Horizonti.al

Misteri i thesarit të fshehur në Malin e Bardhë

Një çantë me gurë të çmuar zbulohet në vendin e përplasjes së një avioni nga India në Malin e Bardhë në Francë. Zbuluesi i dorëzoi në polici, duke nisur procedurat formale të “kërkimit të pronarëve”, por nëse nuk ka pronar, gjetësi do t’i mbajë për vete

Screen Shot 2016-06-01 at 07.41.32

Është një histori shumë e bukur – një kryebashkiak francez, një alpinist, një historian dhe një tregtar i pasur gurësh të çmuar hebre nga Londra, bashkë me lidhjet e tyre të shumëfishta arrijnë të marrin bizhuteritë e humbura që u zbuluan në një majë në Malin e Bardhë.

Historia fillon herët në mëngjesin e 24 janarit 1966, kur fluturimi i “Air India 101” fillon uljen e vet drejt aeroportit të Gjenevës. Piloti e ka keqllogaritur lartësinë e “Boeing 707” dhe ishte drejtuar për te maja e Malit të Bardhë, mali më i lartë i Francës.

Të 117 njerëzit në bord u vranë kur avioni u përplas. “Ai krijoi një krater të stërmadh në mal”, tregon një udhërrëfyes i malit, i cili ishte i pari që arriti skenën e aksidentit. “Çdo gjë ishte bërë thërrmija. Asgjë nuk ishte e identifikueshme me përjashtim të pak gjërave.”

Disa përpjekje shpëtimi për të rikuperuar trupat dhe mbetjet u anuluan për shkak të motit të keq në majë të malit. Shumë mbetje nga avioni – përfshirë një çantë poste diplomatike dhe një rrotë – janë mbledhur përgjatë viteve që nga koha e tragjedisë, por copat e metalit gjenden ende në majë të malit.

U desh një gjysmëshekull që vendi i rrëzimit të zbulojë sekretin e vet më të madh.

Mes mbetjeve të djegura që u shpërndanë në akullnajë, gjendej një valixhe e vogël përplot me 100 smeralde të çmuara, safirë dhe rubinë që u hodh në ajër dhe u gropos në akull.

Kutia, për të cilën dy familje pretendojnë se ka emrat e tyre në anë, u zhyt në akullnajë për t’u shfaqur vetëm 47 vite më vonë në duart e një alpinisti vendas, ndërsa ai shkoi te xhandarmëria e zonës.

Xhandarët e theksuan shumë vendimin e alpinistit për të mos e mbajtur për vete atë që zbuloi, e cila vlerësohet në 246 mijë euro.

“Ju mund ta shihni, ai është shumë i ndershëm”, tha shefi i xhandarmërisë, Silvan Merli (Sylvain Merly). “Ai ishte alpinist… dhe nuk deshi të mbante diçka që i përkiste dikujt që kishte vdekur.”

Merli i dërgoi xhevahiret menjëherë te kryebashkiaku i Shamoniks, i cili i vendosi ato në një kasafortë të bashkisë deri sa iu tregua lajmi medias.

Kur lajmi u publikua, gazetarët filluan të gërmojnë për më shumë detaje – deri sa në një pikë publikuan një foto të udhërrëfyesit malor, Stefan Dan (Stephane Dan), me atë që dukej se qenë xhevahiret para tij. Në fakt ata qenë gurë të rëndomtë që merreshin nga mali dhe shiteshin për 20 euro copa.

“Mund të isha unë ai që zbuloi thesarin e vërtetë”, ankohet ai. “Unë ngjis malin përgjatë të gjithë verës, duke mbledhur copat më të mira të mineralit për t’i shitur. Unë zbulova shumë pjesë të avionit. Një herë zbulova rrotat. Zbulova një shishe speciale që përdoret për përgatitjen e kafesë dhe që kishte etiketën ‘Air India’. Madje gjeta edhe altimetrin e përdorur nga avioni.”

Ky ishte aksidenti i dytë i një avioni të “Air India” që u përplas në zonë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, një avion i njohur si “Princesha Malabar” u zhduk në mal, ndërsa përpiqej gjithashtu të ulej në Gjenevë. Kështu që qenë mbetjet e dy avionëve të shpërndara në zonë.

Dan thotë se thashethemet vendore sugjerojnë që alpinisti që zbuloi çantën me gurë të çmuar ishte nga Burg-Sen Moris, një fshat tri orë larg me makinë nga Shamoniks. “Ne të gjithë kemi dëgjuar se çfarë ndodhi, por e gjitha ishte një mister. Ne e dimë se ishte e vërtetë – por as unë nuk e di se cili qe.”

Në këtë pikë, unë fillova të përpiqem të filmoj bizhuteritë, por Silvan Merli tha se nuk lejohej më të diskutonte historinë me gazetarët, duke më sugjeruar t’ia bëj pyetjet departamentit të prefektit të Hot Savoi në Anesi.

Zyra e prefektit tha se nuk kanë të bëjnë fare me hetimin dhe më dërguan te Fransua Bukuin (Francois Bouquin), kreu i zyrës së kryebashkiakut në Shamoniks. Bukuin tha se zyra e kryebashkiakut nuk ishte më përgjegjëse për udhëheqjen e hetimit, duke më dërguar në një gjykatë në Bonevile.

Gjykata në Bonevile më dërgoi në Gjykatën e Albertvilës, e cila, e hutuar, më dërgoi pas te Bukuin – i cili tha se nuk ishte i sigurt se cila prej gjykatave ishte përgjegjëse.

Pas telefonatave të shumta dhe orëve të shpenzuara duke dëgjuar koncertet për violinë të Mozartit, unë i bëra të ditur Bukuinit se pata folur me të gjithë që më pati sugjeruar.

Në fund ai më dha një përgjigje: “Unë nuk desha të të them ‘jo’. Por ti nuk mund t’i shohësh gurët. Dhe këtë herë, është një çështje sigurie. Ne po kryejmë hetimin tonë mbi këtë rast. Ne nuk ndiejmë se media është e nevojshme për momentin.”

Unë ia dola, gjithsesi, ta bind atë të më japë dy fotografi të asaj që ai e quajti “thesari”, në duart e kryebashkiakut, por ata qenë brenda një qeseje policie.

“Kjo histori është kaq shumë franceze”, thotë Fransua Rej (Francoise Rey), një historiane vendase dhe autore e librit “Përplasje në Malin e Bardhë”, një libër mbi dy aksidentet e “Air India”. “Ti u kërkon atyre të shohësh gurët dhe ata të dërgojnë foto të thasëve ku gjenden gurët.”

Një e njohur e kryebashkiakut, Rej, shkoi për drekë me të dhe diskutoi mundësinë e të parit të thesarit. Por edhe ajo, si shumë të tjerë, nuk ia doli.

Rej është e bindur se kryebashkiaku dhe alpinisti arritën një marrëveshje 50 me 50, shumë përpara se t’u thoshin gazetarëve mbi ekzistencën e gurëve të çmuara. Sipas ligjit francez, ka një hapësirë kohore dyvjeçare, thotë ajo.

“Nëse nuk gjendet një pronar brenda dy javëve, gjysma do t’i shkojë kryebashkiakut të Shamoniks dhe gjysma tjetër do t’i jepet alpinistit. Jam shumë e sigurt se ata janë të interesuar t’i mbajnë gurët dhe nuk do të bëjnë asgjë për të ndihmuar familjet apo pronarin për të provuar se gurët u përkasin atyre.”

Autoritetet e kanë nënçmuar rëndësinë e gurëve, thotë ajo, për të ulur interesin për to. “Ai më tha mua se gurët nuk qenë kaq të bukur. Ata po luajnë një lojë ku dalin më të sikletosur sesa të lumtur për gurët, kjo është përshtypja që duan të japin.”

Kryebashkiaku, i cili aktualisht po bën fushatë për zgjedhjet vendore, nuk ishte i gatshëm t’u përgjigjej pyetjeve, kështu që Bukuin foli në emër të tij. “Sugjerimi që ne arritëm një marrëveshje është tërësisht çmenduri. Nuk ka marrëveshje. Ne as nuk e dimë se kush i gjeti gurët. Ka një ligj dhe një procedurë që duhet të ndiqet, kjo është e gjitha.”

Pas vitit 1990, ndërsa Rej po kryente kërkime për librin e vet, asaj iu dha akses në një dosje penale të hartuar nga gjykata vendase në Bonevile, e cila përmbante shumë dokumente të mbledhura pas aksidentit.

Duke parë nëpër shënimet e veta, zonja Rej bëri një zbulim të mrekullueshëm. Brenda faqeve janë të shënuara detajet e një dokumenti sigurimi, që ngre pretendime për gurët e çmuar që humbën, destinuar për një njeri, i cili jeton në Londër.

Ajo ka mbajtur shënim emrin e familjes: Isakarof (Issacharoff).

Për fat të keq, ajo nuk ka mbajtur shënim emrin e pretenduesit. “Unë e pashë letrën. Nuk e kam atë, por e pashë. E kam shënuar në bllok emrin e personit që po priste për gurët në Londër. Jam e sigurt se ka më shumë detaje në këtë letër. Gjëja më e rëndësishme është të kthehemi pas dhe të gjejmë këtë letër. Por kjo mund të jetë shumë e vështirë.”

Për shkak se dosja nuk do të hapet për publikun për 75 vjet, marrja e aksesit tek arkiva nënkupton një proces të gjatë aplikimi – një proces të cilin Rej vetëm sa e ka filluar. Se sa kohë do të duhet, thotë ajo, nuk dihet.

Një kërkim i shpejtë në internet tregon se Isakarof është një nga familjet më të mëdha dhe të vjetra të tregtimit të gurëve në Britaninë e Madhe. Biznesi i familjes ruso-hebraike filloi në vitet 1930. Isakarofët u bënë shpejt importuesit më të mëdhenj të gurëve më ngjyrë në vend.

Unë i marr ata në telefon. “Paketa është e jona”, thotë Avi Isakarof, kreu i kompanisë “Hening Diamonds”. “Ju lutemi, ejani te zyrat tona dhe ne do të flasim për detajet.”

Një biznesmen shtatshkurtër i veshur me të zeza, Avi, gjendet përtej shumë dyerve të blinduara, në thellësi të lagjes së diamanteve në “Haton Garden” të Londrës. Ai thotë se e mban mend kur babai i tij fliste për aksidentin dhe për lehtësimin e përgjithshëm të familjes kur mësuan se asnjë i afërm nuk gjendej në avion kur ai goditi malin. Zakonisht, kur familja bënte një blerje të këtyre përmasave, njëri prej tyre do të shkonte t’i merrte gurët personalisht, thotë ai.

Nip i Rubenit dhe djalë i Davidit, Avi, është i treti në linjën e drejtorëve të biznesit. Babai i tij, megjithëse vijon të jetojë, vuan prej problemeve mendore dhe nuk mund të flasë më për detajet. “Ne u konsultuam me avokatët tanë, por ata na thanë se nuk kemi asnjë shans. Ne nuk kemi dokumente që të shkojnë pas 50 vjet. E vetmja mënyrë se si mund ta vërtetojmë që paketa është e jona, është se ne e dimë se emri ynë duhet të jetë shkruar në çantë.”

Familja Isakarof me bazë në Londër nuk janë pretenduesit e vetëm të gurëve të çmuar. Një familje tjetër Isakarof nga Spanja – pa lidhje, por dukshëm gjithashtu tregtarë gurësh të çmuar – raportohet se u janë afruar autoriteteve franceze në përpjekje për të siguruar akses te letra për të cilën flet Fransuaze Rej.

Bukuin, nga zyra e kryebashkiakut, thotë se ai e ka parë çantën ku u gjetën gurët, por nuk është e mundshme dhe e nevojshme të nxirret emri i pronarit prej saj.

“Ndoshta ne mund të jemi në gjendje të identifikojmë emrin në çantë, por kjo është shumë e vështirë. Ajo çantë ka qëndruar 50 vjet nën akull.”

Ndërkohë, ditët dhe muajt po kalojnë. /BBC-Shqip

Leave a Reply

Back to top button