Afërsisht një vit e gjysmë më parë, më ftuan në Bahrain për të folur në një organizim nga vetë presidenti i vendit. Një ditë pas fjalimit tim në atë takim, presidenti dhe e shoqja e tij vendosën të më dhuronin një udhëtim falas. Më çuan tek Pema e Jetës. Është shumë e vjetër, gati 400 vjeçare, por tepër e bukur.
Pema e Jetës gjendet në mes të shkretëtirës dhe nuk ka asnjë pemë tjetër pranë. Duhet të përshkosh milje e milje të tëra për të arritur në një pemë tjetër. Unë bëra disa kërkimë për të, pasi m’u duk e çuditshme se si mund të mbijetonte një pemë në mes të shkretëtirës, pa asnjë burim uji pranë. Disa shkencëtarë thonë se pema qëndron pa u vyshkur nga një sistem nëntokësor ujitjeje nga një burim që ndodhet dy kilometra larg. Është e çuditshme se si ky burim kaq larg mund të shërbejë për ujitjen e një peme dhe për ta mbajtur atë “të gjallë”.
Cilado qoftë mënyra, pema vazhdon të mbetet e mbushur me gjethe të gjelbëra dhe “është mësuar të mbijetojë” edhe në vendin më të vështirë. Kur unë u ula poshtë asaj peme dhe u luta, u mbusha plot me shpresë. Në çdo situatë, sado e vështirë mund të na duket ajo, apo sado e pashpresë, sërish shpresa ekziston. Nëse ne përqendrohemi tek historia e Pemës së Jetës dhe nëse gjejmë besimin e duhur tek vetja jonë, atëherë mund të gjejmë shpresë edhe në sfidat më të mëdha të jetës.
Radhanath Suami