Analiza

Mësime nga Ronald Reagani, mbi Putinin

KEN ADELMAN

C44249-21Ky muaj shënon 10-vjetorin e vdekjes së Ronald Reaganit, dhe gjatë kësaj kohe bota ka mësuar shumë më tepër gjëra – kryesisht përmes dokumentave të deklasifikuar – për mënyrën se si presidenti i 40-të i SHBA e përballoi rrezikun sovjetik. Nën udhëheqjen e duhur, ata mësime mund të ndihmojnë SHBA të përballojnë me më shumë sukses Rusinë gjithnjë e më luftënxitëse të Vladimir Putinit.

Së pari është nevoja për të zhvilluar një pikëpamje koherente për botën, si dhe një strategji afatgjatë. Rrugës për në Detroit, ku po shkonte të pranonte kandidimin për republikanët në vitin 1980, Reagani u pyet prej këshilltarit Stuart Spencer: “Përse po e bën këtë, Ron? Përse do që të bëhesh president?” Reagani u përgjigj: “Për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë”. Pak vite më herët, ai kishte përshkruar një formulë të thjeshtë për ta bërë të ndodhë: “Ne fitojmë, ata humbasin”.

Si drejtor i programit të kontrollit të armëve nga 1983 deri në 1987, kam parë me sytë e mi se sa shumë e pa u lodhur punoi Reagani për ta realizuar. Gjatë samitit për armët bërthamore në Rejkjavik, Islandë në tetor 1986, Mikhail Gorbachevi iu ankua Reaganit – më shumë se dhjetë herë në fakt, gjatë më shumë se dhjetë orëve negociata – se rusët po bënin gjithfarësoj lëshimesh, ndërkohë që Reagani nuk po bënte asnjë. Dokumentat e deklasifikuar që nga koha e vdekjes së Reaganit tregojnë që, të paktën në këtë pikë Gorbachevi kishte të drejtë.

Reagani përballej me një kundërshtar më të fortë se sa ai me të cilin përballet Obama sot. Ushtria e Rusisë sot është sa një e katërta e ushtrisë sovjetike në vitet 1980, dhe arsenali i saj bërthamor sa një e pesta. Ekonomia e Rusisë sot është pothuajse sa ajo e Italisë, dhe regjimit të Putinit, ndërkohë që ushqen nacionalizmin në vend, i mungon një ideologji si Marksizmi që mund të joshë intelektualët dhe tiranët jashtë vendit të tij. Presidenti Putin po punon pa një rrjet.

Megjithatë, agjenda aktuale e Amerikës nuk është aq ambicioze sa ishte ajo e Reaganit, që kërkonte fundin e Luftës së Ftohtë. Eshtë e vështirë të imagjinosh presidentin Obama, që merr një qëndrim “ne fitojmë, ata humbasin”, për pikat e nxehta si Ukraina apo Siria. Kjo administratë duket se do të ishte e kënaqur edhe me një barazim.

Së dyti, Reagani ndërmori hapa specifikë për të ndjekur strategjinë e tij. Ai i parashtroi këto qartë në Rejkjavik. Doktrina e tij “paqe përmes forcës” dhe forcimi i ushtrisë së SHBA – përfshirë Nismën e Mbrojtjes Strategjike që kundërshtarët politikë e quajtën Lufta e Yjeve – e tërboi homologun e tij rus. Presidenti Reagan e tha publikisht, dhe Presidenti Gorbachev e pranoi privatisht, se Bashkimi Sovjetik nuk mund të konkuronte me forcimin që po i bënte ushtrisë SHBA.

Në të njëjtën kohë, Reagani lançoi “luftën e ideve” që synonte të delegjitimonte sistemin sovjetik. “Perandoria e të keqes”, siç e quajti ai, ishte “fokusi i të keqes në botën moderne”, me një ideologji që do të përfundonte “në hirin e historisë”.

Ndoshta më shpëton diçka, por sot nisma të tilla mungojnë. Në vend të veprimeve të guximshëm, ka reagime të ngatërruar. “Vija të kuqe” që hiqen për tiranë si Putini apo Assadi, nisin të zbehen e më pas bëhen të gjelbëra. Paralajmërimet e vendosur shndërrohen në kollitje prej sikletit.

Në vend të godasë Moskën atje ku është më e dobët – siç bëri Reagani me forcimin e ushtrisë dhe sulmin intelektual ndaj komunizmit – tani ka vetëm përpjekje të vogla për të shfrytëzuar dobësinë energjetike të Rusisë. Memoja në lidhje me vendimin për gazjellësin Keystone XL nxjerr zbuluar të gjithë dokumentat që presin në kutinë postare të Zyrës Ovale.

Së treti, Reagani tregoi kurajë. Pothuajse 28 vjet më vonë, është mbresëlënëse të kujtosh sa i palëkundur u tregua ai në Rejkjavik. Ai hapi diskutimin më intensiv të superfuqive në histori duke thënë se “ndërkohë që secila palë nuk kishte besim tek tjetra”, nga ana tjetër ato nuk ishin njësoj fajtore – Amerika ishte në anën e duhur. Ai lëvdoi lirinë dhe dënoi sistemet që e shtypin. “Nëse dikush ju kritikon”, i tha ai homologut të shastisur, “ai shkon në burg”.

Dokumentat e deklasifikuar na ndihmojnë të vendosim veshin prapa derës së drunjtë të Hofdi House, ku u takuan dy udhëheqësit. Kur Gorbachevi kërkon që SHBA të heqë dorë nga Nisma e Mbrojtjes Strategjike, në këmbim të shkurtimeve të thellë bërthamorë, Reagani përgjigjet: “I kam premtuar popullit amerikan që nuk do të heq dorë nga Nisma”. Kur udhëheqësi rus thotë se e konsideron këtë Nismë një rrezik vdekjeprurës, Reagani përgjigjet: “Nisma për Mbrojtjen Strategjike është shansi më i madh për paqen në shekullin 20-të”.

Kur Presidenti Gorbachev bën përpjekjen e fundit në seancën e fundit në Rejkjavik, Reagani mbahet fort. “Ndonëse i donte shumë ata shkurtime në armët bërthamore të BS, ai nuk është gati të dorëzohet para kërkesës së sovjetikëve. “A është ky pozicioni yt përfundimtar”, e pyet Gorbachevi. “Që nuk ia dorëzon dot laboratorit punën e Nismës për Mbrojtjen Strategjike?”

“Po”, përgjigjet presidenti amerikan. “Duhen bërë disa kërkime në fazën laboratorike”, vazhdon ai, “por më pas duhet të dalësh jashtë e të provosh atë që është bërë në laborator”.

Kur lideri rus përpiqet sërish, Reagani ia pret: “Nuk mund të dorëzohem”.

“Kjo është fjala jote e fundit?” Reagani përgjigjet: “Po”.

Me qindra gazetarë që presin në oborrin e Hofdi House, dhe me botën mbarë që priste fjalët e një ujdie që nuk u arrit, Reagani tregoi se ndërkohë që ishte i gatshëm të ulej me rusët, ai ishte gjithashtu i gatshëm të qëndronte i palëkundur përballë tyre.

Ajo shfaqje force e shpërbleu me firmosjen e marrëveshjes më gjithëpërfshirëse të historisë për reduktimin e armëve bërthamore, në vitin 1987. Por shpërblimi më i madh erdhi në vitin 1991 – vetëm pesë vite pas samitit të Rejkjavikut – me kolapsin e Bashkimit Sovjetik dhe fundin e Luftës së Ftohtë, pikërisht sipas kushteve të Reaganit: Ne fituam, ata humbën.

  • Adelman, autor i “Reagani në Rejkjavik: 48 orë që i dhanë fund Luftës së Ftohtë” ka qenë Ambasador në OKB dhe drejtor i kontrollit të armëve, në kohën e presidentit Reagan.

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button