Magazine

MISTERI I LUSITANIAS / “Vrasje” në det të hapur

Screen Shot 2015-08-16 at 20.07.09

Në maj të vitit 1915, RMS Lusitania, e njohur ndryshe edhe si Lucy, ishte një prej anijeve transoqeanike më elegante dhe të bukura. Ajo e kish bërë udhëtimin e saj të parë vetëm në vitin 1907, dhe që atëherë kish përshkuar më shumë se 200 herë rrugën transatlantike, ndërmjet Liverpulit dhe Nju Jorkut. Më herët kish qenë fituese e Shiritit Blu për kohën më të shpejtë të përshkimit të Atlantikut. Edhe në një epokë elegance, ajo shihej si shumë speciale, e madje edhe pasagjerët e klasit të tretë udhëtonin në një farë luksi. Por gjithë kjo ndryshoi në gusht të vitit 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Tani Lusitania u përshtat për luftë dhe u riklasifikua si një anije tregtare ushtarake dhe asaj iu montuan armë. Ndonëse armët nuk u instaluan asnjëherë dhe luksi mbeti, që tani e tutje ajo do të transportonte materiale lufte. Që nga shkurti 1914, me shpalljen prej gjermanëve të luftës detare të pakufizuar, udhëtimi drejt Amerikës dhe nga Amerika ish mbushur me rreziqe. Por Lucy ishte e shpejtë, ajo e kish përshkuar edhe më parë oqeanin dhe kish mbetur e paprekur, kështu që nuk kish arsye të besohej që nuk do të vazhdonte ta bënte këtë edhe në të ardhmen.

Me fuqi të plotë

Lusitania mbërriti në Nju Jork në 27 prill të vitit 1915, dhe nisi menjëherë përgatitjet për udhëtimin e kthimit. Ndërkohë, kapiteni i saj, Daniel Dow hoqi dorë nga komanda, thuhet se kish nevojë për pushim, për shkak të stresit të drejtimit në kohë lufte, dhe William Turner, kapiteni më me përvojë, mori komandën. Në anije ndodheshin 4.200.000 fishekë, 1250 gëzhoja predhash si dhe 18 ndezës joshpërthyes. Të paktën, kjo ishte ngarkesa e deklaruar zyrtarisht. Edhe kaq, mjaftonte që gjermanët ta konsideronin kontrabandë lufte. Disa pasagjerë, të shqetësuar se ngarkesa do ta bënte Lusitanian shënjestër për nëndetëset gjermane, shkuan në ambasadën e Gjermanisë për sqarime. Si rezultat, ambasada gjermane botoi një njoftim që do të shfaqej poshtë posterave, që lajmëronin udhëtimin në kthim të Lusitanias. Në të thuhej: “Udhëtarët që kanë ndërmend të bëjnë udhëtimin e Atlantikut, duhet të kujtohen që ekziston një gjendje lufte mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, dhe zona e luftës përfshin ujërat pranë Ishujve Britanikë, në përputhje me njoftimin formal të dhënë nga Qeveria Imperiale Gjermane, mjetet që mbajnë flamurin e Britanisë së Madhe mund të shkatërrohen në ata ujëra dhe se udhëtarët që lundrojnë në ato ujëra në anije britanike, duhet të kenë vetë parasysh rrezikun”.

Paralajmërim!

Paralajmërimi pati efekt sepse trembi disa pasagjerë, por kur ata panë madhështinë e anijes, vendosën të udhëtojnë me të, pasi dukej e pamundur që mund të fundosej. Kapiteni William Turner i siguroi se Lucy ishte shumë e shpejtë për t’u kapur nga një nëndetëse; dhe kështu, Lusitania u largua nga porti i Nju Jorkut, në 1 maj 1915.

Ditët e para të udhëtimit të Lusitanias ishin të patrazuara dhe dukej sikur lufta po ndodhte diku tjetër. Por të gjithë në bord e dinin, që ende nuk i ishin afruar zonës së vrasjes. Kapiteni Turner, që kish vendosur të injoronte këshillën e Admiralëve dhe të mos ndiqte një kurs me zig zage, duke u besuar kështu instikteve si një marinar me përvojë, kish zgjedhur të mbështetej tek shpejtësia. Ai kish vendosur gjithashtu të lundronte në brigjet irlandeze, pavarësisht se ky ishte vendi i preferuar i gjahut për U-boat-et.

Teksa Lusitania iu qas Ishujve Britanikë, atmosfera në bord ndryshoi dhe pati një lloj ankthi mes pasagjerëve, teksa shumë prej tyre dolën dhe nisën të kërkojnë me sy për silura që mund të afroheshin. Në 6 maj, Kapiten Turner mori mesazhin: “Nëndetëse aktive në bregun jugor të Irlandës”. Ai mori menjëherë gjithë masat e nevojshme; të gjithë dyert u mbyllën, u fikën dritat dhe u nxorën barkat e shpëtimit. Pavarësisht këtyre masave, Lusitania vazhdoi të lundrojë në vijë të drejtë dhe kish ulur shpejtësinë, për shkak se kishte ndeshur në një mjergull të lehtë. Tashmë ishte një shënjestër thuajse e palëvizshme.

Në orën 1:20 të 7 majit, teksa Lusitania po kalonte pranë Kokës së Kinsale, U20, nën komandën e kapitenit Walther Schwieger doli në sipërfaqe për të rikarikuar bateritë. Në distancë, ai pikasi anijen më të madhe oqeanike që ishte në shërbim në atë kohë. Nuk mund të besonte një fat të tillë, por nga ana tjetër ishte gjithashtu i kujdesshëm, sepse i kishin mbetur vetëm dy silura. U zhyt menjëherë, po çfarë të bënte? Ishte një anije pasagjerësh, mund të kishte gra dhe fëmijë mes tyre. Ai kish fundosur edhe më parë anije pasagjerësh, por pa humbje jetësh njerëzish, pasi kish lejuar ekuipazhin që më parë të braktisnin anijen. Por në këtë rast, nuk do të ndodhte kështu.

Kapiteni Schwieger mund të shihte qartë ngarkesën me armë, dhe ishte i vetëdijshëm se anija mund të qe e armatosur. Ai dinte gjithashtu se këto anije kishin marrë urdhër të sulmonin nëndetëse, kudo ku ishte e mundur. Në orën 2:10, Schwieger lëshoi një silurë të vetme. Vendimi për të bërë këtë shkaktoi pak fërkim mes ekuipazhit dhe njëri prej tyre, Charles Voegele refuzoi të marrë pjesë në një sulm ndaj grave dhe fëmijëve, gjë për të cilën do të bënte burg.

Një njeri mbi bord pa silurën të afrohej dhe lëshoi alarmin: “Po afrohet një silurë në anë!” Por ishte shumë vonë për të vepruar. Vetëm 70 sekonda pasi ishte lëshuar, silura goditi, pati një shpërthim të tmerrshëm, por ky u shoqërua më pas nga një shpërthim i dytë, shumë më i madh. Një silurë e vetme nuk do të kish qenë e mjaftueshme për të fundosur Lusitanian, por një e dytë kish vulosur fatin e saj.

Kapiteni Turner e dinte që nuk mund ta mbante mbi ujë Lusitanian, ai dinte gjithashtu se tashmë toka dukej me sy, kështu që urdhëroi që anija të drejtohej nga bregu irlandez, dhe me shpejtësi të plotë ai shpresonte të arrinte në breg me të. Ndërkohë, dha urdhër të braktisej anija. Mbi bord mbizotëronte kaosi, dhe shumë shpejt u përhap paniku, teksa ikën dritat. Disa njerëz ngecën në ashensorët elektrikë dhe nuk mund të dilnin prej aty. Por tani anija po fundosej kaq shpejt, saqë pasagjerët po luftonin shumë të qëndronin lart.

Gjithashtu po bëhej pothuajse i pamundur lëshimi i varkave të shpëtimit. Disa u përplasën në anë duke hedhur njerëzit si kukulla fëmijësh, të tjera u përmbysën duke vënë përfund njerëzit në detin e ftohtë. Nga 48 varkat e shpëtimit, vetëm 6 u lëshuan me sukses. Vetëm 18 minuta pas goditjes nga silura, Lusitania shkoi në fund të detit, duke marrë me vete 1198 nga 1959 njerëzit që kish në bord.

Anijet irlandeze të peshkimit, ekuipazhet e të cilave kishin qenë dëshmitarë të skenës që nga bregu, nxituan që nga Queenstown për të ndihmuar ata që luftonin mbi ujë. Kapiteni Turner mbijetoi. Cunard ofroi shpërblim në para për trupat që do të gjendeshin, por vetëm 289 u gjetën.

Tragjedia e Lusitanias ishte një grusht propagande për qeveritë britanike dhe ato aleate, pasi mes viktimave ishin 128 qytetarë amerikanë. Presidenti Wilson nuk do të fuste asnjëherë Amerikën në luftë për shkak vetëm të fundosjes së Lusitanias, por ai protestoi me termat më të fortë të mundshëm dhe gjermanët, nga frika e ndërhyrjes së amerikanëve në luftë, e braktisën përkohësisht politikën e luftës detare të pakufizuar. Ata e rinisën në shkurt 1917, dhe si rezultat në 10 muajt që pasuan, Britaia shkoi shumë pranë krizës së urisë.

Pa fundosjen e Lusitanias, lufta e vazhdueshme e pakufizuar me nëndetëse mund ta kish gjunjëzuar Britaninë. Kjo e bëri gjithashtu më të lehtë shkuarjen në luftë të amerikanëve, në prill 1917. Në ndërkohë, gjermanët kishin nxjerrë një medalje për të përkujtuar ngjarjen. Ajo kish një pikturë të Lusitanias që fundosjes me fjalët: No Contraband! / HT – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button