Kulture

Kryevepra të artit/Mikelanxhelo: Gjykimi Universal (1541)

gjykimiPërshkrimi:

Piktura madhështore përqëndrohet në figurën dominuese të Krishtit, kapur në momentin që i paraprin atij kur do të jepet verdikti i Gjykimit Universal. Veprimi i tij, autoritar dhe i përmbajtur, duket sikur në të njëjtën kohë tërheq vëmendjen dhe zbut nervozizmin përreth: ai bën me shenjë për fillimin e një lëvizje të gjerë dhe të ngadaltë rrethore, ku janë të përfshira të gjitha figurat.
Mbeten të përjashtuara dy hënëzat lart me grupe engjëjsh që mbajnë në fluturim simbolet e Pasionit (në të majtë Kryqi, dhe kurora; në të djathtë kolona e fshikullimave, shkalla dhe sfungjeri i mbushur me uthull). Në krah të Krishtit është Virgjëresha, e cila kthen kokën në një gjest dorëzimi: ajo në fakt nuk mund të ndërhyjë më në vendim, por vetëm të presë rezultatin e Gjykimit.
Eshtë e rëndësishme të vëresh se si ajo sheh me ëmbëlsi të përzgjedhurit për në mbretërinë e qiejve, ndërkohë që Krishti rezervon një vështrim të egër dhe të ashpër për ata që po zbresin në ferr. Edhe shenjtët dhe të bekuarit, të vendosur përreth dy figurave të Nënës dhe Birit, presin me ankth për të mësuar verdiktin. Nuk ka mëshirë në fytyrën e Marisë, e cila nuk u kthehet me vështrim të mëshirshëm të dënuarve, as edhe me vështrim të lumtur të përzgjedhurit: ardhja e re e Krishtit ka ndodhur, koha e njerëzve dhe pasioneve ka perënduar.
Dinamikat e botës së vdekatarëve i lënë vend triumfit të përjetësisë hyjnore. Disa të paradestinuar për lavdinë e Krishtit kanë lehtësisht të dallueshëm: Shën Pjetri me dy celësat, që rikthehen tek zotëruesi i tyre unik sepse nuk do të shërbejnë më për të hapur dhe mbyllur dyert e qiejve, Shën Lorenci, Shën Bartolomeu me lëkurën mbi të cilën mendohet të jetë pikturuar autoportreti i Mikelanxhelos – sipas rindërtimit të bërë në vitin 1925 nga mjeku dhe humanisti kalabrez Francesco La Cava – dhe fytyra e të cilit është portreti i Pietro Aretinos, Shën Katerina e Aleksandrisë, me rrotën e dhëmbëzuar, Shën Sebastiani i gjunjëzuar me shigjetat në duar.
Në pjesën e poshtme: në qendër, ëngjëjt e apokalipsit zgjojnë të vdekurit me tingujt e trombave të gjata, në të majtë të ngjallurit drejt qiejve rifitojnë trupat (ringjallja e mishit), në të djathtë engjëj dhe djaj bëjnë garë për të përshpejtuar të dënuarit drejt ferrit. Në fund, Sharoni me goditjet e rremave, bashkë me demonët godet dhe detyron që të dënuarit të zbresin nga varka e tij, për t’i dërguar përpara gjykimit të Ferrit, me trupat e shtrënguar prej gjarpërinjve. Në këtë pjesë është e dukshme ngjashmëria me Ferrin e komedisë Hyjnore të Dantes. Mikelanxhelo e imagjinon skenën pa asnjë pikënisje arkitektonike: gjithcka është kryer me një vorbull të dyfishtë vertikale, që zbret dhe ngjitet. Edhe një herë, autori e ka përqëndruar vëmendjen e tij tek trupi i njeriut, tek përsosmëria e tij qiellore dhe tek deformimi tragjik.
Figura dominuese është figura eliptike, si bajamja e dritës ku është vendosur Krishti apo rezultati tërësor i shtytjeve në zbritje dhe në ngjitje, përvec disa përjashtimeve, si forma sferike e grupit qendror të engjëjve, apo trekëndshmëria e shenjtëve në këmbët e Krishtit Gjykatës.
Tema, e metaforizuar në stuhinë dhe kaosin e pikturës, i shkon mirë për shtat fesë së trazuar të atyre kohëve, e karakterizuar prej kontrasteve, si të natyrës teologjike, edhe të natyrës politike, mes katolikëve dhe protestantëve dhe zgjidhja e Mikelanxhelos nuk fsheh ndjesinë e një ankthi të thellë sa i përket gjykimit të fundit.

Leave a Reply

Back to top button