Analiza

Miti i tensioneve Serbi-Shqipëri

Florian Bieber

Miti

Në Shqipëri dhe në Kosovë, një pjesë e mirë e qytetarëve besojnë se nacionalizmi i tyre është paqësor dhe vetëmbrojtës. Kështu, marrëdhëniet jo intensive mes Shqipërisë dhe Serbisë, kanë pësuar një rënie edhe më të madhe në javët e fundit, për shkak të rilindjes së këtyre fobive nacionaliste
Shumë media europiane, serbe dhe shqiptare, e kanë hiperbolizuar shumë vizitën e Edi Ramës në Beograd, duke raportuar se ai është kreu i parë i shtetit shqiptar që do të vizitojë Serbinë pas shumë dekadash. Sigurisht që gabojnë kur thonë se Rama është kryetar shteti, pasi i tillë është Presidenti. Gjithsesi këto përcaktime mbeten në vazhdën e hiperbolizimit të kësaj vizite. Në fakt, boshllëku në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë e ka shkakun në marrëdhëniet e tensionuara mes Jugosllavisë (jo Serbisë) dhe regjimit komunist në Shqipëri. Edhe ato tensione të asaj kohe, janë shoqëruar me momente bashkëpunimi, siç ishte ai mes Kosovës dhe Shqipërisë në vitet ’70. Fakti që takimet bilaterale kanë qenë të pakta nuk mund të jetë indikator i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Në vitin 1997, Fatos Nano takoi Slobodan Milosheviçi gjatë një samiti rajonal që u mbajt në Greqi. Ai takim u cilësua nga mediat shqiptare si i pari i nivelit të lart mes dy vendeve në 50 vjetët e fundit. Dhe sigurisht, ai takim nuk përcaktoi asgjë dhe lufta e Kosovës shpërtheu. Gjithsesi, ideja se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të vështira është një mit dhe mungesa e takimeve të nivelit të lartë mes zyrtareve të të dyja vendeve tregon më shumë një mungesë nevoje për të patur marrëdhënie të mira se sa ekzistencën e tensioneve mes dy vendeve. Kështu, pa përmendur këndvështrimet që kanë të dyja vendet për Kosovën, Serbia dhe Shqipëria kanë disa çështje të tjera të përbashkëta, sidomos tani që nuk janë më shtete kufitare me njëra-tjetrën. Marrëdhëniet e kufizuara mes dy vendeve, i kanë bazat e tyre në atë që do ta quaja “Jugosferë”. Kur iu referohemi marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, kujtojmë dhe marrëdhëniet e vështira Jugosllavi-Shqipëri. Pra, padashur, Serbinë e identifikojmë në histori me Jugosllavinë. Kështu, incidenti i 14 tetorit, na kujtoi se ekzistojnë disa ide për “Shqipërinë e Madhe” dhe “Serbinë e Madhe”. Por ato janë ide që nuk kanë vend. Aleanca Kuqezi, e cila politikisht kishte në axhendë “Shqipërinë e Madhe”, mori vetëm 10 mijë vota në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri. Po kështu, kryeministri i rrëzuar, Sali Berisha, u ndëshkua fort dhe dështoi kur përdori retorikën nacionaliste për të shpëtuar partinë e tij nga humbja e atyre zgjedhjeve.
Edhe në Kosovë, Vetëvendosja, e cila u formua nën frymën nacionaliste, tani e ka ndryshuar disi ideologjinë e saj politike duke e shmangur nacionalizmin dhe duke u fokusuar në çështjet e korrupsionit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Serbi. Partia Radikale, e cila ka në axhendë “Serbinë e Madhe”, në zgjedhjet e fundit nuk mori dot as edhe një mandat në Parlament. Kështu që nuk është e vështirë të kuptosh se retorika nacionaliste në këto dy shtete nuk konsiston në krijimin e shteteve etnikë, por motivohet nga “përrallat” me luftë. Duhet të kuptojmë, se nacionalizmi, pikën më të fortë e ka kur luan me fobitë e një populli sesa kur botën, apo zgjerimin e kufijve. Por fatkeqësisht, i gjithë debati pas incidentit të 14 tetorit, u shtri në këtë plan. Politikanët e të dyja vendeve, luajtën me fobitë e popujve të tyre, duke shpalosur një retorikë dhe instinkt nacionalist. Por megjithatë, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë nuk kanë qenë kurrë të këqija në rrafshin historik. Nuk ka patur asnjë politikan dhe asnjë parti të fuqishme në asnjë nga të dyja vendet që të ketë patur në axhendë krijimin e Serbisë apo Shqipërisë së Madhe. Pra nacionalizmi i të dyja krahëve është i bazuar më shumë në fobitë kolektive se sa në qëllimet ekspansioniste. Kështu, në takimin e sotëm, temë kryesore mes Vuçiçit dhe Ramës do të jetë bashkëpunimi rajonal, një kusht i vendosur nga BE-ja. Çështjet e ndjeshme mes dy vendeve janë lënë jashtë bisedimeve. Ndërhyrja e Merkelit, po themi si ndërmjetëse e fshehtë e këtij takimi, tregon se gatishmëria e Shqipërisë dhe e Serbisë për fqinjësi të mirë është pak e besueshme. Edhe në rrafshin politik, propagandimi i “fqinjësisë” së mirë në këtë moment është si të luash kumar. Pasi ekzistojnë akoma fobi të tilla të një Shqipëria apo Serbie të madhe, edhe pse janë të pamundura. Kështu, në Serbi ka shumë njerëz që i tremben “Shqipërisë së Madhe”, po ashtu si edhe Vuçiçi. Ndërsa në Shqipëri dhe në Kosovë, një pjesë e mirë e qytetarëve besojnë se nacionalizmi i tyre është paqësor dhe vetëmbrojtës. Kështu, marrëdhëniet jo intensive mes Shqipërisë dhe Serbisë, kanë pësuar një rënie edhe më të madhe në javët e fundit, për shkak të rilindjes së këtyre fobive nacionaliste.
Shekulli / “EuroasiaReview”

Leave a Reply

Back to top button