Analiza

Marshimi i gjatë drejt perëndimit

Rruga e re e mëndafshit është projekti me të cilin Kina kërkon të krijojë një zonë të madhe të tregtisë së lirë në perëndim, për t’iu kundërvënë kësisoj ndikimit të SHBA-së

Pepe Escobar

“Tom Dispatch”

Screen Shot 2015-03-18 at 13.55.28

Në 18 nëntor të vitit 2014, një tren që transportonte më shumë se një mijë ton mallra, u nis nga kompleksi industrial në qytetin kinez të Yiwu në provincën Zhejiang, 300 kilometra në jug të Shangait, për në Madrid, ku dhe mbërriti në datën 9 dhjetor, pra 21 ditë më pas. Mirë se vini në linjën e re hekurudhore trans-euroaziatike. Karvani do të udhëtojë rregullisht në një linjë hekurudhore 13 mijë kilometra të gjatë, 40 përqind më të gjatë sesa linja legjendare Trans-Siberiane.

Duke përshkuar Kinën nga lindja në perëndim, Kazakistanin, Rusinë, Bjellorusinë, Poloninë, Gjermaninë, Francën dhe Spanjën, kjo është padyshim linja më e gjatë hekurudhore e botës. Linja Yiwu-Madrid, është në fakt vetëm fillesa e një numri të jashtëzakonshëm zhvillimesh në sektorin e transportit, të cilat do të ndryshojnë gjeopolitikën botërore, duke lidhur tregtarët e vegjël me tregjet e mëdha, përmes një rrugë thuajse të harruar.

Kjo linjë është vetëm një pjesë e vogël e projektit të madh të Rrugës së re të Mëndafshit, që po ndërton Kina, ndoshta projekti i shekullit XXI-të, dhe nga pikëpamja e tregtisë botërore, pa dyshim lajmi më i rëndësishëm i dekadës së ardhshme. Në të ardhmen udhëtimi nga Kina për në Evropë, do të zgjasë 2 ditë, në vend të 21 ditëve të tanishme.

Sot, 90 përqind e trafikut botëror të kontejnerëve qarkullon përmes anijeve, por Pekini nuk ka ndërmend të heqë dorë nga projekti i tij fillestar. Linja e re është ende relativisht e ngadaltë, rruga e re e mëndafshit është pika e parë e kthesës së asaj që do të jetë një revolucion transkontinental i transportit hekurudhor të mallrave.

Ndër përfitimet e këtij revolucioni do të jenë reduktimi i kostove të transportit, zgjerimi i kompanive kineze të ndërtimit në vende të ndryshme të Azisë Qendrore deri në Evropë, mundësi për të transportuar më lehtë dhe shpejt uraniumin dhe metalet e rralla nga Azia Qendrore, si dhe çeljen e një morie tregjesh të reja, të cilat do t’u shërbejnë qindra-milionë njerëzve.

Nëse Uashingtoni është i vendosur në “zbulimin e tij të madh aziatik”, edhe Pekini ndërkaq ka planin e vet në këtë drejtim. Shpejtësia me të cilën po ndodh e gjitha kjo, është thjesht e jashtëzakonshme. Presidenti kinez Xi Jinping e shpalli projektin e zonës së madhe ekonomike të rrugës së re të mëndafshit në Astana të Kazakistanit, në shtator të vitit 2013. Një muaj më vonë, në kryeqytetin indonezian Xhakarta, Xi prezantoi projektin e rrugës detare të mëndafshit të mijëvjeçarit të ri. Planet e Pekinit janë pjesë e një strategjie kombëtare që mbështetet tek rrigjallimi i rrugës së dikurshme të mëndafshit, rrugë e lashtë që vendosi në kontakt qytetërimet lindore me ato perëndimore, dhe që hodhi themelet për një rrjet të gjerë fushash bashkëpunimi ekonomik në rajonin euroaziatik.

Kina ka ndarë tashmë një fond prej 40 miliardë dollarësh për ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse. Fondet menaxhohen nga Banka e Zhvillimit e Kinës, dhe do të përdoren për ndërtimin e rrugëve, linjave hekurudhore të shpejtësisë së lartë, si dhe ndërtimin e gazsjellësve në rajone të ndryshme të Kinës. Në të ardhmen, fondi do të zgjerohet për të mbuluar projektet në Azinë Jugore, Azinë Juglindore, Lindjen e Mesme dhe Evropë, por tani për tani qëllimi kryesor është Azia Qendrore. Kompanitë kineze do të investojnë dhe marrin pjesë në tenderat që do të zhvillohen në dhjetëra vende përgjatë rrugës së re të mëndafshit.

Pas 3 dekadave të zhvillimit dhe konsumit të shpejtë të fondeve të huaja, sot strategjia kineze duket se është ajo e derdhjes së kapitalit të brendshëm tek vendet fqinje. Kina është tashmë partneri më i madh tregtar i të gjitha vendeve fqinje, përveç Uzbekistanit. Ndonëse ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore, janë ende të lidhura me tubacionet e naftës në Rusi, Kina po përpiqet të krijojë një rrjet të vetën të tubacioneve, duke përfshirë ndërtimin e një gazsjellësi të ri që mbërrin deri në Turkmenistan.

Hekurudhat e së ardhmes

Konkurrenca midis rajoneve kineze për të rrëmbyer tenderat dhe projektet e infrastrukturës do të jetë e ashpër. Pekini po e transformon ndërkaq Xinjiangun në një pikë qendrore të rrjetit të tij të Euroazisë. Në fillim të nëntorit 2014, rajoni i Guangdongut, i njohur me nofkën “fabrika e botës”, mikpriti ekspozitën e parë ndërkombëtare të rrugës detare të mëndafshit, ku morën pjesë përfaqësues nga 42 vende të botës. Xi Jinpingu po promovon gjithashtu edhe krahinën e tij të lindjes, Shaanxi, nga ku dikur fillonte rruga historike e mëndafshit, si një nyje transporti e mijëvjeçarit të ri, duke u përpjekur të përfshijë në këtë projekt gjigand vende si Taxhikistani, ishujt  Maldive, Sri Lanka, India dhe Afganistani.

Në fakt, një pjesë e rëndësishme e kësaj rruge përshkon Azinë Qendrore, Iranin dhe Turqinë. Stambolli do të bëhet një nyje thelbësore, ndërsa Azia Qendrore dhe Irani tashmë kanë hartuar projekte për t’u lidhur me rrugën e re. Një tjetër pjesë e rëndësishme e rrugës do të ndjekë linjën hekurudhore Trans-Siberiane, me Moskën si një nyje kyçe. Pasi të përfundojë modernizimi i pistës hekurudhore trans-siberiane, koha e udhëtimit nga Pekini në Moskë, do të reduktohet nga 6 ditët e gjysmë që është aktualisht, në vetëm 33 orë. Edhe qytete si Roterdami, Duisburgu apo Berlini, mund të bëhen njyje të kësaj linje hekurudhore në të ardhmen, një perspektivë shumë ndjellëse për menaxherët dhe sipërmarrësit gjermanë.

Rruga e Marko Polos, së prapthi

Rruga detare e mëndafshit do të fillojë nga provinca kineze e Guangdongut, duke kaluar tek ngushtica e Malakës, oqeani Indian, bregdeti lindor i Afrikës, Deti i Kuq dhe Mesdheu duke përfunduar në thelb në Venecia, një element që i shton një nuancë poetike dhe sugjeron një lloj rruge të ngjashme me atë të eksploratorit italian Marko Polo, por së prapthi.

Rruga duhet të përfundojë deri në vitin 2025 dhe do t’i japë Kinës ndikimin dhe aftësinë tërheqëse (i ashtuquajturi pushtet i butë), që aktualisht i mungon. Mundohuni të përzjeni strategjinë e Rrugës së Mëndafshit, me bashkëpunimin mes vendeve të BRICS-it (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), bashkëpunimin gjithnjë e më të madh mes vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), dhe rritjen e ndikimit të Pekinit, mbi 120 vendet e lëvizjes së Shteteve të Paangazhuara: nuk është çudi, që nëse jugu i botës mendon se, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë ende të përfshira në luftërat e tyre të pafundme, bota të tregojë interes për lindjen.

Samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i organizuar në Pekin në nëntor të vitit të shkuar ishte një sukses për Kinën. Në atë aktivitet, 22 vende aziatike e miratuan krijimin e Bankës Aziatike të Investimeve për Infrastrukturën, të propozuar nga Xi, vetëm një vit më parë. Kjo bankë do të ndihmojë në realizimin e projekteve në energjitikë, telekomunikacion dhe transport. Kapitali i saj fillestar do të jetë 50 miliardë dollarë dhe tatimpaguesit më të mëdhenj do të jenë Kina dhe India.

Krijimi i saj është qartazi një kundërpërgjigje ndaj Bankës Aziatike për Zhvillim, e themeluar në vitin 1966 nën tutelën e Bankës Botërore, dhe që nga shumë vetë cilësohet si një vegël e Uashingtonit. Kur Kina dhe India nënvizuan se kreditë e reja bankare do të kontribojnë duke ndjekur parimet e “drejtësisë, barazisë dhe transparencës”, ato deshën të nxjerrin në pah se institucioni do të ndjekë një rrugë të ndryshme, nga ajo e Bankës Aziatike për Zhvillim (e cila mbetet një biznes amerikano-japonez, duke pasur parasysh se Tokio dhe Uashingtoni kontribuojnë me 31 përqind të kapitalit dhe ruajnë 25 përqind të votave), dhe është një sinjal i qartë i vendosjes së një rendi të ri në Azi.

Kina është tashmë partneri më i madh tregtar i Indisë, Pakistanit dhe Bangladeshit, ndërsa e dyta për Sri Lankën dhe Nepalin, dhe përsëri në vendin e parë, përsa i takon vendeve anëtare të Azisë Juglindore (ASEAN), pavarësisht nga mosmarrëveshjet e kohëve të fundit, mbi kontrollin e shtratit detar, të pasur me naftë.

Përveç SHBA, vetëm 3 vende të APEC votuan kundër krijimit të bankës së re: Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia, të gjithë nën presionin e Uashingtonit (Indonezia nënshkroi disa ditë me vonesë). Çfarëdo që të mendojë shumica e vendeve të Azisë rreth ngritjes së Kinës, të cilën Pekini e quan “paqësor”, shumë prej tyre po i kthejnë shpinën peisazhit tregtar të dominuar nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-s dhe marrëveshjeve që e rregullojnë atë, nga Traktati mbi Tregtinë Transatlantike dhe Investimet për Evropën, deri tek Traktati i Transpaqësorit për Azinë.

Sigurisht, Kina duhet të përballet edhe me probleme të mëdha, duke filluar nga presioni i ushtruar nga Shtetet e Bashkuara. Ndër të tjera, Pekini ka frikë për furnizimin me energji nga jashtë, dhe kjo shpjegon investimet e mëdha kineze për të ndërtuar një rrjet tubacionesh që lidhin Azinë Qendrore me Siberinë.

Frika për furnizimin me energji shpjegon gjithashtu edhe garën për të rrëmbyer lëndët e para në Afrikë dhe Amerikën e Jugut, përveç ofensivës së diskutueshme, për të siguruar zonat e burimeve të pasura në Detin e Kinës Jugore dhe atë Lindore, një zonë që sipas Pekinit mund të bëhet “një Gji i ri Persik”, duke prodhuar 130 miliardë fuçi naftë. Brenda vendit, presidenti Xi ka prezantuar në detaje vizionin e tij të një rruge të “bazuar mbi rezultatet”, që vendi do të ndjekë gjatë dekadës së ardhshme. Lista e objektivave që Kina do të donte të arrinte është mbresëlënëse. I shqetësuar për të mbajtur lart ritmin e rritjes së ekonomisë kineze, tashmë më e madhja në botë për nga madhësia, Xi po intensifikon luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve financiare, veçanërisht në kuadër të Partisë Komuniste. Efiçenca ekonomike është një tjetër çështje e ngutshme. Xiaolu Uang dhe Zhou Yixiao, autorët e studimit “Reformimi i thellë për zhvillimin dhe rritjen afatgjatë të Kinës”, pohojnë se për Pekinin do të jetë e vështirë të kalojë, nga të qenit një vend me të ardhura mesatare, në një vend me të ardhura të larta, një kusht ky paraprak për t’u bërë një fuqi e vërtetë botërore. Për të zgjidhur këtë problem duhet investuar një sasi e madhe e parave publike në fusha të tilla si mirëqenia sociale dhe kujdesi shëndetësor, të cilat tani përbëjnë respektivisht 9.8 për qind dhe 15.1 përqind të buxhetit, një përqindje e lartë për parametrat e disa vendeve perëndimore, por e pamjaftueshme për nevojat që ka aktualisht Kina.

Një zgjedhje ekstreme

Në çdo rast, çdokush që ka vëzhguar arritjet e Kinës gjatë 30 viteve të fundit, e di se pavarësisht nga problemet dhe rreziqet, vendi nuk do të shembet. Për të kuptuar ambiciet e Pekinit, përmes rindërtimit të hartës së vjetër tregtare të botës, mjafton për të arritur në përfundimin se udhëheqësit kinezë po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të transformuar rrënjësisht marrëdhëniet me Europën. Për momentin, zgjedhja midis dy modeleve globale në dispozicion, mbetet disi ekstreme: në njërën anë kemi integrimi euroaziatik, dhe nga ana tjetër është një “perandori e kaosit” në zgjerim nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Kina dhe Rusia e dinë se çfarë duan, dhe mesa duket këtë e di edhe Uashingtoni. Mbetet të shihet se çfarë do të zgjedhin vendet e tjera të Euro-Azisë.

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button