Analiza

“Mirupafshim dhe paçi fat!” Katër zgjedhjet e Perëndimit për Ukrainën

Frida Ghitis*

goo bye good luckNjerëzit misteriozë, me fytyrën të poshtë maskave kanë hyrë në Ukrainë, pak a shumë siç bënë muajin që kaloi në Krime, përpara se Rusia të shkëpuste dhe gëlltiste ish provincën e Ukrainës.

Cfarë do të bëjë tani presidenti Obama?

Ndryshe nga pushtimi i Krimesë prej Rusisë, qeveria ukrainase po tregon më shumë vendosmëri këtë herë, duke u betuar që “të mos lejojë përsëritjen e skenarit të Krimesë”. Dhe pikërisht kjo i duhet presidentit rus, Vladimir Putin, për të justifikuar një sulm të hapur ushtarak, me qëllim “mbrojtjen” e rusëve etnikë në Ukrainë. Mundësia e shpërthimit të një lufte është reale.

Zyrtarët amerikanë janë të bindur se ushtarakët e disiplinuar – që kanë pushtuar ndërtesat qeveritare në më shumë se një dyzinë qytetesh ukrainas, me maska dhe pa shenja identifikuese në uniforma – janë forca speciale ruse, ose operativë të paguar që synojnë të mbjellin trazira, dhe jo pjesë e një lëvizjeje popullore me ndjenja proruse. Megjithatë, paralajmërimet e Amerikës për pasoja të rënda kanë rënë në veshë shurdhët.

Me krizën që vazhdon të përkeqësohet, presidenti Obama mund të zgjedhë mes katër opsioneve.

  1. Të pushojë së bëri kërcënime boshe

Obama ka përsëritur se “do të ketë kosto” nëse Rusia pushton territor ukrainas. Por, Rusia pikërisht këtë gjë bëri. Përpjekjet për të patur edhe mbështetjen e europianëve për sanksione të rëndë kanë dështuar keqas. Në “lehjen” e tij, Perëndimi duket gjithnjë e më shumë që është “pa dhëmbë”. Deri tani, sanksionet janë të mangët.

Uashingtoni dhe aleatët duhet të vendosin sanksione realë dhe t’i ofrojnë Ukrainës mbështetje reale, ose përndryshe paralajmërimet e Amerikës do të jenë të pakuptimtë. Obama dhe Sekretari i Shtetit, John Kerry ende të krijojnë përshtypjen, pavarësisht provave për të kundërtën, se ata mendojnë që diplomacia dhe arsyetimi mund të bindin Putinin që të tërhiqet nga objektivi i tij për të dominuar Ukrainën, dhe druhen se sanksionet e ashpër do ta provokojnë. Por një mënyrë për ta bërë të tërhiqet është që të saktësohen kostot ekonomike dhe politike, ndërkohë që i lihet Moskës një rrugëdalje për t’u sprapsur. Obama duhet të marrë një vendim: Nëse SHBA nuk është gati të vendosë sanksione të fortë, është koha të pushojë së bëri kërcënime. “Vijat e kuqe” të Amerikës rrezikojnë të bëhen “barcaleta” ndërkombëtare. Kërcënimet boshë kundër “aktit të pabesueshëm të agresionit” nga ana e Rusisë po dëmtojnë SHBA, duke e bërë të duket si një tigër prej letre dhe duke i dobësuar edhe më shumë aleatët e saj. Paralajmërimet seriozë për pasoja, kur pasoja nuk ka, më shumë bëjnë dëm, se sa bëjnë mirë.

  1. Të vendosë ku të ndërtojë një hendek

Nëse SHBA nuk është gati të ndërmarë rreziqe për hir të Ukrainës, është koha të vendosë se cila pjesë e hartës ka rëndësi. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA arriti në përfundimin që të lejojë kontrollin sovjetik mbi Europën Lindore, ndërkohë që mori në mbrojtje pjesën perëndimore të Perdes së Hekurt. Ishte një kalkulim i ftohtë për të cilin popujt e Polonisë, Cekosllovakisë dhe gjetkë paguan një cmim të lartë. Por, i dërgoi një mesazh të qartë Moskës, që të ndalej përpara kësaj barriere ushtarake dhe ideologjike.

Uashingtoni mund të pranojë po kaq ftohtë që t’ia lëshojë Ukrainën, ose një pjesë të saj, Rusisë dhe përreth saj të ndërtojë një hendek të madh, apo të zgjedhë një tjetër vend në hartë për ta bërë këtë gjë. SHBA duhet të vendosë se deri ku mund të konsiderohet “që e ke tepruar dhe ke shkuar shumë larg”. Nuk ishte Krimea. A është Ukraina lindore, Ukraina perëndimore, Moldavia, shtetet balltike?

  1. Të shqyrtojë opsionin ushtarak

Shanset që SHBA do të shkojë në luftë për Ukrainën janë shumë të vegjël, por opsioni ekziston. Nëse Rusia përdor fuqinë e saj ushtarake përtej kufirit, atëherë dosja me etiketën “aksiopni ushtarak” do të vendoset mbi tryezën e Obamës. Luftërat janë të paparashikueshme dhe gjithmonë sjellin pasoja të papritura. Luftimet në kufirin e Bashkimit Europian do të vendosin NATO-n në gatishmëri të lartë dhe do të shkaktojnë një seri rezultatesh të tjerë. Nëse Ukraina dhe Rusia hyjnë në luftë, kalkulimet do të ndryshojnë në mënyrë drastike dhe të rrezikshme.

  1. T’u thotë mirupafshim dhe paçi fat ukrainasve

Ka edhe një opsion për Obamën. Ai mund t’i kthejë shpinën Ukrainës, t’i urojë gjithë të mirat dhe të vazhdojë punën e tij. SHBA mund të marrë një vendim që, më mirë të vazhdojë të punojë me Putinin për çështje si Irani dhe Siria, dhe të lejojë Rusinë të bëjë çfarë të dojë në “pjesën e saj të botës”. Eshtë një kurs veprimi që do të kënaqte izolacionistët amerikanë, si dhe ata që pranojnë pretendimet e Rusisë se telashet e sotme janë për faj të Amerikës dhe Europës. Fatkeqësisht, kjo do të shpaloste sfida të reja për paqen në botë, ashtu si dhe do të jepte kurajë gjetkë.

Politika amerikane synon, pa sukses, drejt opsionit Nr.1, por kërcënimet janë shumë më të mëdhenj se sa veprimi. Disa javë më parë, unë sugjerova që “kur steka të jetë ngritur shumë lartë, SHBA dhe Europa mund të ngrihen në nivelin e sfidës”. Kjo gjë mund të ndodhë. Por deri tani nuk ka ndodhur.

Togat me njerëz të maskuar të Putinit po bëjnë kërdinë në Ukrainë, dhe SHBA ende nuk ka vendosur se si duhet të reagojë. Në terma afatgjatë, Rusia do të vuajë nga taktika e të fortit që po zgjedh sot. Por në terma afatshkurtër dhe afatmesëm, ajo po fiton terren.

* Frida Ghitis është editorialiste për cështjet ndërkombëtare tek The Miami Herald. Ajo është autore e “Fundi i revolucionit: një botë që ndryshon përpara televizionit live”

Leave a Reply

Back to top button