Analiza

Mirupafshim Kosovë!

Përse popullsia më e re në moshë e Europës po largohet nga vendi i vet?

Guy De Launey

BBC News

Screen Shot 2015-03-22 at 15.55.29

Skena në “7 Arte `Cafe” të Mitrovicës është goxha festive. Dritat zbukuruese vezullojnë, në sistemin audio dëgjohet një përzierje këngësh në shqip dhe në anglisht, dhe 20 e ca vjeçarët e mbledhur përreth tryezave shpërthejnë herë pas here në të qeshura. Por ky gaz mbulon në fakt një realitet të zymtë për këta të rinj.

Kosova mund të ketë shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia shtatë vjet më parë, por kohët e fundit ka patur shumë pak arsye për të festuar.

Ajo nuk ka normën më të lartë të papunësisë mes të rinjve në rajon – ky “nder” i takon Bosnjes – por pothuajse gjashtë në dhjetë të rinj kosovarë nuk munden të gjejnë një punë.

Dhe për popullsinë më të re në moshë të Europës, ku më shumë se gjysma janë nën moshën 25 vjeç, ky bëhet një problem serioz.
“7 Arte Cafe” është një prej “viktimave”. Ajo rrallëherë hapet këto ditë, sepse klientët ose nuk munden ta përballojnë gjysmë Euron që paguajnë për një kafe,

ose marrin një pije dhe e zgjasin me të gjithë mbrëmjen.
Kështu që, është e vështirë të kuptosh përse dhjetëra-mijëra kosovarë janë larguar që nga fillimi i këtij viti – duke përballuar udhëtime të parehatshëm me autobusë dhe kalime të paligjshëm të kufijve, për t’u futur në vendet e Bashkimit Europian.

“Eshtë e trishtë që po ndodh, por nuk është faji i tyre; ata thjeshtë po kërkojnë një jetë më të mirë”, thotë njëra prej klienteve të “7 Arte”, 22-vjeçarja Ardita Gjergieku.

Ardita është një prej fatlumeve. Ajo ka një punë në marketing në kryeqytetin e vendit, Prishtinë. POr edhe ajo po planifikon të largohet – po studion anglisht dhe aplikon për bursë në universitete në SHBA dhe Europë. “Rinia e Kosovës është shumë e shëndetshme dhe ka shumë potencial për të punuar”, thotë ajo. “Sa keq që nuk mund të kontribuojnë, dhe të përdorin këtë potencial të lartë që kanë”.

Të tjerë në kafene po studiojnë për teste të gjuhës angleze, me qëllim që të bëhen më tërheqës për punëdhënësit e huaj dhe institucionet akademikë. “Shumica e tyre mendojnë se e vetmja zgjidhje është që të largohen jashtë vendit, sepse mund të gjejnë një vend pune, apo një pagë më të lartë”, thotë Lulzim Hoti, themeluesi i “7 Arte”, që është një organizatë kulturore rinore, dhe në të njëjtën kohë kafene. “Ata besojnë se çdo gjë jashtë Kosovës është shumë më e kollajtë”.

Lulzimi, ashtu si shumë të tjerë, pyet veten nëse eksodi i kohëve të fundit ka qenë i organizuar, kaq dramatike ka qenë rritja e numrit të tyre që përpiqen të largohen.

Por ai pranon se situata për të rinjtë është kaq e zymtë, saqë qoftë edhe qarkullimi i një thashethemi se largimi ishte i mundshëm, do t’i kishte nxitur njerëzit të bënin gati plaçkat. “Në çdo burg, po të gjeje një dritare të hapur, do të arratiseshe – thjeshtë për të parë diçka tjetër dhe përjetuar lirinë”, thotë ai. Shumë kosovarë thonë se e kanë të vështirë të shkojnë në vende të tjerë, për shkak të nevojës për t’u pajisur me vizë në shumicën e destinacioneve. Kjo e bën udhëtimin jashtë vendit të ngjashëm me frutin e ndaluar për të rinjtë – e si pasojë, edhe më tërheqës. Por shumë prej atyre që janë larguar së fundmi mund të rikthehen shumë më shpejt nga sa do të kishin dashur.

Të bësh ndryshimin
Shumë vende të BE kanë thënë se nuk do të pranojnë aplikime për strehim nga kosovarët, shtëpinë e të cilëve ata tani e konsiderojnë “të sigurtë”. Kështu që, do të riatdhesohen shumë shpejt. “Ata që janë larguar do të duhet të rikthehen”, thotë Ministri i Integrimit Europian të Kosovës, Besim Collaku. “Mesazhi im për të rinjtë është: mos shkoni. Qëndroni këtu dhe bëni ndryshimin në vendin tuaj – potenciali juaj është i nevojshëm tani. Nëse janë sërish të vendosur të largohen, ata do të duhet të punojnë me ne për të bërë të mundur udhëtimin në

mënyrë të ligjshme. Migrimi i paligjshëm nuk mund të jetë zgjidhje”.
Por shumë të rinj nuk mund të imagjinojnë të punojnë me një elitë politike ndaj të cilës kanë shumë pakënaqësi.

Dritaret në ndërtesën kryesore qeveritare në Prishtinë qëndruan të thyera për disa javë, pas një proteste të dhunshme në janar – një provë e rritjes së zemërimit këtu.

Kosovarët kanë duruar një seri privatizimesh të dështuar që kanë rezultuar shkatërrimtarë për shumë ish biznese shtetërorë, ndërkohë që shumë figura politike të profilit të lartë e kanë rritur dukshëm pasurinë e tyre personale.

Përpara
Të shumtë janë ata që shohin nga BE për ndryshimin; Brukseli ka misionin e tij të jashtëm më të madh në Prishtinë. Por BE dhe disa prej shteteve anëtarë janë gjendur nën kritika për shkak se kanë favorizuar politikanë të Kosovës, në vend që t’i detyronin të jepnin llogari. Zgjedhjet e vitit që kaloi rikthyen edhe një herë të njëjtat fytyra në pushtet, por në poste pakëz të ndryshëm, por BE beson se progresi është i mundshëm.
“Ne duhet t’i japim qeverisë një shans për të shpalosur politikat e saj”, thotë Tmo Gnocchi, kreu i sektorit ekonomik në delegacionin e BE në Prishtinë. “Idetë e tyre janë të mira – por sfida është zbatimi. Ne po i inkurajojmë që të krijojnë ndryshim real”.

Ky do të ishte padyshim i mirëpritur nga të rinjtë e Kosovës. Por, të krijohet përshtypja se nuk është se ata po mbajnë frymën. Në vend të kësaj, të rinj si Ardita Gjergieku po i marrin gjërat në duart e tyre. “Kam në plan të studioj për një master jashtë vendit, më pas të kthehem e të kontribuoj për vendin tim”, thotë ajo.

“Dua të krijoj një kompani të re, të kem ndikim mbi njerëzit, të udhëheq dhe të mësoj me qëllim që vendi të ecë përpara”.
Duket se gjasat janë që Kosova të humbasë perspektivën e saj më të mirë përpara se të gjejë një mënyrë për t’u dhënë atyre shpresë në shtëpi./ BBCNEWS/


Screen Shot 2015-03-22 at 15.55.37 Screen Shot 2015-03-22 at 15.55.18

Leave a Reply

Back to top button