Analiza

Meksikë barbare

Enrique Krauze*
El País
Vrasja e 43 studentëve në Iguala është vetëm episodi më i fundit i dhunës dhe korrupsionit që kanë shenjuar historinë e shtetit të Guerreros

mexico

Masakrimi i 43 studentëve në shkollën normale rurale të Ajotzinapas ka indinjuar shoqërinë meksikane, siç nuk ndodhte prej vitit 1968. Eshtë një reagim i justifikuar dhe i natyrshëm. Duke parë historinë e vjetër dhe të re të shtetit të Guerreros, ishte fatale që të ndodhte një tragjedi e tillë. E çuditshmja është që nuk ka ndodhur më parë dhe që autoritetet nuk e kanë parandaluar. Jo e gjithë Meksika është Guerrero, por tani duket se është pikërisht kështu. Guerrero është një shtet i pasur me plazhe dhe burime natyrorë (është prodhuesi i parë i floririt), por një pjesë e madhe e popullsisë është e margjinalizuar: 70 përqind e banorëve jetojnë në varfëri. Numri i vrasjeve, katër herë më i lartë se mesatarja, është më i larti në vend. Guerrero është një shtet i paqeverisshëm, që nga koha e kolonializmit, ka refuzuar prej një kohe të gjatë praninë e Kishës dhe është i famshëm për arsye se ka qenë teatri i të gjithë luftërave kombëtare.

Artikuj te ngjashem:

MEKSIKA/Një histori me luftë, gjak dhe kartele droge

Pothuajse çdo faqe e “Fjalorit gjeigrafik, historik, biografik dhe gjuhësor të shtetit të Guerreros” me autor Héctor F. López, flet për luftëra të brendshme mes familjeve rivale, që janë zgjidhur jo me shpata, por me hanxharë. Historia politike e Guerreros është një vazhdimësi shfrytëzimi, grushtesh shteti, tradhëtish, abuzimesh me pushtetin, mosmirënjohjeje, përplasjesh të zgjidhura me armë dhe vrasje. Që nga 27 tetori 1849, dita e lindjes së tij si shtet, deri në vitin 1942, viti kur Lopezi botoi librin e tij, vetëm një guvernator ka arritur të çojë deri në fund mandatin.

Kur isha fëmijë dhe shkoja çdo vit me familjen time me pushime në Acapulco, nuk dyshoja për asnjë prej këtyre gjërave. Më pas, në vitin 1960, kur njerëz të famshëm nga e gjithë bota vinin për festimet e Festivalit Ndërkombëtar të Kinemasë në Acapulco, e mbaj mend shumë mirë lajmin e tmerrshëm: në Chilpancingo, kryeqyteti i shtetit, kishte patur një masakër të fshatarëve.
Për mua dhe për shumë meksikanë, ai episod shënoi fundin e pafajësisë, rishfaqjen e Meksikës barbare dhe të dhunshme. Edhe pse guvernatori u largua, ata fakte i dhanë shtysë atavizmit të të majtës, inkurajuar edhe prej triumfit të revolucionit kuban. Qendra e asaj fryme revolucionare ishte pikërisht shkolla e Ajotzinapas. E themeluar në vitet njëzetë, ajo ndiqte parimit e edukimit socialist me simpati marksiste. Prej asaj shkolle ka dalë luftëtari Lucio Cabanas, që me mbështetjen e shoqërisë i shpalli luftë shtetit meksikan.
Pakti me Havanën
Në të gjithë Amerikën Latine, aktivizmi revolucionar i frymëzuar nga Kuba do të kishte përballë ushtrinë. Deri në atë pikë që në vitin 1970, tetë nga dhjetë vendet e Amerikës Latine qeveriseshin prej diktaturave ushtarake. I vetmi përjashtim ishte Meksika, për shkak të paktit të pashkruar që kishte bërë me Kubën në vitin 1959: ishte i vetmi vend në kontinent që refuzoi të prishë marrëdhëniet me Havanën, e cila në këmbim nuk i mbështeti revolucionarët meksikanë. Kjo shpjegon përse në vitet shtatëdhjetë, presidenti Luis Echeverria hapi portat e vendit për të arratisurit nga regjimet ushtarakë në Kili dhe Argjentinë, ndërkohë që shpërthente terrori (mbi të gjitha në shtetin e Guerreros) për të shuar vatrat e zjarrit të guerilsjes. Në ata vite, Guerrero u bë shteti më i militarizuar i Meksikës. Pas një dekade brutalitet të skajshëm – e ashtuquajtura lufta e ndyrë – dhe pas vdekjes së të gjithë krerëve të guerilasve, duke filluar nga vitet tetëdhjetë rajoni u zhyt në një periudhë qetësie në dukje, e cila ndërpritej herë pas here prej akteve të dhunës, si masakra e fshatarëve të Aquas Blancas në vitin 1995.
Me ardhjen e shekullit të ri, u rrit prania e narkotrafikut. Guerrero ishte shteti ideal për krimin e organizuar: një gjeografi e ashpër (zona të tëra të izoluara e të papërshkueshme), një kulturë e lashtë e dhunës, një shoqëri e zemëruar për shkak të shtypjes së lëvizjeve opozitare dhe një popullsi e varfër. Por kishte edhe diçka tjetër që e tërhiqte krimin e organizuar: korrupsioni politik. Në shumë bashki të shtetit dhe të vendit, kryebashkiakët dhe aparatët e tyre politike mbronin narkos-ët, kishin lidhje me ta ose në ndonjë rast, ishin edhe vetë narkotrafikantë.
Në Guerrero, Partia e Revolucionit Demokratik (PRD, e majtë) që është në qeverisje prej pothuajse dhjetë vitesh, ka toleruar lindjen e këtyre marrëdhënieve mes politikës dhe kriminalitetit. Qeveria qendrore ka qenë po kaq e munguar dhe e paaftë. Dhe ushtria, e cila ka një bazë të rëndësishme pranë Igualas, ka lejuar në mënyrë të pashpjegueshme që kjo aleancë perverse të konsolidohej. Sot, në Guerrero, është përqëndruan 98% e prodhimit kombëtar të opiumit. Pak kohë më parë, Presidenti Obama përmendi një raport të Drug Enforcement Administration, agjencia federale antidrogë, që denoncon një rritje me 324 përqind të sekuestrimeve të heroinës në kufirin mes Meksikës dhe SHBA, në periudhën 2009-2013. Një pjesë e madhe e drogës vjen nga shteti i Guerreros. Nuk është rastësi që Iguala ka qenë epiqendra e tragjedisë: është një narkoqytet eksportues droge, i qeverisur nga krimi i organizuar.
Mbrojtja e jetës
Po studentët? Nuk kemi informacione të saktë, por motivi i vrasjes së tyre të tmershme – e denjë për kampet e shfarosjes – duket se është ky: me manifestimet e tyre, protestat civile dhe idealizmin revolucionar, i hapnin telashe biznesit të kryebashkiakut Jose Luic Abarca dhe bashkëshortes së tij, María de los Ángeles Pineda (të arrestuar në 4 nëntor, pas një muaji në kërkim), aleatë të kartelit të Guerreros unidos. Përse duheshin vrarë? Sepse ishin “revoltuar”, deklaroi një prej vrasësve.
Në vitin 2011, në Monterey, një grup vrasësish i vuri flakën “Casino royal” duke shkaktuar vdekjen e 53 vetëve. Shoqëria civile, sipërmarrësit dhe mjetet e informimit bashkëpunuan me rinovimin e forcave të policisë, investuan në nisma arsimore dhe sociale, i kërkuan shpjegime qeverisë dhe ndonëse nuk e zgjidhën problemin, e bënë më të menaxhueshëm. Diçka e ngjashme ndodhi edhe në Tijuana dhe Ciudad Juarez. Por për shkak të nivelit të lartë të margjinalizimit dhe nivelit të ulët arsimor të banorëve, vështirë që kjo të ndodhë edhe në Guerrero.
Meksika ka nevojë për një sistem sigurie dhe drejtësie, që mbron gjënë më të shenjtë: jetën e njeriut. Cdo ditë që kalon, qytetarët zhyten gjithnjë e më shumë në dëshpërim. Qeveria duhet të marrë gjithë masat e nevojshme për t’iu përgjigjur akuzës që Meksika është një narkoshtet. Nga eleminimi që në rrënjë i kësaj dobësie të rrezikshme të shtetit të të drejtës varet, pa e ekzagjeruar, jeta demokratike e vendit.
* Enrique Krauze është historian meksikan dhe drejtor i revistës “Letras Libres”.
SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button