Analiza

LUFTE? “Do marshojmë në Bagdad. Kemi hesape për të larë”

Mideast Syria Militants Rise AnalysisMilitantët: Kemi hesape për të larë. Obama: Nuk përjashtoj asgjë. Një zyrtar i lartë: Nuk do të ketë ushtarë në terren. Luftëtarët marrin qytetin e lindjes së Saddamit. Kurdët e Irakut marin kontrollin e qytetit të Kirkukut, shumë i pasur me naftë. Iraku i kërkon SHBA ndihmë për sulme ajrorë. Zyrtari i lartë amerikan: “Të vjen të vrasësh veten”

Grupi i frymëzuar nga al Kaeda që arriti të marrë këtë javë dy qytete të dominuar nga sunitët në Irak, u betua se do të marshojë drejt Bagdadit, duke shtuar dukshëm frikën nëse qeveria e udhëhequr nga shiitët do të jetë në gjendje të frenojë këtë sulm.

Ndërkohë që pati shenja se Shteti Islamik i Irakut dhe Lindje (Shiil) mbështetet në fushatën e tij nga ish oficerë të ushtrisë dhe pjesëtarë të tjerë të regjimit të diktatorit të rrëzuar Sadam Hussein – duke përfshirë edhe një forcë të udhëhequr nga Izzat Ibrahim al-Douri, ish zëvendësi i udhëheqësit iraken, i cili u arratis në vitin 2003 pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA dhe që u ka shpëtuar gjatë gjithë kësaj kohe forcave amerikane dhe irakene.

Ndërkohë që udhëheqësit e të gjithë botës kanë shprehur alarmin për destabilizimin e një pjese të madhe të vendit nga luftëtarët e grupit islamik, Këshilli i Sigurimit bëri një mbledhje urgjente për ktë krizë, por ka shumë pak gjasa që kjo organizatë të ndërmarrë ndonjë veprim.

Presidenti Obama tha se Iraku do të ketë nevojë për më shumë ndihmë nga SHBA, por ai nuk specifikoi se cfarë ndihme do të ofrojë. Zyrtarë të lartë të SHBA që folën në gjendje anonimati për arsye se nuk ishin të autorizuar ta diskutonin këtë cështje me emër, thanë se Uashingtoni po shqyrton mundësitë e realizimit të misioneve me avionë të telekomanduar në Irak.

Në veri, forcat kurde të sigurisë morën një bazë ajrore si dhe poste të tjerë të braktisur nga forcat irakene në Kirkukun me përbërje etnike të përzierë, bëri të ditur një zyrtar i lartë i forcave kurde. Ai mohoi që ata të kenë marrë kontrollin e qytetit të pasur me naftë.

Kryeministri al Malik i kërkoi parlamentit të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, gjë që do të rrisë kompetencat e tij për të drejtuar vendin, por ligjvënësit nuk arritën kuorumin për ta miratuar këtë kërkesë.

Shiil ka si objektiv krijimin e një emirati islamik që shtrihet në të dy anët e kufirit Siri-Irak. Ai ka qenë në gjendje të futet thellë në qendër të territoreve irakene, që dikur kontrolloheshin nga forcat e SHBA, për arsye se forcat e ushtrisë u larguan menjëherë pas përplasjeve të para.

Dy zyrtarë të lartë të shërbimeve të fshehtë i thanë Associated Press se një grup i armatosur i udhëhequr nga al-Douri, Ushtria Naqshabandi, si dhe figura të tjera ushtarake të kohës së Saddamit i ishin bashkuar Shiil në luftime. Në vendlindjen e Saddamit, Tikrit, një qytet që u mor nga militantët të mërkurën, dëshmitarët thanë se luftëtarët mbanin lart postera të Saddamit dhe al-Dourit.

Përfshirja e figurave të epokës së Saddamit rrit mundësinë e përshkallëzimit të fushatës së militantëve për të krijuar një enklavë si ajo e al Kaedës si dhe një kryengritje të gjerë sunite. Një gjë e tillë do të rriste vrullin për të shndërruar ndarjet sektare dhe etnike të Irakut, në një fragmentim gjeografik.

Shiil nxorri një deklaratë triumfaliste duke deklaruar se do të fillonte të zbatonte rreptësisht ligjin e Sharias në Mosul dhe në rajone të tjerë që tashmë i ka nën kontroll. Deklarata thoshte se gratë duhet të rrinë në shtëpi, thanë se do u presin kokën hajdutëve dhe u bënë thirrje banorëve të marrin pjesë në faljet e përditshme. Ai u bëri thirrje sunitëve në ushtri dhe polici që të braktisin detyrën dhe të “pendohen”, ose përndryshe “do të përballen me vdekjen”.

“Na prisni, do marshojmë drejt Baghdadit”, thanë militantët. “Kemi hesape për të larë”.

Leave a Reply

Back to top button