Ekonomi

Me ikjen e Britanisë, Angela Merkeli po kërkon zëra për “korin” ekonomik liberal

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, është duke i bëre presion Finlandës dhe vendeve të tjera anëtare të BE, që të ngrejnë zërin në mbështetje të politikave ekonomike liberale, teksa Mbretëria e Bashkuar, mbartësja standarte e këtyre ideve, përgatitet për Brexit, thuhej në numrin e të hënës të të përditshmes Financial Times.

Berlini është gjithmonë e më i shqetësuar se, me largimin e Britanisë, debati ekonomik brenda BE-së do të zhvendoset në favor të Francës, Italisë dhe vendeve të tjera europiano jugore.

Sipas artikullit të FT, këta vende e kanë vendosur historikisht theksin tek një qasje e udhëhequr nga shteti, dhe jo tek tregu i lirë e derregullimi, gjë që e bënte lobi verior i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar. Frika e Merkelit është se kjo gjë do të jetë në dëm të konkurueshmërisë, pikërisht në një moment, kur po përvijohen gjithnjë e më shumë sfidat që vijnë prej vendeve në zhvillim, si Kina, apo edhe nga presidenti populist i SHBA, Donald Trump, i cili po synon masa proteksioniste ekonomike, të cilat do të ishin në dëm të BE-së.

Angela Merkeli kërkon që të jetë e mirëpërgatitur, për momentin kur fituesi i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Francë, do të jetë gati të hyjë në debatin ekonomik. Emmanuel Macroni, kandidati favorit i qendrës ka premtuar reforma me orientim nga tregu. Por, shqetësimi i Berlinit është se ai mund të shtyjë eurozonën të lehtësojë rregullat fiskale, me qëllim që të rrisë huamarrjen publike.

Një tjetër “merak” i Angela Merkelit, është që të mbajë sa më të fortë aleancën franko-gjermane, e cila është në zemër të BE-së. Dhe për këtë, ajo do të donte që të shmangte shndërrimin e debatit në gjithë unionin, në një debat të ngushtë mes Berlinit dhe Parisit.

Dhe duket se Angela Merkeli nuk është e vetme në shqetësimin e saj. Në një intervistë për FT vitin e kaluar, Ann Linde, Ministrja e Suedisë për Bashkimin Europian, tha se vendit të saj i duhej tashmë të punonte më fort, për të bërë që të dëgjohej zëri, në lidhje me çështje si tregtia e lirë. Dhe kjo sipas saj kërkonte më shumë “agresivitet”.

“Fakti që aleati ynë më i ngushtë do të largohet, do ta ndryshojë mënyrën e të punuarit tonë me BE-në”, pati thënë ajo. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button