Analiza

Metamorfoza e Hillarysë

hillaryBret Stephens
Robert Gates, i cili është “Captain Renault” i kohës sonë, kujton këtë bisedë në Shtëpinë e Bardhë mes Barack Obamës dhe Hillary Clintonit, në kohën kur ky i shërbente besnikërisht presidentit, si Sekretar i Mbrojtjes. Në librin e tij me kujtime “Duty”, Gates kujton se “teksa mbështeste fuqimisht rritje të angazhimit në Afganistan, Hillary i tha presidentit se kundërshtimi i saj për rritjen e angazhimit në Irak kishte qenë politik, për arsye se ajo po garonte kundër tij në zgjedhjet brenda partisë”. Më tej ajo vazhdoi: “Në Irak, strategjia funksionoi”. Presidenti pranoi, ashtu si nëpër dhëmbë, se kundërshtimi ndaj rritjes së angazhimit në Irak kishte qenë politik. Teksa i dëgjoja që shpreheshin kështu para meje, ishte befasuese, po aq sa tronditëse”.
Ja një temë e përshtatshme për një seminar filozofie të shkollës së mesme: “Cfarë, apo cili është vetvetja jote e vërtetë? A je Kierkegaardian, apo Aristotelian? Kush je ti? Je ti, i brendshmi dhe subjektivi? Je ti, personi i pëshpërimave private dhe qëllimeve të mirë? Apo je shuma e sjelljeve, deklaratave dhe veprimeve të tua në publik? A je ti, ai që ke qenë dhe që je? Apo mos ndoshta je ai që po përpiqesh të bëhesh?
Dhe nëse Znj Clinton e ka mbshtetur rritjen e angazhimit në Irak privatisht – sepse mendonte që kjo do e ndihmonte Amerikën të fitonte luftën – por e kundërshtonte publikisht – sepse kishte nevojë të fitonte zgjedhjet brenda partisë – a duhet të konkludojmë, se ajo është (a) e neveritshme; (b) e zgjuar; (C) të dyja bashkë; (d) “e çfarë ndryshimi ka në këtë pikë?”
***
Të gjithë këto më vijnë në mendje, pasi kam lexuar intervistën e Znj. Clinton me Jeffrey Golbergun e “The Atlantic”. “Kombet e mëdhenj kanë nevojë për parime që të organizohen”, tha ajo, në përgjigjen më të cituar të intervistës, dhe ‘Mos bëj budallallëqe’ nuk është një parim organizues”.
Kjo është një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj takimeve më të fundit të Shtëpisë së Bardhë, në kërkim të një koncepti orientues për politikën e jashtme. Por nuk ishte rasti i vetëm kur Clintoni “hidhte poshtë” shefin e dikurshëm.
Ajo foli ashpër kundër tërheqjes nga ana e Obamës në rastin e Sirisë: “Unë e di që dështimi – dështimi! – për të ndërtuar një forcë të besueshme luftuese, të atyre njerëzve që ishin në fillesë të protestave kundër Assadit… dështimi për të vepruar, që la një boshllëk shumë të madh, të cilin tani e kanë mbushur xhihadistët”. Ajo ishte e qartë në mbrojtjen që i bënte Izraelit, në një mënyrë që do të ishte e paimagjinueshme, në gojën e John Kerryt për shembull: “Nëse do të kisha qenë kryeministre e Izraelit, me siguri që do të prisja të kisha kontrollin e sigurisë në Bregun Perëndimor”. Ajo ishte dyshuese për diplomacinë bërthamore me Iranin, si dhe gatishmërinë e administratës për t’i lejuar Teheranit “të drejtën” për të pasuruar uraniumin. Ajo sulmoi kritikët e Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit: “Asnjëherë nuk mund të injorohet antisemitizmi, sidomos me atë që po ndodh në Europë sot”. Ajo foli mes reshtash për korrupsionin e Mahmoud Abbasit dhe rrethit të tij të ngushtë “të cilët po shijojnë një cilësi më të mirë jetese dhe po fitojnë para me gjithfarësoj gjërash”.
Clintoni fajësoi Moskën “për rrëzimin e një avioni civil”, ndërkohë që presidenti është në pritje për rezultatet e hetimit. Dhe ajo foli për fuqinë e Amerikës: “Kemi mësuar për limitet e fuqisë sonë për të përhapur lirinë dhe demokracinë. Ky është një mësim i madh që e kemi nxjerrë nga Iraku. POr kemi mësuar gjithashtu për rëndësinë e fuqisë sonë, ndikimit tonë, vlerave tona”. Me Obamën, theksi vihet gjithmonë tek limitet, pikë.
Gjithë këto mund t’i lexosh zakonisht në faqet e editorialeve të një gazete konservatore. Po çfarë ndodhi me Hillary Clintonin, e cila ishte një avokate e hershme e angazhimit diplomatik me Iranin, dhe që e vlerësonte Bashar Assadi si një “reformator”, si dhe refuzoi të bëjë thirrje për rrëzimin e tij gjashtë muaj pas fillimit të rebelimit? A nuk ishte ajo mbrojtësja më entuziaste e një rifillimi të marrëdhënieve me Rusinë? A nuk ia jepte ajo Netanjahut mesazhet e Shtëpisë së Bardhë, duke i bërtitur? A nuk e ka quajtur ajo dikur Hosni Mubarakun, diktatorin e Egjiptit, një mik të familjes?
Dhe a nuk e quajti ajo marrëdhënien me Obamën – në atë intervistën e mërzitshme që të dy dhanë për “60 minutes” – si “shumë të ngrohtë dhe shumë të ngushtë”? Ku është dashuria sot?

***
Për këtë pyetje, ka disa përgjigje të mundshme. Njëra është që, pikëpamjet që HIllary shprehu në intervistë janë të sinqerta dhe që i ka patur prej kohësh, dhe që ajo ka qenë gjithmonë një neokonservatore “e fshehur”. Revista Commentary me sa duket i dërgohet në kutinë postare, me një zarf ngjyrë kafe dhe pa shenja dalluese.
Një tjetër shpjegim është që Clintoni është në gjendje të lexojë sondazhet: tani, amerikanët nuk miratojnë (57% janë kundër dhe 37 % janë pro) mënyrën se si presidenti po menaxhon politikën e jashtme, dhe tani, ndonëse me vonesë, asaj i duhet të distancohet prej pasojave të politikave që dikur i mbronte. Një arsye e tretë është se ajo beson në çdo gjë që thotë, të paktën në kohën kur e thotë. Në fund të fundit është një Clinton.
Kanë diçka të gjithë këto teori: Oportunistit politik i mungon gjithmonë kurajo e bindjeve të tij/saj. Kjo nuk ndodh domosdoshmërisht sepse nuk ka bindje. Ndodh sepse bindjet u nënshtrohen gjithmonë nevojave të ambicieve dhe fitimit të mbështetjes së njerëzve.
Por prapë, kujd i bëhet vonë se cila është në të vërtetë Hillary Clintoni? Kur lind nevoja që kjo pyetje të ngrihet, kjo nënkupton që ne e dimë, apo duhet ta dimë, se si të përgjigjemi. E vërteta në lidhje me Znj. Clinton nuk është se çfarë mund të ketë në lojë në zgjedhjet e ardhshme. Eshtë e vërteta për atë se cilët jemi ne. A jemi të përgatitur të besojmë ndonjë gjë?
E provuam këtë me Barack Obamën, njeriu që premtoi të bëhej gjithçka që ne donim që ai të bëhej. Metamorfoza e Clintonit na fton ta bëjmë këtë gabim për së dyti. /The Wall Street Journal/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button