Analiza

Mbretëria e Bashkuar: Sfidat e një votimi të paparashikueshëm

Konfigurimet janë shumë të ndryshme njëri nga tjetri, dhe duket të lëkunden në çdo çast dhe nga negociatat – megjithatë ata do të kenë secili pasoja shumë të rëndësishme për të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar dhe për të ardhmen e marrëdhënies së saj me Bashkimin Evropian

Nga  Olivier de France

Instituti i Marëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

Screen Shot 2015-04-07 at 18.16.34

Ndërkohë që mandati i tij i parë është gati duke përfunduar, çfarë duhet të mbajmë mend nga vitet e Cameroni? A është ai popullor në Mbretërinë e Bashkuar?

Nga pikëpamja e tregimit politik, David Cameron do të krenohet që mori frenat e një vendi me financa të dobëta në vitin 2010 dhe që i vuri përsëri ato në rrugën e drejtë ekonomikisht.

Mbretëria e Bashkuar rigjeti nën drejtimin e tij rrugën e rritjes ekonomike, papunësia është ulur dhe konservatorët u bënë të fortë në përgjysmimin e defiçitit, me shkurtime në fushën e shërbimit publik, që patën një impakt të rëndësishëm në nivel lokal dhe rritën pasigurinë e grupit më pak të mbrojtur të punëtorëve.

Kjo retorikë e bazuar në sakrificat e bëra në periudhë krize ekonomike ka një jehonë të caktuar në gjirin e popullsisë britanike. David Cameroni rizgjoi në vetëdijen kombëtare qëndrimin e liderit, i cili nuk u tërhiqet përballë vendimeve të vështira dhe a priori jo popullore, por të nevojshme për ringritjen e vendit. Shëndeti i mirë ekonomik që njeh sot Britania e Madhe do të justifikonte në mendjen e Kryeministrit karakterin radikal të këtyre masave.

David Cameron u kërkon sot zgjedhësve t’i japin atij kohë të transformojë dhe t’i sigurojë atyre përfitime nga vendimet e pesëvjeçarit të tij të parë. Duke votuar laburistët në këtë moment ndryshimi, sipas tij, zgjedhësit rrezikojnë të rihapin një cikël huamarrjesh dhe defiçitesh, të mos marrin përfitimet e masave shtërnguese, dhe më në fund ta bëjnë Mbretërinë e Bashkuar një vend “po aq të keq sa Franca”. 

Këto zgjedhje priten që të kenë një rezultat shumë të ngushtë dhe daljen e partive “dytësore”, që duket se do t’i japin fund bipartizmit tradicional.

 

Si e shpjegoni këtë copëtim të pashembullt të elektoratit? A mundet ky fenomen të dobësojë sistemin britanik, i hartuar për të siguruar shumicën e një nga të dy partive të mëdha?

Efektivisht, zgjedhjet britanike të 7 majit ka gjasa që të jenë më të pasigurtat, qysh prej vitit 1974. Sondazhet tregojnë se laburistët dhe konservatorët – dy partitë mazhoritare të vendit – janë aty-aty, duke mbledhur secila një numër të madh votash. E vetmja siguri aktualisht ka të ngjarë që konservatorët nuk do të kenë shumicën e qeverisë. Për ta fituar atë është e nevojshme të kenë treqind e njëzet e gjashtë vende në Parlament. Duke mos arritur që të merrnin shumicën në zgjedhjet e mëparëshme, konservatorëve iu desh që të bënin një koalicion me liberal-demokratët. Pas pesë vite të reduktimit të shpenzimeve publike, ka pak gjasa që të arrijnë të marrine vendet e nevojshme të shumicës, që dështuan t’i marrin në vitin 2010.
 Kjo hap pra një fushë mundësish mjaft të madhe, në masën kur ka tre formacione politike, të cilat mundet në mënyrë legjitime të luajnë rolin e kingmakers-ave.

Liberal-demokratët, që ranë nën 10% të votave ndërkohë që në zgjedhjet e mëparshme, ata ishin mbi 20%.

Popullariteti i Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) ka rënë me afrimin e zgjedhjeve, por mundet megjithatë të priten rezultate shumë më të rëndësishme, se sa gjatë zgjedhjeve të vitit 2010, kur ato morën nga sondazhet vetëm 3%.

Më në fund, Partia Kombëtare Skoceze (SNP) mundet të marrë pesëdhjetë vënde në Parlament. 
Sistemi britanik, i bazuar në një mekanizëm të quajtur “first-past-the-post”, është mjaft i veçantë dhe favorizon partitë e mëdha. Mund të ketë një diferencë mjaft të rëndësishme midis votave që merren dhe vendeve që merren në Parlament.

Nën 10% të votave, një parti fiton shumë pak vende në parlament. Dihet që sistemi elektoral britanik është i mbrojtur dhe favorizon bipartitizmin. Megjithatë, me këto zgjedhje vërehet se partitë janë në gjëndje të kalojnë këtë prag, për të hyrë në një koalicion qeverisës.

Eshtë e mundur që UKIP të marrë mjaft vende, për të hyrë në një koalicion me konservatorët britanikë, ashtu siç është e mundur dhe madje ka gjasa që SNP të grumbullojë mjaft vende, për të mundur të hyjë në një koalicion me laburistët. Liberal-demokratët mundet gjithashtu përsëri të jenë kingmakers. Të gjelbërit kanë pak shanse të qëndrojnë jashtë në përfundim të zgjedhjeve.

 

Një nga terrenet e përballjeve të këtyre zgjedhjeve është vendimi për të qëndruar apo jo në gjirin e Bashkimit Evropian. Çështja evropiane dhe të kapurit e saj peng nga dy partitë e mëdha, a është ajo sipas jush sfida qëndrore e këtyre votimeve?Një dalje nga Bashkimi Evropian, a është e besueshme?

Në fakt çështja evropiane si e tillë, në specifikën e saj, nuk është në qendër të zgjedhjeve. Janë çështjet e punësimit, të rritjes ekonomike, apo të imigrimit që tërheqin vëmendjen. Çështja evropiane bëhet një sfidë vetëm kur ajo forcohet nga tema të ndryshme të brendshme, dhe se ajo nuk është marrë asnjëherë me të vërtetë. 
City Bank është në favor të qëndrimit në BE, për arsye ekonomike dhe financiare. Nga ana e saj, partia UKIP ka arritur të krijojë një amalgamë në gjirin e opinionit publik, duke lidhur në mënyrë të ngushtë temën eimigrimit me atë të Bashkimit Evropian dhe të hapësirës Schengen. Me këtë “hile”, çështja evropiane është interpretuar në funksion të një spektri të çështjeve të brendshme dhe në prizmin pothuaj ekskluziv të debatit të brendshëm. 
Në se besojmë në rastin ku asnjë nga partitë nuk fiton shumicën qeverisëse në përfundim të votimit, mund të synohen konfigurime të ndryshme të mundshme mbi çështjen evropiane. Në rastin e një koalicioni midis konservatorëve dhe partisë UKIP, referendumi mbi daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian rrezikon të avancohet në vitin 2016, në vend të vitit 2017.

Por sot është e pamundur të parashikosh se në çfarë drejtimi do të bëjnë fushatë konservatorët: në funksion të konçesioneve që David Cameron mund të marrë pranë partnerëve të tij evropianë, ai mund gjithashtu të bëjë fushatë për daljen ose mbajtjen e vendit në BE.
 Konfiguracioni i dytë i mundshëm është një koalicion midis laburistëve dhe liberal-demokratëve. Asnjë nga këto dy parti nuk është në favor të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian dhe mbajtjen e një referendumi, përveç rastit të transferimit të pushteteve shtesë drejt Brukselit. 
Mundësia e fundit – dhe më groteskja – është një koalicion midis laburistëve dhe SNP. Në një rast të tillë, Kryeministër do të bëhej Ed Miliband, numri 2 i tij do të ishte Alexander Salmond, udhëheqësi i SNP. Do të gjindeshim në një situatë ku zëvëndës kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar do të argumentonte vazhdimisht për një ndarje të Mbretërisë së Bashkuar, me pavarësinë e Skocisë. 
Këto pasoja aktualisht janë hipotetike, sepse fushata sapo ka filluar dhe se askush nuk mund të parashikojë pasojat politike të koalicioneve qeverisëse. Këto konfigurime janë shumë të ndryshme njëra nga tjetra, dhe duket të lëkunden në çdo çast dhe nga negociatat – megjithatë ato do të kenë secila në realitet pasoja, në sfond, shumë të rëndësishme për të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar dhe për të ardhmen e marrëdhënies së saj me Bashkimin Evropian.

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button