EnciklopedikeHistori

Misionet që sollën fitoren e Luftës së Dytë: Operacioni “Pastorius”

Lufta e Dytë Botërore u shenjua nga disa prej betejave më të mëdha të historisë së njerëzimit. Luftuar nga milioina ushtarë në teatro të ndryshëm përreth globit, ajo ishte një luftë e luftuar në një shkallë të paprecedentë.

Por Lufta e Dytë Botrore nuk u luftua vetëm me ushtarë dhe makineritë e tyre industriale të luftës. Ajo pa edhe shfaqjen e një lloji të ri lufte që realizohej nga një lloj i ri ushtari: misione të fshehtë dhe operacione sekretë, të projektuar për të goditur shënjestra thellë prapa vijave të armikut.

Këta misione ishin po aq të rëndësishëm sa edhe betejat epike. Objektivat – realizoheshin apo jo me sukses – do ta çonin fitoren e luftës në njërën anë apo në tjetrën, dhe do të kishin pasoja masive sa i përket rezultatit të saj përfundimtar.

U luftuan nga një numër njerëzish të guximshëm, në vende dhe situata nga më të rrezikshmit, teksa politika e Adolf Hitlerit për ekzekutimin e të gjithë komandove të armikut që kapeshin robër, nënkuptonte që ata që do të dorëzoheshin do të paguanin edhe çmimin final.

Shumë prej organizatave të fshehta të ditëve të sotme mund t’i gjejnë rrënjët e tyre që tek Lufta e Dytë Botërore: Komandot Britanikë u krijuan prej vetë Uinston Churchillit; Zyra e Shërbimeve Strategjikë e SHBA (OSS) do të bëhej më vonë CIA, ndërkohë që SAS – forcat speciale më të famshme nga të gjitha – u krijuan në shkretëtirën e Afrikës Veriore në vitin 1941.

Por lufta e Dytë Botërore nuk u luftua vetëm nga ushtarët; të gjithë luajtën pjesën e tyre, që nga civilët tek shkencëtarët, dhe disa prej misioneve të fshehtë më të rëndësishëm të luftës u ndërmorën dhe fituan prej ushtarëve të zakonshëm. Dhe, siç do të shihet, edhe një njeri i vdekur ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në shpëtimin e mijëra jetëve të aleatëve në luftën kundër nazistëve.

Screen Shot 2015-07-25 at 22.36.21Operacioni Pastorius
Nazistët pushtojnë SHBA
Data: Maj-Qershor 1942
Objektivi: Sabotazhi i shënjestrave kyçe ekonomike dhe pengimi i përpjekjeve amerikane për luftë. Shënjestrat përfshinin impiantet hidroelektrikë në Ujëvarën e Niagarës, Stacioni i Pensilvanisë në Njuërk dhe impiantet e aluminit në Illinois.
Palët ndërluftuese: Agjentë të fshehtë nazistë, FBI
Skena: Në territorin e SHBA

Në 25 maj 1942, dy U-boat-e të nazistëve u nisën për në Shtetet e Bashkuara. Destinacionet e tyre ishin Long Island dhe Plazhi i Ponte Vedra, në Florida. Secila kishte katër agjentë të nazistëve. Misioni i tyre: Bombardimi i infrastrukturës jetësore amerikane të prodhimit.

Dy prej tyre ishin nënshtetas amerikanë: Ernst Burger dhe Herbert Haupt. Gjashtë agjentët e tjerë, nënshtetas gjermanë, kishin punuar të gjithë në SHBA para luftës. Ata sollën me vete eksplozivë, detonatorë dhe rreth 175 mijë dollarë amerikanë. Fushata do të duhej të zgjaste dy vjet.

Dy prej agjentëve, Burger dhe George John Dasch vendosën që të dezertojnë sapo zbritën në breg. Dasch u nis për në Uashington DC, ku u dorëzua tek FBI dhe ku, fillimisht e injoruan duke e konsideruar të marrë. Përgjigja e Dasch ishte që të hidhte mbi tryezë të gjithë buxhetin e tij prej 84 mijë dollarësh. Ai u ndalua menjëherë dhe u mor në pyetje.

Në dy javët që pasuan agjentët e tjerë u arrestuan dhe u nxorrën para gjyqit. Të tetë agjentët, përfshirë Dasch dhe Burger, u dënuan me vdekje në karriken elektrike. Në këtë pikë ndërhyri presidenti Roosevelt dhe e uli dënimin për Dasch dhe Burger në 30 vjet heqje lirie dhe në burgim të përjetshëm, respektivisht. Agjentët e tjerë u ekzekutuan në një burg në Uashington. Pas luftës, Roosevelt u ofroi faljen Dasch dhe Burger me kushtin që të riktheheshin në Gjermani.

Rezultati: Dështim. Teksa asnjë prej shënjestrave nuk u arrit të goditej, Operacioni Pastorius ishte një dështim total për nazistët. Nuk u shkoi mirë as agjentëve: vetëm dy prej tyre mbijetuan, edhe këta vetëm pas ndërhyrjes së Presidentit Roosevelt. (vijon)/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button