Histori

MBRETI DIELL / Disa gjëra që mund të mos i dini për Luigjin XIV

Screen Shot 2015-09-12 at 08.49.24

Jesse Greenspan

Në 1 shtator 1715, Mbreti Luigji XIV vdiq nga gangrena, vetëm disa ditë para ditëlindjes së 77-të. Ndonëse jo shumë popullor për momentin – turmat brohorisnin në funeralin e tij, teksa arkëmorti zhvendosej nga Versaja për në varrezën e kishës – ai ka simbolizuar monarkinë e Francës, në kulmin e saj. 3 shekuj pas vdekjes së tij, ja disa fakte iluminues mbi Mbretin Diell dhe mbretërimin e tij të gjatë.

Shumë pak monarkë kanë sunduar më gjatë se ai

I lindur në vitin 1638, Luigji XIV u bë mbret në moshën 4 vjeç pas vdekjes së të atit, Luigji XIII dhe qëndroi në fron për 72 vitet e ardhshëm. Kjo e bën atë monarkun më jetëgjatë francez të historisë, si dhe monarkun më jetëgjatë të cilitdo shtet ekzistues europian.

2. Nëna e Luigjit shërbente si protektore e tij

Në testamentin e tij, Luigji XIII kërkoi ngritjen e një këshilli regjence, për të sunduar në emër të të birit. Por bashkëshortja e tij me prejardhje nga Habsburgët, Ana e Austrisë, orkestroi një anulim të këshillit dhe u bë regjentja e vetme. Në këtë cilësi, ajo dhe ministri i saj kryesor, Kardinali i lindur në Itali, Jules Mazarin, shtypën fisnikët dhe gjykatësit e vendit, të cilët u ngritën kundër kurorës në një seri rebelimesh nga viti 1648, deri në vitin 1653. Mazarini, me kalimin e kohës i shtypi disidentët, por jo përpara se Luigji XIV të pësonte disa poshtërime, duke përfshirë dy arrati nga Parisi. Që atëherë, Luigji XIV nuk u besonte jo vetëm aristokratëve dhe njerëzve të zakonshëm, por edhe vetë Parisit.

3. Ai sundoi pa një ministër kryesor

Në moshë të re, Luigji XIV ia la kryesisht vendim-marrjen Mazarinit, mentorit dhe kumbarit të tij. Por kur Mazarini ndërroi jetë në vitin 1661, 22-vjeçari informoi menjëherë oborrin e tij të shastisur, se që këtej e tutje do të sundonte pa një ministër kryesor – një gjë që asnjë mbret francez nuk e kishte bërë, për breza të tërë. Ndonëse shumë zyrtarë pritën që ai të mërzitej shpejt, Luigji vazhdoi me rutinën, si dhe çështjet monotone të qeverisë, deri në fund të jetës. Ulej në mbledhje këshillash, shkruante letra, lexonte dokumenta, priste përfaqësues të huaj dhe planifikonte strategjinë ushtarake, duke konsoliduar kështu pushtetin e tij.

4. Luigji e quante veten përfaqësuesin e Zotit mbi Tokë

Ndonëse Luigji XIV nuk e shpiku doktrinën e “të drejtës hyjnore të mbretërve”, sipas të cilëve autoriteti i monarkëve buronte gjithmonë nga Zoti, dhe si pasojë ata kishin pushte absolut, ai ishte një mbështetës i saj. Ai e tregoi këtë duke e shoqëruar emrin e tij me atë të perëndise greke dhe romake të Diellit, Apollonin, dhe madje edhe ka luajtur Apollonin në një balet mbretëror. Ashtu si shumë mbretër të tjerë, Luigji XIV pretendonte gjithashtu se kishte shumë fuqi shëruese. Në ditët e festave ai vinte vërdallë duke prekur ata që ishin të infektuar me skrofull.

5. Ishte i hapur për tradhëtitë e tij

Në vitin 1660, Luigji XIV u martua me Mari Terezën, vajza e Mbretit të Spanjës, një lëvizje e nxitur politikisht që çimentoi paqen mes dy vendeve. Megjithatë, ai pati edhe një seri të dashurash, tre prej të cilave përfituan status gjysmë zyrtar, duke u shfaqur në krah të tij në kishë, e madje edhe duke shkuar me të në luftë. Mes përfitimeve të tjera, e para e atyre të trejave u bë dukeshë, e dyta mori një kështjellë me 1200 kopshtarë dhe e treta u martua me Luigjin XIV në një ceremoni të fshehtë, pas vdekjes së mbretëreshës. Shumë prej fëmijëve të tij të paligjshëm, ndërkohë, u arsimuan dhe u konsideruan pjesë e shoqërisë mbretërore.

6. Ai ishte një fanatik fetar

Një katolik i devotshëm, Luigji XIV besonte në moton “një mbret, një ligj, një fe”. Për këtë qëllim, ai shtypi pa mëshirë protestantët në vend, të cilët përbënin afro 5% të popullsisë. Goditja finale erdhi në vitin 1685, kur pasi revokoi Dekretin pothuajse një shekullor të Nantës, ai i zhveshi nga të gjitha liritë fetare dhe qytetare. Qindra prej tyre vazhduan ta praktikojnë fenë, por u dënuan me vdekje dhe afro 200 mijë të tjerë u larguan nga Franca, për të shkuar në vende të tjerë më tolerantë. Ai përndoqi edhe katolikët që nuk i përmbaheshin pikëpamjes së ngushtë që ai kishte për fenë, si për shembull Jansenistët, që besonin se njerëzimi ishte i korruptuar që në lindje dhe se Zoti e jepte arbitrarisht faljen. Në vitin 1709, ai dëboi murgjit nga konventa kryesore e lëvizjes dhe më pas urdhëroi shkatërrimin e saj, ndërkohë që lobonte tek Papa që ky ta shpallte Jansenizmin si heretik.

7. Ishte vazhdimisht në luftë

Duke pretenduar Holandën spanjole (që korrespondon me Belgjikën e sotme) si trashëgimi të bashkëshortes së tij, Luigji XIV nisi Luftën e Transferimit në vitin 1667. Ky pushtim, bashkë me Luftën Holandeze (1672-1678) dhe Luftën e RIbashkimeve (1683-1684) i dha atij një numër territoresh të reja, që mbeten pjesë e Francës edhe sot. Megjithatë, duke zgjeruar në mënyrë agresive kufijtë e tij, ai shkaktoi armiqësinë e një pjese të madhe të Europës, e cila u bashkua në një “Aleancë të Madhe” kundër tij gjatë dy konflikteve të ardhshëm: Lufta 9-vjeçare (1688-1697) dhe Lufta e Trashëgimisë së Spanjës (1701-1714). Pas humbjes së jetëve të panumërta, zinë e bukës, ekonominë e rrënuar dhe taksat e larta, Luigji XIV pati një ndryshim mendje në fund të jetës. “Mos ndiqni shembullin e keq që kam dhënë unë për ju”, i tha trashëgimtarit të tij, kur ndodhej në shtratin e vdekjes. “E kam ndjekur luftën shumë kollaj dhe e kam vazhduar prej kotësisë. Mos më imito, por ji një princ paqësor”.

8. Luigji zotëronte Diamantin Hope

Siç mund të pritej nga një njeri që ka krijuar Pallatin e Versajës me 700 dhoma, Luigji XIV i dinte disa gjëra për luksin. Një prej gjërave më me vlerë që zotëronte ishte një diamant shumë i madh, që atëherë quhej Blu Francez, dhe që të krijonte iluzionin e një dielli në qendër të tij, kur vendosej në një sfond floriri. I grabitur gjatë Revolucionit Francez, shumë kohë pas vdekjes së Luigjit, ai u rishfaq në Britaninë e Madhe shumë vite më vonë, tashmë i prerë dhe i kaluar dorë më dorë. Sot i njohur si Diamanti Hope, ky gur 45.52 karat, guri i çmuar më i famshëm në botë, ndodhet në Muzeun Smithsonian të Historisë së Natyrës në Uashington. Në vitin 2009, kur u shfaq një copë e Blusë Francez, ekspertët arritën në konkluzionin se ai dhe Hope janë e njëjta gjë.

9. Pasardhësi i tij ishte monarku i dytë më jetëgjatë i Francës

Në vitet e fundit të jetës së tij, Luigji XIV vuajti nga një seri tragjedish familjare. Së pari, në vitin 1711, djali i tij dhe trashëgimtari i parashikuar vdiq nga lija. Vitin tjetër, fruthi mori jetën e një nipi, një stërnipi, si dhe një mbese të preferuar. Dy nipër mbetën ende gjallë. Por njëri vdiq pas një aksidenti në gjueti në vitin 1714, dhe tjetri u detyrua të heqë dorë nga froni i Francës, si pjesë e nëj marrëveshje ku ai mbeti sundimtar i Spanjës. Tashmë Luigji kishte vetëm një trashëgimtar: një stërnip të sëmurë. Ndonëse me dëshpërim, ai shpalli se dy prej djemve të tij jolegjitimë mund të bëheshin mbretër nëse pasardhësi direkt do të vdiste. Por nuk ndodhi. Stërnipi i tij e mori fronin në moshën 5 vjeç. Do ta qeveriste Francën për 59 vitet e ardhshëm si Luigji XV./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button