Të gjithë i kemi ato bisedat e brendshme me veten – ndonjëherë të qeta, ndonjëherë të vrullshme, herë të mençura, herë krejt të pakontrolluara. Disa mendime vlejnë të thuhen me zë të lartë: “më ke munguar”, fjala vjen, kur ia dërgon një miku, ose një ide e re në punë që mund të të hapë dyert. Por, siç thonë psikologët, jo gjithçka që na kalon nëpër mend duhet të ndahet me të tjerët.
“Ti nuk ke pse të thuash çdo gjë që të shkon në mendje,” shprehet neuropsikologia Sanam Hafeez. Shumë nga këto mendime janë të papjekura, të nxitura nga stresi apo emocionet, dhe nëse i nxjerrim shpejt nga goja, mund të keqkuptohen apo të lëndojnë njerëzit që na rrethojnë. Më poshtë janë 8 mendime që, sipas psikologëve, është më mirë të mbeten aty ku lindin: në mendjen tonë.
1. “Është shëndoshur…”
Asgjë e mirë nuk lind nga ky koment. Edhe nëse personi nuk është aty ta dëgjojë, fjalët kanë mënyrën e tyre për të qarkulluar. Është një gjykim i panevojshëm që s’bën gjë tjetër veçse ul vlerën e tjetrit.
2. “Ish-i im ishte shumë më i mirë se ti në këtë gjë”
Krahasimet janë shkatërrimtare. Mund të nisin nga një mendim i sinqertë, por përfundojnë duke krijuar xhelozi dhe mosbesim. Në vend të kësaj, është më e shëndetshme të përdorësh fjalë që shprehin dëshirën tënde, pa përmendur fantazmat e së shkuarës.
3. “Ai beb nuk është i bukur fare”
Ndoshta mendimi është i çastit, por të thuash diçka të tillë është mizore dhe e panevojshme. Nuk fiton asgjë – përveç ndoshta një reputacioni si njeri i ftohtë e kritikues.
4. “S’besoj se ata mund ta përballojnë këtë gjë”
Të komentosh mbi financat e dikujt tjetër është jo vetëm arrogante, por edhe e pavend. Shpesh këto mendime lidhen më shumë me zilinë sesa me realitetin. Psikologët sugjerojnë: në vend që të thuash këtë, provo të gjesh mirënjohje për atë që ke vetë.
5. “Prindërit e tu më çmendin”
Po, ndonjëherë mund të ndihesh e irrituar me familjen e partnerit. Por ta thuash në këtë formë është si t’i hedhësh benzinë zjarrit. Më mirë është të përpunosh emocionin, dhe pastaj ta komunikosh me qetësi: çfarë të shqetëson dhe pse.
6. “Unë fitoj shumë më shumë para se ti”
Transparenca për pagat ka vlerë, sidomos në punë. Por në marrëdhënie personale, ta thuash kështu është si të mburresh ndërkohë që ul tjetrin. Nuk ndërton asgjë, përkundrazi mbjell mllef.
7. “Nuk më pëlqen partneri yt. Mund të gjeje më mirë”
Edhe nëse vjen nga kujdesi për shoqen, ky është një mendim që sjell vetëm mbrojtje dhe largim. Shpesh nuk ndryshon asgjë, veçse krijon tension mes jush.
8. “Do të të tregoj një sekret që dëgjova…”
Kur dikush të beson një gjë personale, ta ndash me të tjerë është një formë e qartë tradhtie. Jo vetëm që dëmton besimin, por krijon edhe imazhin e dikujt që përhap thashetheme. Sekretet nuk të bëjnë më interesant, përkundrazi, shpesh të izolojnë. / bota.al