Histori

MESJETA / Rikthim në modë

Përse në shekullin XXI, epoka e mesjetës është rikthyer e është bërë aktuale. Mes xhihadit dhe miteve falsë që duhen zhvarrosur, në politikë dhe në modë

Të paktën që nga vitet Gjashtëdhjetë Mesjeta duket se është rikthyer në modë. Mendojmë për lulëzimin e shoqërive dhe festave me temë mesjetare që propozojnë receta (ndonjëherë false) të Vitit Njëmijë. Apo një mijë mënyra të tjera me të cilat shekujt e errët rithirren në aspekte të ndryshëm të shoqërisë sonë, që nga muzika tek kinemaja, e deri tek politika. Por ka edhe më: siç kujton Tommaso i Carpegna Falconieri, autor i “Mesjeta ushtarake” gjendemi sot në kulmin e një “Mesjete të re”

mesjeta 1

“Në njëzetepesë shtator njëmijë e dyqind e gjashtëdhjetë e katër, në mesin e ditës, Duka i Auge hipi në majën e kullës së kështjellës për të menduar për një moment situatën e tij historike. Kuptoi që ishte shumë pak i qartë”. Pikërisht me këto fjalë nis romani i Raymond Queneau “Lulet blu”, botuar në vitin 1965. Me ngjarjet që zhvillohen në vitin 1264, fliste në të vërtetë për kohën e tij. Por shkrimtari francez nuk ishte i vetmi që e përshtaste këtë dredhi.

Ringjallja

Të paktën që nga vitet Gjashtëdhjetë, Mesjeta duket se është rikthyer në modë. Mendojmë për lulëzimin e shoqërive dhe festave me temë mesjetare që propozojnë receta (ndonjëherë false) të Vitit Njëmijë. Apo një mijë mënyra të tjera me të cilat shekujt e errët rithirren në aspekte të ndryshëm të shoqërisë sonë, që nga muzika tek kinemaja, e deri tek politika.

Por ka edhe më: siç kujton Tommaso i Carpegna Falconieri, autor i “Mesjeta ushtarake” gjendemi sot në kulmin e një “Mesjete të re”. Për pjesën tjetër, ajo epokë që zgjati dhjetë shekuj mund të përdoret si term krahasues pozitiv apo negativ, sipas nevojës.

Në vitet pesëdhjetë, politika antikomuniste për të cilën paladin (me që ra fjala, një term mesjetar ky) ishte, në kulmin e Luftës së Ftohtë senatori McCarthy (mekkartizmi) u quajt nga gazetarët amerikanë “gjueti e shtrigave” (fenomen i cili është e vërtetë që nisi në Mesjetë, por përhapjen më të madhe e pati në vitet gjashtëqind). Administrata e Barack Obamas u krahasua me një Camelot të ri (mbretëria legjendare e ndriçuar dhe e drejtë e Mbretit Artur), ashtu siç kishte ndodhur tashmë me presidencën e John Fitzgerald Kennedyt në vitin 1961.

Pas atentatit ndaj Kullave Binjake në vitin 2001, është rikthyer në modë koncepti i kryqëzatës. Përveç përplasjes mes qytetërimit islamik dhe atij perëndimor, kemi si të përbashkët me epokën e kryqëzatave (shekujt Xi-XII) humbjen e kontrollit nga ana e shteteve mbi sektorë të gjerë të shoqërisë, presionin që ushtrohet mbi qeveritë nga ana e kompanive të mëdha shumëkombëshe (të krahasuara me baronët feudalë në gjendje të kushtëzonin atëherë politikën e sovranëve), por edhe tarifat e autostradave, të cilat të kujtojnë taksat e vendosura nga zotërinjtë lokalë për të kaluar nga një territor në një tjetër apo për të përshkuar një urë.

Forca e miteve

Këta paralele pak a shumë të detyruar janë të favorizuar nga një karakteristikë e Mesjetës: ajo ka qenë ndoshta periudha më “mediatike” e të gjithë historisë. Për arsye se ushtron një magjepsje misterioze, por edhe sepse – e mbi të gjitha – ka qenë një fabrikë e pabesueshme mitesh dhe legjendash.

“Eshtë një epokë për të gjithë stinët”, shpjegon Carpegna Falconieri. “Një periudhë kaq e gjatë – pothuajse një mijëvjeçar – dhe e largët, sa për të humbur, në ndjesinë e përbashkët, çfarëdolloj konotacioni historik”. Ringjallja e sotme, në fakt, nuk është lidhur asnjëherë me fakte preçizë, por me idenë që disa ngjarje të caktuara historike i kemi krijuar vetë. Madje, ndonjëherë është pikërisht mungesa e të dhënave historikisht të verifikueshme që i bën ngjarjet e mesjetës edhe më interesante. Mjafton të mendosh, për shembull, për aktualitetin e legjendës së Graalit të Shenjtë, që lindi në shekullin XII me “Le romn de Perceval ou le conte du Graal” të Chretien de Troyes, por që mes shekujve XVIII dhe XX zhvilloi një seri të zgjeruar interpretimesh dhe traditash, që e lidhin me alkiminë, me tempullarët, me masonerinë dhe me vendngjarje në variante të ndryshëm. Nuk ka një Graal të vetëm, por me dhjetëra. Pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për një kupë, një gur, një simbol alkimik, për pasardhësinë e Krishtit apo për varrin e Mari Magdalenës, siç ka shkruajtur Dan Braun, autori i “Kodi i Da Vinçit”. Janë të gjithë interpretime imponues, edhe pse historikisht të pathemel.

Cdo epokë të vetën

Për këto karakteristika të sajat, Mesjeta ka “infektuar” të gjithë epokat dhe vizioni që ka dalë nuk ka qenë gjithmonë dashamirës. Humanizmi dhe Rilindja, për shembull e kanë konsideruar “një boshllëk mes dy të plotave”, një ndërprerje përgjatë rrugëtimit të ndriçuar të njerëzimit, që përfundoi vetëm në Katërqindën me rikthimin e idealeve të lashtësisë klasike. Pikërisht atëherë lindën stereotipet më radikalë mbi “shekujt e errësirës”.

Ndërsa Tetëqinda i dha një gjykim të ndryshëm Mesjetës. Me Romanticizmin u nxorrën sërish në dritë legjendat popullore të epokës së mesit, e cila ushfaq tashmë si një kohë heroike dhe e papërbaltur. Jo rastësisht, XIX ishte shekulli gjatë të cilit Vëllezërit Grimm mblodhën me dhjetëra përralla popullore dhe gjatë të cilit jo vetëm iu rikthye dinjiteti Mesjetës, por u fiksuan edhe ata zakonet estetikë që janë të vlefshëm edhe sot e kësaj dite”.

“Të gjithë imagjinojmë damat mesjetare me kapelën e famshme në formë koni, e quajtur henin, praktikisht në modë në oborrin e Borgognas në vitet katërqind”, shpjegon Falconieri. “Në tetëqindën u rikthye si një prej veshjeve të skenës dhe të modës dhe më pas u bë kapelja e zanave në filmat e Ualt Disneyt”.

E majtë a e djathtë?

Që nga shekulli XIX, Mesjeta ka debutuar përveçse në teatër, edhe në politikë. Në krahun e djathtë ashtu sikurse në krahun e majtë. Nazizmi përdori mitin e Graalit, Sigfridit dhe sagat nordike për t’i dhënë një veshje mitike rrënjëve të popullit gjermanik. Në Itali e djathta bashkëkohore ka rikthyer toklien dhe zhanrin e fantazisë, ndërkohë që në vendet anglosaksonë saga e “Zotit të unazave” e krijuar nga Tolkien është e lidhur me kundërkulturën e hipive dhe lëvizjet ekologjiste të viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, që shkruanin kudo “Frodo lives!” (Frodo jeton) duke iu referuar protagonistit të ciklit të romaneve.

Nëse mitet dhe legjendat e lidhura me kryqëzatat marrin zakonisht një konotacion të djathtë në grupet neofashistë apo neonazistë, në krahun e majtë janë rivlerësuar elementët satirikë të Mesjetës, siç bëri Pier Paolo Pasolini (në filmat e tij Decameron dhe Rrëfimet e Kanterbëri për shembull) dhe “hokatari” Dario Fo. Kantautorë si Georges Brassens dhe Fabrizio De Andre, të dy krijues të një versioni muzikor të “Baladës së të varurve” të poetit mesjetar Francois Villon, i janë dedikuar gjerësisht periudhës: nga i dyti mund të kujtohen edhe këngët “Fila la lana”, “Geordie”, “Carlo Martello ritorna dalla bataglia di Poitiers”.

Mesjeta e të majtës ka përvetësuar edhe një personazh legjendar si Robin Hood, që është marrë si simbol i luftës kundër padrejtësisë sociale, duke e përjashtuar haptaz çështjen e besnikërisë së tij ndaj Rikard Zemërluanit (si dhe faktit që në legjendë ai ishte një grabitës, në fund të fundit). Miti i Robin Hoodit në fakt është përdorur për shembull edhe nga ish ministri italian i Ekonomisë Tremonti në vitin 2008, me të ashtuquajturën Robin Hood Tax, dhe janë të shumta karikaturat që e shfaqin Obamën si Robin Hoodin e ri.

Lega Nord në Itali është ndoshta partia që ka “plaçkitur” më shumë simbole mesjetarë: që nga kultura kelte, shpesh herë e shoqëruar me Mesjetën tout court, edhe pse është karakteristikë e epokave të mëhershme, deri tek lartësimi i heroizmit të Legas lombarde në luftën kundër Frederiko Barbarosës, që ka qenë pikër referimi edhe për patriotët e Rilindjes. Edhe një herë tjetër është një Mesjetë pa themel historik, siç e demonstron edhe figura (historikisht inekzistente) e Alberto da Giussanos.

Kalorës të terrorit

Po atëherë, Mesjeta është e majtë apo e djathtë? Ndoshta është të dyja. Apo, më mirë për ta thënë sipas fjalëve të Umberto Ecos, Mesjeta është frut i një “ngatërrese të vazhdueshme që qytetërimi ynë vazhdon të pleksë me atë që ka ndodhur mes rënies së Perandorisë romake dhe zbulimit të Amerikës”. Rezultatet mund të jenë shqetësues. Siç paralajmëron autori i “Emrit të trëndafilit”, është ok të ëndërrosh Mesjetën (siç ka bërë ai), por duhet të dish që ëndrra mund të shndërrohet në makth, në fund të fundit siç edhe ka ndodhur kohët e fundit.

Eshtë rasti i Anders Behring Breivik, norvegjezi që në 22 korrik të vitit 2011 bëri të shpërthejë një bombë në qendër të Oslos dhe nisi të qëllojë me armë kundër të rinjve që merrnin pjesë në një mbledhje të partisë laburiste, duke vrarë afro tetëdhjetë vetë: sapo u arrestua, u vetëshpall “kalorës tempullar i Europës” dhe e quajti aksioni e tij terrorist një “kryqëzatë të re”, një akt mbrojtjeje legjitime përballë politikave në favor të imigrantëve që po ndërmerrte vendi i tij. /Focus/

PERSHTATUR NGA www.bota.al

 

Mite për t’u zhbërë: Nuk është e vërtetë që…

Besonin se Toka ishte e sheshtë

Edhe pse ishte udhëtimi i Magelanit (1519-22) që i demonstroi botës se Toka është sferike, në shumë traktate mesjetarë lexohen përllogaritje që demonstrojnë kurbësinë e sipërfaqes së Tokës (të njohur që në kohën e grekëve të lashtë). Për shembull, në tekstin më të përhapur në universitetet europianë: “Tractatus de sphaera” i shkruajtur në gjysmën e parë të Dyqindës. Legjenda lindi diku rreth shekullit të gjashtëmbëdhjetë, kur humanistët panë në hartat mesjetare me formë rrethore (sipas planisferave bashkëkohore) një provë të injorancës së atyre që i kishin paraprirë.

Fisnikët gëzonin të drejtën e jus primae noctis

Quhej kështu, por nuk ishte e drejta e pronarit për të kaluar natën e parë me gratë e sapomartuara në territorin e tij. Bëhej fjalë në fakt për një taksë të vendosur nga pronari në këmbim të pranimit që ai i bënte martesës.

Lega lombarde bashkonte të gjithë komunat e veriut të Italisë

Komunat lombarde të dyqindës ishin shpesh në luftë mes tyre dhe Dukati i Milanos, që mblidhte taksat për llogari të perandorit gjerman, ishte për disa një armik. Jo vetëm: komuna të rëndësishme si Pavia dhe Komo u bashkuan me gjermanët, kundër “vëllezërve” lombardë.

Kishin frikë nga Viti Njëmijë

Thashethemnaja lindi nga leximi aposteriori i kronikave të Rudolfo Glabro, i cili në vitin 2048 foli për shenja apokaliptike, por nuk pati aspak panik. Shumica e njerëzve nuk e dinin që jetonin në vitin Një Mijë, vitet numëroheshin në bazë të viteve të mbretërimit të mbretit dhe lëvizjet milenariste që paralajmëronin fundin e botës u përhapën pas vitit Një Mijë.

Leave a Reply

Back to top button