Ekonomi

Mëkati fillestar i financës europiane

ALBERTO GALLO

bankingOrigjina e sistemit bankar qëndron tek mëkati. Fitimi i parave mbi kohën e dikujt tjetër ishte gjë e ndaluar nga Kisha Katolike që prej shekullit 5, rreptësisht e ndaluar nga Islami dhe e kritikuar nga Torah. “Të bëje punën e Zotit” do të thoshte të shkoje drejt e në rrethin e shtatë të Dantes.

Për këto arsye, europianët kanë patur gjithmonë një marrëdhënie të ndërlikuar me sistemin bankar. Për të shmangur “njollën” sociale, bankierët janë përpjekur prej kohësh t’i bëjnë bankat “më të mira” dhe më të pranueshme. Bankat e para të Europës moderne janë ngritur në periudhën e Rilindjes në Itali, kur murgjit franceskanë krijuan “Piedestalet e Besimit”. Këta ishin institucione bamirësie që jepnin hua me norma të ulëta: atëherë, objektivat parësore të bankave ishin sociale dhe politike, dhe jo ekonomike.

Paradoksalisht, duke u përpjekur të “shlyejnë” mëkatin dhe ta bëjnë huadhënien më të përhapur, disa prej bankave të Europës kanë gjithashtu prirjen që të dobësohen, dhe të mbeten të cënueshme prej një tjetër krize.

Teoria ekonomike e sotme thotë se bankat jo vetëm marrin depozita dhe japin hua, por e bëjnë këtë duke i shpërndarë burimet në një mënyrë optimale, nëpër të gjithë ekonominë. Po cfarë është optimale? Gjatë gjysmë shekullit të fundit, bankat europiane u rritën duke u bërë më të mëdhatë në botë, me 31 trilionë dollarë vlerë totale të aseteve, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Europiane (BQE). Shumë prej tyre u zhvilluan e u shndërruan në institucione të mëdhenj publikë – disa shumë të mëdha për të dështuar.

Megjithatë, shumica vazhdojnë të drejtohen shumë ndryshe. 37 Bankat Popullore në Itali dhe 387 kooperativa. 15 “Cajas de Ahorros” në Spanjë dhe 74 “Cajas Rurales”. “Federations Regionales dhe Caisses Locales” në Francë. Shtatë “Landesbanken” dhe 422 “Sparkassen” në Gjermani. Madje edhe 45 “Building Societies” në Britani vazhdojnë të operojnë kryesisht për qëllime socialë. Aksionerët e tyre më të mëdhenj janë vetë qeveritë dhe autoritetet lokalë, dhe shumica nuk janë të listuar, që do të thotë që kontrolli nuk është i ndërkëmbyeshëm.

Ky është një sistem me dy nivele, me dy modele shumë të ndryshëm të sistemit bankar. Vendimi se cili është i duhuri, ngre pikëpyetje ekonomike dhe etike: A duhet të jetë biznesi i bankave kryesisht për fitime, apo duhet të ketë një funksion social dhe politik? Nëse kërkimi me cdo kusht i fitimit mund të prodhojë banka shumë të mëdha për të dështuar, historia tregon se institucionet socialë të subvencionuar prej qeverisë janë të papërballueshëm.

Kur rritja ekonomike është e qëndrueshme, institucionet e kredidhënies u japin kredi të lira huamarrësve të vegjël, shpesh herë nën normat e tregut. Por në kohë të vështira, këto banka shpesh herë fitojnë shumë pak për të qëndruar në këmbë. Landesbanken-at gjermane kishin fitime -0.8 përqind mbi asetet në dekadën para vitit 2009, sipas llogaritjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kundrejt 4-6% që kishin bankat e tjera gjermane. Po kështu, Bankat Popullore të Italisë apo Cajas-et e Spanjës kishin të ardhruat më të ulëta mbi asetet në Europë mes viteve 2004-2012, sipas Shoqatës Europiane të Bankave. Kjo ka si shkak një rrjet të madh bankar, me kosto shumë të larta: në Itali, ka më shumë degë bankash se sa hotele apo shkolla.

Në disa raste, lidhja mes qeverive dhe bankave mund të gjenerojë shtrembërime dhe keqshpërndarje të kapitalit për qëllime politikë, të cilat nuk kanë kuptim ekonomikisht. Humbja e aftësisë paguese kohët e fundit të bankës Hypo Alpe Adria në Austri është një shembull. Banka kishte nisur aktivitetin si një huadhënës i vogël lokal dhe deri në vitin 2008, ishte rritur dhe ishte bërë një bankë ndërkombëtare me afro 40 miliardë Euro asete, ndërkohë që rajoni i Carinthias e garantonte borxhin e saj, në kohën e drejtimit të guvernatorit të djathtë, Jorg Haider. Ristrukturimi i saj tani do u kushtojë taksapaguesve austriakë më shumë se 8 miliardë Euro dhe mund të sjellë humbjen e statusit të vendit, me tre AAA sa i përket aftësisë kredimarrëse.

Po kështu, Cajas-et në Spanjë ishin shumë të ekspozuara ndaj huave për blerje pasurish të paluajtshme, dhe ishin të lidhura me autoritetet lokalë që pjesën më të madhe të të ardhurave nga taksat i kishin pikërisht prej shitjeve të këtyre pasurive të paluajtshme.

Deri tani, bankat e mëdha kanë qenë në fokus të rregullatorëve europianë. Eshtë strategjia e duhur: Shumica e tyre janë të nënkapitalizuara dhe disa janë shumë të mëdha për të dështuar – më të mëdha se sa ekonomitë e tyre respektive. Por edhe bankat e mesme dhe të vogla janë të rëndësishme. FMN vlerëson se në tërësi, llogaritë në bankat e mesme dhe të vogla zënë më shumë se gjysmën e aseteve bankarë në Gjermani, dhe më shumë se 40% në Itali dhe Spanjë.

Shumë prej këtyre bankave më të dobëta kanë qenë në gjendje të vazhdojnë biznesin e tyre pa i korrigjuar problemet strukturorë që kanë. Ato banka që kanë asete me vlerë më pak se 30 miliardë Euro nuk do të përfshihen në testet e ardhshëm të “stresit” që kryen Banka Qendrore Europiane, gjë që lë jashtë kooperativat në Itali dhe Sparkassen-at në Gjermani. Dhe deri tani, shumë banka të mesme i kanë kompensuar fitimet e dobët duke blerë bono sovrane – në Itali dhe Spanjë këto zënë afro 10% të bilancit të tyre, të cilat nuk kërkojnë kapital, sipas rregullave të Bazelit III.

Për të rifilluar huadhënien, rregullatorët do të kërkojnë më shumë se sa blerje asetesh: edhe programi 1 trilionë eurosh i Bankës Qendrore Europiane do të ishte një lehtësim vetëm i përkohshëm, nëse bankat mbeten të dobëta strukturalisht. Mendoj se Europa duhet të heqë mbulesën që mbron institucionet e bankave sociale, dhe të shkojë në drejtim të konsolidimit, sic rekomandohet edhe nga FMN dhe politikëbërës të tjerë. Rregullatorët duhet të fokusohen tek bankat që janë shumë të mëdha për të dështuar, por edhe tek të tjerat, që janë shumë të vogla për të mbijetuar. Spanja ka bërë tashmë lëvizje të forta në këtë drejtim, duke i grumbulluar45 Cajas-et e mëdha në vetëm 15, në fund të vitit që kaloi. Gjermania dhe Italia kanë mbetur prapa.

Rezultati i konsolidimit do të jetë një sistem bankar i vetëpërballueshëm, me më shumë kapital, dhe me më pak banka, por më të fuqishme. Pasojat e mosveprimit do të ishin të rrezikshme: SHBA humbi 32% të bankave të veta gjatë krizës së huave. Bankat europiane duhet të operojnë për objektiva socialë dhe ekonomikë. Me qëllim që t’u shërbejnë ekonomive të tyre dhe të rriten bashkë me to, si dhe të nxjerrin fitime, pa stigmën e mëkatit. (Wall street journal)

Gallo është kreu i kërkimeve në makrokredi në Royal Bank of Scotland

Leave a Reply

Back to top button