanë shumë më tepër të përbashkëta, se sa thjeshtë një gjuhë e vdekur. Ata ishin të dy rrezikshmërisht të çmendur, pa asnjë kufizim në pushtetin që kishin.

Në fillim të vitit 40, Kaligula marshoi me një ushtri në Gol (Francë) dhe grabiti tërësisht banorët e atjeshëm. Ai marshoi me trupat e tij në vijën bregdetare veriore të Golisë, gjë që e kish menduar si prelud i pushtimit të Britanisë, por më pas i urdhëroi që të grumbullojnë guaska deti, të cilat i konsideroi si plaçkën e oqeanit të pushtuar. Kaligula kishte manira edhe për natyrën e tij që e mendonte si hyjnore; në verën e vitit 1940, ai urdhëroi që të ngrihet një statujë e tij në Tempullin e Jeruzalemit, por pas këmbënguljes plot mirësjellje të Herod Agripas, Kaligula e shfuqizoi këtë urdhër që bartte jo pak rrezikshmëri. Popullsisë romake i kish ardhur tashmë në majë të hundës me këtë tiran të marrë dhe të paparashikueshëm… Kaligula u vra gjatë Lojërave Palatine nga Kasius Kerea, tribun i Gardës Pretoriane, Kornelius Sabinus e të tjerë. Edhe bashkëshortja e Kaligulës, Cezonia, si dhe bija e tyre, u vranë.

Historitë që thonë se ai kishte ngjitur kalin e tij të preferuar deri në rangun e Konsullit në Senat janë thjeshtë të pavërteta, por gjithësesi ofrojnë një ide për atë që njerëzit mendonin se ai ishte në gjendje të bënte. Me sa duket, marrëzia kriminale kish marrë leksione nga Kaligula, pasi Çaushesku, diktatori rumun ia kaloi në shumicën e “arritjeve” të perandorit të dikurshëm. Më poshtë, ndodhen pjesë nga Libri Gines i Gafave Historike, me autor Geofri Regan.

“Nën akuzën si i marrë: Fajtor”. Në vitin 1978 ndodhi incidenti i “gropës që nuk ishte gropë”. Në Bukuresht po ndërtohej një stacion i ri nëntokësor për metronë dhe ishte gërrmuar një gropë e madhe afro 12 mijë metra kub, në hyrje të stacionit. Megjithatë, një mëngjes, inxhinieri i ngarkuar me mbikqyrjen e projektit u shfaq në punë për të parë që… gropa ishte zhdukur. Ajo kish qenë aty një natë më parë, kur ai ishte shkuar në shtëpi në orën 7 të pasdites, por tani në vend të saj kishte pemë, stola parku dhe hapësirë e gjelbër. I tronditur më shumë se i habitur, inxhinieri së pari vuri në dyshim gjendjen e tij mendore dhe më pas pyeti një prej këshilltarëve të diktatorit se çfarë kish ndodhur. Siç u mor vesh, Çaushesku kish planifikuar që të mbante një fjalim mirëseardhjeje para studentëve të rinj të politeknikumtit të Bukureshtit… dhe donte të përdorte parkun. Kështu që, ai urdhëroi të zhdukej gropa deri pas fjalimit të tij. Gjatë gjithë natës, qindra punëtorë dhe makina punuan pa pushim për të mbuluar gropën. U shkulën pemë nga zona të tjera të qytetit i dhe u mor bar nga pjesë të tjera të parkut për të mbuluar gropën. Puna përfundoi në orën 6 të mëngjesit, 30 minuta përpara se inxhinieri të vinte.

Për akuzën Paranojak: FAJTOR. Nikolai u bë kaq paranojak ngaqë mendonte se të huajt donin t’i helmonin rrobat, apo që do të merrte një sëmundje fatale nga shtrëngimi i duarve, saqë nisi të veshë vetëm rroba të cilat kishin qenë nën mbikëqyrje në një magazinë të ndërtuar posaçërisht e madje një herë i lau duart me alkool, pasi i shtrëngoi me Mbretëreshën Elisabetë. Ai kish marrë me vete çarçafët kur ndodhej në Pallatin Bakingëm.

Për akuzën që ngriti një kafshë në nivele të lartë: FAJTOR. Çaushesku ishte disi popullor në perëndim pasi ishte një antisovjetik i palëkundur, dhe atij iu dhanë shumë dhurata prej dinjitarëve që vizitonin vendin e tij. Ndoshta më sikletosësja ishte një titull kalorësiak i dhënë nga Mbretëresha e Anglisë, i cili u revokua vetëm disa orë para ekzekutimit të tij, atëherë kur kish dalë zbuluar natyra e tmerrshme e regjimit. Mes dhuratave të tjera ishte një qen Labrador nga lideri i partisë liberale britanike, Dejvid Stil. Çaushesku ia vuri emrin qenit Korbu dhe u dashurua aq shumë pas tij, saqë qytetarët rumunë shumë shpejt nisën ta thërrasin “Shoku Korbu”.

Fatkeqësisht, Korbu u bë pjesë e botës së fantazisë së diktatorit, dhe shumë shpejt ai do të shihej tek i bënin xhiro nëpër Bukuresht me limuzinë, me grupin e tij të shoqërimit. Korbu flinte gjithmonë me Çausheskun natën. Gjatë ditës, ai flinte në Vilën 12A, e kompletuar me shtrat, pajisje luksi, televizor dhe telefon… Ambasadori rumun në Londër kishte urdhër të shkonte në Seinsbëri (një supermarket) çdo javë dhe të blinte atje biskota për qen, të cilat më pas dërgoheshin në Rumani në çantën diplomatike. Shumë shpejt, Korbusë i dhanë gradën kolonel në ushtrinë rumune. E gjithë kjo, në një vend ku të kishe makinë shkrimi ishte e paligjshme dhe e ndëshkueshme me vdekje. Për ata që mendojnë se janë histori për të kaluar me të qeshur një pasdite, le të kujtojmë se Çaushesku ia kaloi Kaligulës edhe në një tjetër gjë: përmbysjen e tij të dhunshme. Përse? Ja disa arsye.

Në një shtet ku është e mundur të ndalosh makinat e shkrimit, nuk është e habitshme të mësosh se vetëvrasja ishte e vetmja formë shpehjeje e lejuar nga regjimi. Kur qyteti i vjetër u “shkund” nga diktatori për të ndërtuar Bulevardin e Fitores Socialiste, shumë të moshuar u hodhën nga dritaret e shtëpive të tyre dhe u lanë të vuajnë në trotuarë. Reagimi i tyre ishte vetëvrasja…

Gjatë një fushate në 1966 për të rritur numrin e popullsisë duke ndaluar abortin, divorcin dhe kontrollin e lindjeve (ku ky i fundit kontrollohej çdo muaj nga gjinekologë) gjërat shkuan shumë keq, pasi dyfishimi i numrit të lindjeve nuk u shoqërua me përmirësime mjekësore. Bebet sëmureshin dhe vdisnin nga mungesa e kujdesit shëndetësor, ushqimet dhe shtretërit në maternitete. Gra të dëshpëruara sfidonin mitrolozët për t’u arratisur drejt Hungarisë, duke lënë pas miliona jetimë të uritur, shumë prej të cilëve të vonuar mendërisht për shkak të neglizhimit. Në vitet ’80 vendi u zhyt në një epidemi AIDS-i, e gjitha për shkak të refuzimit të Çausheskut për të pranuar se problemi ekzistonte.

Në dhjetor të 1989, ushtria e tij e braktisi për t’u baskuar me protestat antiqeveritare. Ai dhe e shoqja u përpoqën që të arratisen me helikopter, por ata u kapën, u gjykuan me shpejtësi dhe më pas u ekzekutuan me plumba kokës. Trupat e tyre të gjakosur u treguan triumfalisht në TV si provë që makthi kishte marrë fund.

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button