Magazine

Mendime të vyera nga Lao Tzu, për kë do të zhytet në të thella …

Lao Tzu është një fjalë në gjuhën kineze, që do të thotë “Mesuesi i moshuar”. Eshtë edhe emri i një filozofi dhe mendimtari, që mendohet të ketë jetuar rreth shekullit VI p.e.s. Atij i atribuohet shkrimi i “Librit të jetës dhe virtyteve”. Kjo figurë, megjithatë, është edhe sot e kësaj dite e mbështjellë me mister, aq sa shumëkush dyshon që të ketë ekzistuar vërtetë.

E sigurtë është që trashëgimia e tij intelektuale ia ka dalë të mbijetojë deri në ditët e sotme. Qoftë nëse është vepër e një njeriu të vetëm, apo e shumë njerëzve, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është që ia ka dalë të plazmojë mësime që, edhe sot, mijëra vite më vonë, na bëjnë të zhytemi në mendime.

Lao Tzu na ka lënë një trashëgimi shumë të madhe urtësie. Mendimi i tij reflekton parime të ndryshme thelbësore të kulturës lindore. Eshtë një himn për maturinë, thjeshtësinë dhe qetësinë. Lartëson vlerat e inteligjencës dhe moderimit. Më poshtë janë pesë prej aforizmave të tij më të mrekullueshme, që shpresojmë ju ndihmojnë të reflektoni.

  1. Lumturia

Lao Tzu reflekton shumë për lumturinë. Ideja e këtij filozofi lindor, shumë shekuj para fillimit të konsumizmit, ishte që është e domosdoshme ta zhveshim lumturinë nga zotërimet. Një prej frazave të tij të pavdekshme, për këtë argument thotë: “Kush nuk është i lumtur me pak, nuk do të jetë as me shumë”.

Ky reflektim na fton që të fusim lumturinë në një kornizë ku ajo nuk varet nga ajo që kemi. Kështu që, të kesh pak nuk është sinonim i palumturisë. Ashtu sikurse të kesh shumë nuk është sinonim i lumturisë. Mirëqenia arrihet duke nisur nga një realitet që nuk ka të bëjë fare me zotërimet. Lumturia dhe palumturia janë brenda nesh, jo në ato që na rrethojnë.

2. Ngurtësia dhe fleksibiliteti

Shumë njerëz janë të bindur se kokëfortësia dhe vertikaliteti janë virtyte. Por, ky këndvështrim nuk gjen korrespondues në logjikën e jetës. Aty ku ka jetë, ka ndryshim. Dhe ku ka ndryshim, duhet të ketë patjetër edhe përshtatje. Jeta nuk na kërkon të qëndrojmë të palëvizur si një shkop hekuri, por të ecimsi një rrjedhë uji. Lao Tzu na ka lënë një reflektim të shkëlqyer nga ky pikëvështrim: “Njeriu në jetë është i butë dhe në evoluim të vazhdueshëm. Kur vdes bëhet i ngurtë dhe i pandryshueshëm. Bimët para diellit janë të përkulshme dhe elastike. Por kur vdesin, bëhen të thata e të palëvizshme. Prandaj gjithçka që është e butë dhe elastike lidhet me jetën, ndërsa ajo që është e pandryshueshme i afrohet vdekjes.

3. Të duash dhe të të duan

Shumë kohë përpara shfaqjes dhe përhapjes së doktrinave humaniste, Lao Tzu na ofronte një vizion të dashurisë si energji. Filozofi nënvizon dallimin mes të dashurit dhe të qënit të dashur në një prej aforizmave të tij të famshme: “Kur na duan thellësisht na japin forcë, kur duam thellësisht dikë marrim kurajo”.

Ka një dallim të lehtë por themelor mes forcës dhe kurajos. Forca mund të përcaktohet si aftësia fizike për të bërë diçka. Kurajo i referohet vendimit dhe vullnetit për ta bërë. Forca është mundësia për të bërë. Kurajo dëshira për të bërë. Dallimi emocional mes dy koncepteve është shumë i madh. Ndërkohë që dëshira sjell fuqinë, e kundërta nuk ndodh gjithmonë.

4. Dëshira dhe zhgënjimi

Kultura orientale është shumë e vëmendshme ndaj refuzimit dhe dëshirës. Në fakt konsiderohet burim i shumë vuajtjeve. Filozofia e tyre është më shumë e orientuar drejt kapacitetit për të hequr dorë nga ato që kemi, se sa kapacitetit për të kërkuar atë që duam. Besnik ndaj këtij mendimi, Lao Tzu reflektonte kështu: “Kush nuk dëshiron, nuk provon zhgënjimin. Dhe kush nuk provon zhgënjimin, nuk bëhet i lig. Pra, i mençuri i vërtetë pret me qetësi që gjithçka të ndodhë, pa patur asnjë dëshirë. Vetëm kështu mund të mbretërojë paqja dhe bota mund të ndjekë rrugën e saj të natyrshme”.

Në kulturën tonë perëndimore, ky mendim mund të tingëllojë pothuajse absurd. Jetojmë në një shoqëri ku ambicia shihet si burim rritjeje dhe progresi. E megjithatë, realiteti i sotëm na ka treguar se dëshira mund të jetë edhe një pus pa fund, që fatkeqësisht nuk na kënaq asnjëherë.

5. Të luftosh a të tërhiqesh?

Lindja është djepi i arteve marciale. Por, paradoksalisht, shumica e këtyre arteve ka si parim themelor përpjekjen për të shmangur luftimin. Mësimi më i madh i luftës në fakt është nevoja për t’u angazhuar që ta shmangësh. Këtë thotë filozofi Lao Tzu kur reflekton: “Libri i strategut thotë: Mos e provoko luftën, pranoje. Eshtë më mirë të tërhiqesh një metër se sa të përparosh një centimetër”.

Mendimi i Lao Tzu është padyshim një dhuratë e madhe dhe burim urtësie. Nuk na ofron vetëm një udhërrëfyes për të mësuar artin e të jetuarit mirë, por përdor edhe gjuhën e poezisë për të ofruar mësimet e veta. Sigurisht që kemi shumë për të mësuar nga ky personazh misterior mijëvjeçar, që sot na duket më i gjallë dhe aktual se kurrë. / Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button