Ekonomi

“Mjaft me diktaturën e borxhit. Europa nuk shpëtohet me slogane”

THOMAS PIKETTY: “Të gabosh është njerëzore, të ngulmosh është diabolike. Tani duhet të ndryshojmë rrugë”

Piketty-APThomas Piketty është në krye të renditjes së ekonomistëve që nuk e pëlqejnë aspak politikën e kursimit. “Jo për shkak se mbështes njërën palë, apo prej ndonjë prirjeje ideologjike”, thotë. “Thjeshtë sepse kam studiuar historinë e borxhit publik, nga tetëqinda e deri më sot”. Sapo ka mbushur 43 vjeç dhe tashmë ka hyrë në rrethin e ngushtë të orakujve, apo guruve, quajeni si të doni. I gjithë faji, ose merita, është e “Kapitali në shekullin XXI”, libri në të cilin analizon shpërthimin e pabarazive dhe një kapitalizëm të ngritur më shumë mbi anuitetet se sa mbi punën. Një bestseller botëror, i lartësuar edhe prej Paul Krugmanit, i cili madje e vendos Pikettyn edhe në listët e kandidatëve për Nobelin në Ekonomi. “Nuk isha përgatitur për këtë sukses”, rrëfen ekonomisti francez, në zyrën e tij modeste në Paris School of Economics. “Siç e shikoni – thotë me ironi – universitetit i mungojnë fondet. Të mendosh që vetëm 0.5% e GDP në Francë shkon për arsimin dhe kërkimin. Shumë më pak nga sa shpenzojmë për të rimbursuar borxhin”. Por, çuditërisht, Piketty nuk beson që sëmundja e Eurozonës është ekonomike, por politike. Propozimi i tij: “Vendet e euros duhet të kenë një parlament që të mundet të vendosë në mënyrë autonome, nga institucionet e 28 vendeve anëtarë të BE. Kemi krijuar një monstër: nuk mund të kemi më një monedhë të përbashkët, pa një politikë buxheti të përbashkët”.
Fillojmë nga borxhi publik. Duhet të pushojmë të gjithë së paguari?
Borxhet publikë nuk janë më të lartë se sa në Amerikë, në Mbretërinë e Bashkuar apo në Japoni. Vetëm këtu, në Europë e kemi transformuar këtë situatë në një krizë besimi dhe stanjacioni të ekonomisë. Jam shumë i shqetësuar. Në librin tim demonstroj se themelet e Europës janë më të mirë nga sa mendojmë. Pasuritë dhe të ardhurat nuk kanë qenë kurrë kaq të larta. Madje, në raport me GDP-në, janë rritur më shumë se sa borxhet. Janë qeveritë tona që janë të varfëra.
Atëherë, cila është zgjidhja?
Për të reduktuar borxhin, siç kërkon të bëjë Italia, do të duhen dekada. Në Tetëqindën, Mbretëria e Bashkuar kishte 200% të borxhit publik, në raport me GDP. Në 1910-ën, përmes pagesave të parakohshme primare mbërriti tek 20% e GDP. Por në një shekull, Mbretëria e Bashkuar shpenzoi më shumë për të rimbursuar borxhin, se sa për të investuar në sistemin arsimor. Eshtë një shembull i trishtë, që duhet të na bëjë të reflektojmë.
Më shumë fleksibilitet për defiçitin, siç thonë François Hollande dhe Matteo Renzi?
Më ngjall frikë mungesa e propozimeve, që shoh tek Hollande dhe Renzi. Nuk mund të thuash vetëm “më pak masa kursimi, më shumë investime”. Për Gjermaninë, është e lehtë të refuzojë. Eshtë njësoj sikur dikush të kërkojë të ketë një kartë krediti të përbashkët me dikë tjetër, ndërkohë që shpenzimet i bën për hesap të tij. Italia dhe Franca duhet të kenë më shumë kurajë. Duhet hedhur menjëherë mbi tryezë një projekt bashkimi politik. Në atë pikë, edhe gjermanët do të ishin në vështirësi.
Cfarë do të thotë për ju një bashkim politik?
Një parlament i eurozonës, edhe me më pak shtete se aktualisht, 18, por me një buxhet të përbashkët, një ministër të vetëm të Financave, një nivel defiçiti të votuar vit pas viti, në bazë të konjukturës. Nuk mund të funksionojë kurrë një monedhë e përbashkët, me 18 sisteme ekonomikë dhe socialë, 18 borxhe publikë dhe 18 norma interesi, mbi të cilat tregjet mund të spekulojnë.
Cilët shtete duhet të jenë pjesë e një eurogrupi të tillë më të vogël?
Franca, Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Spanja. Duhet një grup pilot, për të demonstruar se integrimi i politikave të buxhetit është i mundur. Sot, normat e interesit për bonot shtetërore në eurozonë, shkojnë nga 0 në 4%. Nuk është normale, për vende që janë pjesë e të njëjtit bashkim monetar. Tregjet vazhdojnë të mbajnë parasysh që ndonjëri prej tyre mund të humbasë aftësinë paguese, apo të dalë nga Euro.
A nuk është, edhe kështu, shumë e rëndë qeverisja europiane?
Sistemi institucional aktual është i bllokuar prej rregullit të unanimitetit. Në një sistem parlamentar, vendimet do të ishin marrë përmes kompromiseve dhe koalicioneve. I duhet dhënë besim demokracisë. Qytetarët janë gati, nëse u shpjegojmë që me një parlament të eurozonës mund të përshtaten defiçitet sipas konjukturës, mund të luftohet më mirë evazioni fiskal, ose mund të votohet një taksë mbi të ardhurat e kompanive. Sot në Europë, shumëkombëshet paguajnë më pak taksa se sa sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Eshtë absurde.
A mund ta ndihmojë rimëkëmbjen plani i investimeve i Komisionit të ri Europian?
Për të mbërritur tek 300 apo 400 miliardë eurot janë shtuar investime publikë dhe privatë që do të ishin aty gjithësesi. Nuk do të ketë asnjë impakt mbi buxhetet e shteteve dhe mbi ekonominë europiane. Eshtë vetëm një truk kontabiliteti.
A e ka shpëtuar Mario Draghi Europën?
Në këta vite ka bërë shumë. Nuk është rastësi që, Banka Qendrore Europiane është i vetmi institucion federal europian që nuk respekton rregullin e unanimitetit. Por nuk mund të kërkojmë gjithçka nga Draghi. Ka limite objektivë. Nëse çdo mëngjes, Federal Reserve në Amerikë do të duhej të zgjidhte mes borxhit të Nju Jorkut, Teksasit apo Kalifornisë, duke kërkuar marrëveshje për buxhetet e gjithësecilit, atëherë do të kishte kaos. Vetëm me një fond të përbashkët për pagimin e borxheve publikë, që mund të vendosë një normë të vetme interesi për eurobonot, BQE mund ta stabilizojë vërtetë sistemin.
A është një rrezik dalja nga Euro?
Rikthimi tek monedha kombëtare do të ishte katastrofë. Por unioni monetar pa një union fiskal është situata më e keqe e mundshme. Spekulimi mbi monedhat është zëvendësuar nga ai mbi normat e interesit. Dhe sot, qeveritë nuk e kanë më armën e zhvlerësimit të monedhës. Jemi në kurth. Duhet të hapim sytë dhe të nxjerrim mësime prej gabimeve tanë. /La Repubblica/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button