Ekonomi

“Mirëqenia nuk është për të gjithë”. Si lindin shoqëritë e padrejta

HISTORIA E PABARAZISE (1) – Përse ekzistojnë njerëz e kombe të pasur dhe njerëz e kombe të varfër?
Dallimet kanë ekzistuar gjithmonë, edhe pse sot duken më të theksuar sepse na ishte krijuar iluzioni që zhvillimi nuk do të kishte fund. Udhëtim nëpër kohë për të zbuluar kur nisi gjithçka

Giovanni Vigo
Profesor i Ekonomisë në Universitetin e Pavias

pabarazia 1

Në vitin 1998 David Landes, një prej historianëve më prestigjozë të ekonomisë, botoi një libër, titulli i të cilit sillte në mendje traktatin e madh të shkruajtur dy shekuj më parë nga Adam Smithi. Me “Pasurinë dhe varfërinë e kombeve”. Përse disa janë kaq të pasur dhe të tjerë janë kaq të varfër, pyeste historiani i Harvardit, në rrugën e shkelur nga ekonomistët klasikë. Në vitin 1817, në një letër drejtuar David Ricardos, Thomas Malthusi theksonte se “objektivi i madh i të gjithë studimeve të ekonomisë politike ishte kërkimi i shkaqeve të pasurisë dhe varfërisë së kombeve”. Një nyjë që, pas dy shekujsh studime dhe kërkime, ekonomistët nuk kanë arritur ende ta zgjidhin në mënyrë bindëse. Varfëria është një prej problemeve më ngacmues të planetit tonë, dhe është bijë, ose të paktën kushërirë e afërt, e pabarazisë, një fakt i cili krijon një hendek gjithnjë e më të thellë mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë.
Pabarazia nuk është një problem që ka shpërthyer papritur në vitet e fundit. Në një farë mase ka ekzistuar gjithmonë, por sot shfaqet më e ashpër, si për shkak të dimensioneve që ka arritur, ashtu edhe sepse në tre dekadat pas Luftës së Dytë Botërore ishte krijuar iluzioni i një zhvillimi pa fund që do të eleminonte varfërinë edhe në zonat e goditura më rëndë.
Por në fakt varfëria është ende mes nesh dhe kriza i ka bërë edhe më të papranueshme pabarazitë mes të pasurve dhe të varfërve. E ka shpjeguar mirë Eric Hobsbaëm në librin e tij më të famshëm “Shekulli i shkurtër”. “Deri në vitet 80”, ka shkruajtur historiani anglez, “pjesa më e madhe e njerëzve ka patur një nivel jetese më të lartë se sa ai i prindërve të tyre dhe në ekonomitë e përparuara, më të lartë se sa pritshmëritë e tyre apo nga sa do të kishin imagjinuar. Në mesin e shekullit, për disa dekada, u duk se ishte gjetur metoda për shpërndarjen me një farë barazie të të paktën një pjese të kësaj pasurie tek klasat punëtore të vendeve më të pasur, por në fund të shekullit, pabarazia fitoi edhe një herë terren. Ajo u fut në mënyrë masive edhe në vendet ish socialistë, ku më parë mbizotëronte një farë barazie, e cila buronte prej varfërisë së përgjithshme”.

Një prizëm me një mijë faqe

Nëse një herë e një kohë i kushtohej një rëndësi më e madhe pabarazisë mes kombeve, sot, siç na e ka kujtuar Eric Hobsbawm, i kushtohet po kaq, apo ndoshta edhe më shumë vëmendje dallimeve në mirëqenien ekonomike të individëve. Në të gjithë shtetet ka zona më shumë apo më pak të zhvilluara; por edhe më të dukshme rezultojnë dallimet mes të ardhurave dhe pasurisë së grupeve të ndryshëm socialë. Dhe arsyeja kuptohet lehtë nëse është e vërtetë, ashtu si thotë Niall Ferguson në librin e tij të fundit (Rënia e madhe: Si shemben institucionet dhe vdesin ekonomitë) se “në vitin 1970, 1 përqindëshi më i pasur familjeve amerikane zotëronte 9 përqind të të ardhurave dhe në vitin 2007 kishte 24%” dhe që në këtë vitin e fundit “të ardhurat mesatare të 1% të amerikanëve më të pasur ishin 30 herë më të larta se sa të ardhurat mesatare të 99%-shit tjetër”.
Pabarazia është një prizëm me një mijë faqe: ajo nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat dhe pasuritë, por edhe jetëgjatësinë, gjendjen shëndetësore, arsimin, shanset për punë dhe të tjera. Megjithatë, për të ndërtuar historinë e saj është e nevojshme të vendosim pak rregull, duke ndjekur një fije përcjellëse që nuk fsheh aspektet e saj të shumëfishtë, por megjithatë pa u zgjatur në rrëmujën e parametrave dhe të hipotezave që do të na pengonin të ndiqnim evolucionin e saj, përtej rasteve të kufizuar.
Në vitet e fundit është diskutuar shumë për treguesit që mund të përfaqësojnë më mirë mirëqenien e arritur prej popullsisë. Atij tradicional të të ardhurave i është shtuar indeksi i zhvillimit njerëzor, i propozuar nga Amartya Sen, që përfshin përveç të ardhurave, pritshmërinë e jetës dhe shkallën e arsimimit; në vitin 2009, raporti i përpunuar nga Joseph Stiglitz, Amartya Sen dhe Jean-Paul Fitoussi, me porosi të Presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy, ka sugjeruar që të merren parasysh një tërësi faktorësh veçanërisht domethënës, si disponueshmëria e ujit, burimet energjetikë, cilësia e mjedisit, kapitali njerëzor; në vitin 2012, Kombet e Bashkuara botuan raportin e parë mbi indeksin e lumturisë i përgatitur mbi bazën e disa parametrave klasikë si pritshmëria e jetës, mungesa e korrupsionit, shëndeti, si dhe të tjerë, më pak të zakonshëm, si bujaria, liria e zgjedhjes dhe prania e dikujt tek i cili/e cila mund të mbështetesh.
Nuk është e pamundur të imagjinohen indekse të tjerë dhe është sigurisht e dobishme që të zgjerohet gama e faktorëve të marrë në konsideratë për të përcaktuar nivelin e mirëqenies, ose nëse preferohet, të qytetërimit. Por duke vepruar kështu, rrezikojmë t’i lëmë shumë hapësirë faktorëve të paponderueshëm dhe gjykimeve subjektivë që i bëjnë veçanërisht të vështirë, në mos të pamundur, krahasimet në kohë dhe hapësirë. Indeksi më i dobishëm për këtë qëllim është i përfaqësuar ndoshta nga shpërndarja e të ardhurave që, shoqëruar me shpërndarjen e pasurisë, na mundëson të krijojmë një ide realiste për cilësinë e jetës të atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë.
Të kamurit nuk munden vetëm të kanë një shumëllojshmëri më të madhe konsumi; të ardhurat e tyre u sigurojnë atyre dhe familjeve të tyre një arsimim më të mirë, jetë më të gjatë, ekzistencë më të pasur e kështu me radhë. Me fjalë të tjera, të ardhurat mund të konsiderohen një tregues jo banal sa u përket shanseve që u ofrohen familjeve të pasura dhe privimeve të atyre që kanë të ardhura modeste, në limitet e mbijetesës.
Natyrisht, sa më shumë shkon prapa në kohë, aq më e vështirë është të rindërtosh serinë historike të të ardhurave dhe të shpërndarjes së tyre, dhe akoma më e vështirë rezulton përllogaritja e njësive të pasurive. Por, nuk është e vështirë të krijosh një ide të besueshme – duke iu referuar disa burimeve – se si kanë qenë dhe ku kanë lindur pabarazitë, duke filluar nga periudha e Romës. Dhe prej atje do të fillojmë, / PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button