Magazine

Mjaft me këtë luftën e brezave

Po përpiqem të distancohem nga vdekja duke e ballafaquar veten me gjeneratën e mëparshme, dhe në të njëjtën kohë duke u mbrojtur nga rreziku për t’u zëvendësuar profesionalisht nga njerëz që kanë më shumë energji dhe më shumë jetë para tyre, se sa unë. E kjo është një marrëzi e vërtetë. Nëse bota po shkon në ferr, ne të gjithë jemi në të njëjtën varkë, dhe mbase diskutimi se kush është në pozicionin më të mirë, nuk është mënyra më e dobishme për të përdorur kohën tonë

Nga Oliver Burkeman

Si eksponent i gjeneratës X, domethënë ai brez i lindur midis viteve gjashtëdhjetë dhe të tetëdhjetë, padyshim që një pjesë e mirë e vetëvlerësimit tim buron nga fakti se nuk jam më, as më i vjetër, dhe as më i ri se sa jam biologjikisht.

Nga njëra anë, shkatërrimi i planetit (dhe i tregut të pasurive të patundshme) nga brezi i bumit demografik, ishte tashmë në zhvillim e sipër edhe para se të mësoja të ngisja biçikletën. Nga ana tjetër, duke mos qenë as i lindur në vitet nëntëdhjetë dhe as pjesëtar i gjeneratës Z, domethënë atyre që lindën pas 2000, të paktën mësova të hipja në biçikletë, në vend që ta kaloja fëmijërinë në një dhomë të errët, duke ndezur një ekran duke u përgatitur të shkruaj artikuj, ku u shpjegoj atyre që janë më të moshuar se sa unë, përse filmat që u pëlqenin kur ishin adoleshentë, ishin në të vërtetë jashtëzakonisht problematikë.

Ju mund të argumentoni që kjo është thjesht marrëzi, por mbrojtja ime është se është marrëzi, pothuajse gjithçka që ne mendojmë se dimë për brezat. Pjesërisht për shkak se ka shumë dallime brenda tyre për t’u përgjithësuar, dhe dallimet që ne nxjerrim ndërmjet tyre janë arbitrare. Por edhe sepse është praktikisht e pamundur të ndash moshën nga brezi të cilit i përkasim.

Teza të dyshimta

Për shembull, i ashtuquajturi fenomeni i “përplasjes së reminishencës” është tendenca e të moshuarve për të pasur kujtime më të gjalla, dhe përgjithësisht pozitive, të rinisë së tyre, sesa të moshës madhore. Pra, ndërsa plakemi, dhe kujtimet e tjera veniten, ne priremi të mendojmë se sot jeta është shumë më e keqe se sa në të kaluarën, dhe për pasojë që kështu janë edhe të rinjtë.

Por teza aq e dashur për të lindurit pas viteve 2000, se ishte gjenerata e bumit demografik që shkatërroi gjithçka, është po aq e dyshimtë. Ka shumë gjëra që janë të gabuara në botën e sotme dhe, qartësisht, është faji i brezave të mëparshëm. Sidoqoftë, testi i vërtetë i mizorisë së asaj gjenerate do të jetë pas pesëdhjetë vjetësh, kur do të shohim nëse ata që e formulojnë këtë akuzë, kanë shkaktuar më pak dëm.

Shembujt më të qartë të këtij konfuzioni janë fyerjet ndaj millenials dhe gjeneratës Z, kur thuhet se ata janë narcisistë, si dhe të bindur që kanë të gjitha të drejtat, dhe janë të shkëputur nga puna e tyre. Nuk është e vështirë të vërtetosh falsitetin e këtyre akuzave por, siç shpjegon psikologu David Costanza, edhe sikur të ishin të vërteta, ato ndoshta do të ishin të lidhura me moshën. Të rinjtë gjithmonë kanë një tendencë për të qenë më narcizistë. Dhe ne të gjithë e përdorim pjesën e parë të karrierës sonë të punës për të eksperimentuar, kështu që nuk është çudi që sa më të moshuar, aq më shumë priremi të jemi të kënaqur me punën tonë.

Pra, duhet të jemi të sinqertë me veten tonë. Edhe nëse gjykimi ynë për të tjerët ka një farë themeli, në disa vlerësime gjithmonë ekziston një dozë e mirë paragjykimesh – për shkak të nevojës për t’u ndier superiorë, ose për të gjetur dikë që të fajësojmë për atë që është e gabuar – kështu që ne nuk mund t’i besojmë konkluzioneve që nxjerrim.

Në rastin tim, supozoj se është një lloj krize e mesit të jetës: po përpiqem të distancohem nga vdekja duke e ballafaquar veten me gjeneratën e mëparshme, dhe në të njëjtën kohë duke u mbrojtur nga rreziku për t’u zëvendësuar profesionalisht nga njerëz që kanë më shumë energji dhe më shumë jetë para tyre, se sa unë. E kjo është një marrëzi e vërtetë. Nëse bota po shkon në ferr, ne të gjithë jemi në të njëjtën varkë, dhe mbase diskutimi se kush është në pozicionin më të mirë, nuk është mënyra më e dobishme për të përdorur kohën tonë. / The Guardian – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button