Psikologji

Mirëqenia e brendshme. Keni një ankth të vazhdueshëm, për shkak se…

Doktor, nuk e kuptoj: asgjë e veçantë nuk ka ndodhur, po jetoja jetën time si gjithmonë, por prej një muaji jam ndjerë kaq e dëshpëruar. Të gjithë më thonë se nuk kam asnjë arsye të ndjehem kështu, dhe ata kanë të drejtë, pasi në fund të fundit nuk më mungon asgjë, bëj gjithçka që duhet të bëj. Atëherë, pse kam rënë në këtë gjendje?” Zakonisht me këtë argument shkojnë për psikoterapi, një pjesë e madhe e atyre që vuajnë jo vetëm nga depresioni, por edhe nga sulmet e panikut, fobitë (veçanërisht ajo sociale), dhe pagjumësia. Të gjithë tregojnë, të bindur se janë objektive, historia e një rënieje “të pashpjegueshme” në këtë simptomë: në sytë e tyre, e pashpjegueshme, sepse nuk mund të përmendin dot një ngjarje negative ose ndonjë ndryshim tjetër domethënës. Psikoterapisti më pas fillon të këqyrë jetën e pacientit dhe, në të vërtetë, vëren se nuk ka asnjë ngjarje.

Pa kënaqësi nuk jetohet

Por, duke parë me vëmendje, vërejmë diçka më të fshehtë: një “jo-ngjarje”, domethënë diçka që mungon. Arsyeja e krizës është pikërisht në këtë mungesë specifike: mungesa e parimit të kënaqësisë. Duket e pabesueshme që në një shoqëri të mbushur me narcizizëm dhe hedonizëm si e jona, zhvillohet një krizë psikike për shkak të mungesës së “gjërave që na pëlqejnë”; kjo buron nga fakti që, në jetën e përditshme, merr avantazh detyrimi për të qenë, detyrimi për të bërë, për të vazhduar me të gjitha detyrimet, angazhimet dhe madje edhe kënaqësitë, të përcaktuara nga një send në tjetrin, dhe që pastaj të hyjë në në tavën e gjërave për të bërë: detyrimi për t’u argëtuar. Ajo që bie në sy është se, siç sqaron personi që më pas i nënshtrohet psikoterapisë, kjo mungesë tani merret si e mirëqenë: “E ke parasysh, në moshën time … Angazhimet … Familja. Eshtë normale të mos kesh kohë për disa gjëra të caktuara …”. Eshtë “normale”, pasi depresioni tani është normal …

Kemi axhendë shumë plot

Shumë depresione, panik, fobi dhe pagjumësi “të pashpjegueshme” burojnë nga zhdukja e kënaqësisë spontane. Ose, për ta thënë saktësisht, zhdukja e “mundësisë” së kënaqësisë spontane në jetën e përditshme. “Por unë shkoj në palestër”, përgjigjet një person; “Unë luaj basketboll”, thotë një tjetër. “Dhe unë kam orën e futbollit në sallë të enjten mbrëma”, insiston një i tretë, ndërsa i katërti thekson se gruaja e tij nuk humbet kurrë një seancë pilates. Por çështja është pikërisht kjo: kënaqësia, në jetën e shumëkujt, nuk merr pjesë si protagoniste në përditshmërinë e tyre, është diçka që duhet futur në qoshen e saj, të përcaktuar, ku që pa nisur dihet se çfarë do të ndodhë dhe si. Nuk është më diçka që mund të ndodhë, të befasojë, të të tërheqë, siç bënte perëndia Dionis që në kohërat e lashta, një shprehje e këtij spontaniteti pasionant të qenies.

Perëndia Dionis nuk na viziton më…

Në jetën e sotme Dionisi nuk gjen hapësirë: menaxhohet, llogaritet, modulohet. Kur palestra, golfi, pilatesi, futbolli, kinemaja dhe gjithë pjesa tjetër përjetohen vetëm si dalje, shfryrje, pauza, lehtësime, ato nuk bëjnë asgjë përveç se na shërbejnë si paterica të së njëjtës jetë që po bëjmë. E vërtetë, kënaqësia spontane në këto jetë nuk është. Hapësira e saj është e zënë nga simptomat. Sigurisht që të gjithë e dimë se askush nuk mund të jetojë “në kënaqësi”, dhe as nuk është e dëshirueshme kjo, për ekuilibrin psikik, i cili gjithashtu kërkon edhe detyrime. Dhe ne e dimë që angazhimet, aq më tepër nëse kemi një familje, janë të shumta. Por, ajo që duhet të rikthehet është vetëdija se mundësia për të përjetuar kënaqësi nuk duhet të eleminohet nga mënyra e jetesës, sepse është një gur themeli i shëndetit mendor dhe fizik. / meb.al

Leave a Reply

Back to top button