Analiza

Modeli “Jemen”

Obama thoshte se Jemeni ishte shembulli sesi të luftohej Shteti Islamik. Rezultati: Sana’a është në pragun e luftës civile, amerikanët janë larguar

Screen Shot 2015-04-02 at 09.19.05

Premisë vetjake. Në janar të 2011 isha në Jemen për të studiuar për pak muaj në një institut të kryeqytetit Sana’a dhe kujtoj se një prej ditëve të para forcat e sigurisë pothuajse e paralizuan qytetin: rrugë të shkreta që zakonisht qenë me shumë trafik, ushtarakë të armatosur në çdo kryqëzim, mjete të blinduara me armë gati, ishte e qartë se po ndodhte diçka anormale. Ishte Hillary Clinton në vizitë zyrtare, në atë kohë në krye të Departamentit të Shtetit dhe qëllimi i ardhjes vetëtimë të saj ishte ajo që ta shtrëngonte më mirë lidhjen me Presidentin Ali Abdullah Saleh, “birin e kurvës” lokal – dhe gjithçka në harkun e 3 orëve. Ardhje dhe nisje. Nënkuptohet se “bir kurve” nuk është një ofendim i trashë kundër Raisit tejet hatërmbetës Saleh, por është një citim i shprehjes së atribuuar Presidentit amerikan Franklin Delano Roosevelt lidhur me diktatorin meksikan Somoza: “Është një bir kurve, por është biri kurvës i jonë”, që përshkruan tendencën e politikës së jashtme për t’ia deleguar sigurinë e një zone një aleati vendas dhe zakonisht çmimi i këtij bashkëpunimi është mbyllja e një syri ndaj mëkateve më të vogla të tij në fushën e të drejtave të njeriut (natyrisht, më të vogla për kë është jashtë vendit). Sana’a konsiderohej një zonë e kontrolluar, por ishte megjithatë vetëm një flluskë sigurie në mes të një territori me një prani të konsiderueshme të al Qaedas, nga këtu nervozizmi i ushtrisë jemenase. 13 vjet më parë ka pasur një atentat spektakolare të dështuar në një avion linje amerikan, një pasagjer nga Jemeni kishte provuar të shpërthente një bombë të fshehur në pantallona gjatë zbritjes në Detroit, por vetëm ishte djegur ngarkesa e shpërthimit dhe rezultati ka qenë tragjikomik. Në tetor ka ndodhur rasti i bombave 300 kilogramëshe të fshehura brenda stampuesve, gjithmonë për të rrëzuar avionë linje.

Gjithsesi, Clinton kalonte në qytet për të shkuar të çimentonte raportin lokal: pa ditur se në Jemen pak javë më vonë do të shpërthente revolucioni, fillimisht në formën e protestave e rrahjeve në universitete dhe më pas në formën shumë serioze me zbritjen e klaneve në kryeqytet. Revolta ishte tashmë në zhvillim në Tunizi, shpejt do të shpërthente në Egjipt e më pas edhe në Libi – dhe jemenasit mbrëmjeve qëndronin përpara al Jazeera duke shikuar televizor dhe gjatë ditës, në klasat e institutit, citonin vargjet e Abu Qasim al Shabi, poetit tunizian të shndërruar në klasik të revolucioneve arabe: “Nëqoftëse një ditë populli do të zgjedhë jetën, atëhere faktin nuk ka sesi të mos përgjigjet, nata do të jetë e detyruar të daravitet dhe zinxhirët sigurisht që do të këputen dhe do të bien”. Clinton po shkonte për të rinovuar një pakt antiterrorizmi që vlenta miliarda dollarë në pajime dhe financime me një qeveri arabe që ishte duke u lëkundur dhe që do t’i kalonte muajt e mëpasëm në tentativa për të qëndruar në këmbë më shumë sesa të luftonte al Qaedan. Më pas Presidenti Saleh nuk ka rënë, por është plagosur në një intrigë pallati dhe më pas është zëvendësuar nga zëvendësi Abd Rabbu Mansour Hadi falë një marrëveshjeje pushteti vërtet e brishtë që nuk i ka mbijetuar avancimit nga veriu të rebelëve houthi.

Kryevepra e largpamësisë së Washington duhej akoma të ndodhte. Më 10 qershor 2014, Presidenti amerikan Barack Obama foli me gazetarët lidhur me atë që po ndodhte në Irak, ku Shteti Islamik sapo kishte marrë qytetin e dytë të vendit, Mosulin, bashkë me porcione të tjera të mëdha territori. Obama tha: “Shikoni se çfarë ndodh në një vend si Jemeni – një vend shumë i varfër që ka përçarje si etnike, ashtu edhe sektare – aty ne kemi partnerë vërtet të impenjuar, Presidentin Hadi dhe qeverinë e tij. dhe kemi arritur të ndihmojmë zhvillimin e kapaciteteve të tyre pa dërguar një numër të madh trupash tokësore amerikane. Në të njëjtën kohë, kemi mjaft kapacitete kundërterrorizmi, sa të mund të ndjekim njerëzit që do të donin të godisnin ambasadën tonë apo që do të donin të provonin të eksportonin terrorizmin në Europë apo në Shtetet e Bashkuara. Dhe të kuptosh sesi të krijosh modele të tjerë të kësaj natyre do të jetë pjesë e zgjidhjes si në Siri, ashtu edhe në Irak. Por për ta bërë një gjë të tillë kemi nevojë që të kemi një qeveri të vërtetë në vend me të cilën mund të krijojmë një partneritet dhe në të cilën të kihet besim se do të ndjekë një politikë përfshirëse, në të cilët të jenë të gjithë të përfshirë – për shembull, në Jemen dialogu kombëtar ka harxhuar shumë kohë, por po u jep njerëzve ndjesinë se kanë një përfaqësim politik të përshtatshëm që u përgjigjet çdo kërkese të tyre”.

Me 19 shtator Obama u kthye për të shpjeguar politikën e tij në Irak dhe Siri, sepse kishte nisur fushata e bombardimeve dhe sërish citoi Jemenin si model suksesi: “Kjo fushatë antiterrorizmi do të bëhet me përpjekje të pandërprerë, për ta eliminuar Shtetin Islamik kudo që të ndodhet, duke përdorur forcën tonë ajrore dhe mbështetjen e forcave aleate në tokë. Kjo strategji për të eliminuar terroristët që na kërcënojnë dhe ndihmuar aleatët teksa ndodhen në vijën e frontit është ndjekur tashmë prej vitesh me sukses në Jemen e Somali”. Gazetarët vërejtën me sarkazëm se nëqoftëse modeli i suksesit ishte Jemeni, atëhere vërtet Iraku ishte në bela të madhe, por nuk ekzistonte akoma një perceptim për atë se çfarë po ndodhte. Pas këtij diskutimi, një peng amerikan është vrarë nga al Qaeda gjatë një sulmi të dështuar të forcave speciale amerikane, ambasada amerikane në Sana’a është evakuuar dhe i ka mbyllur dyert për një kohë të papërcaktuar, rebelët hopthi (që tashmë nuk ka më kuptim të quhen rebelë: kontrollojnë gjysmën e vendit) kanë marrë kryeqytetin. Kjo sekuencë e ngjarjeve në Jemen është përshpejtuar gjatë ditëve të fundit. Houthitë kanë arritur deri në Taiz, që është një qytet shumë në jug (domethënë është një pushtim shumë në thellësi, po të kesh parasysh se janë nga Sadaa, në veriun e largët) dhe konsiderohet qendra e kulturës jemenase. Banorët e Taiz po protestojnë prej shumë ditës përpara portës së bazës ushtarake që houthitë e kanë transformuar në komandën e tyre, më shkëmbime gurësh, uljesh dhe ndonjë të shtëne me kallashnikov. Etapa e ardhshme dhe e fundit e marshimit drejt jugut është Adeni, që ndodhet në breg dhe është bërë selia e qeverisë së përkohshme dhe vendqëndrimi i Presidentit Hadi, i ikur nga arresti shtëpijak në Sana’a, thuhet, falë faktit që rojet hopthi qenë ngulur përpara një filmi pornografik.

Të premten e kaluar, Shteti Islamik ka bërë shfaqjen e tij me një atentat të dyfishtë në dy xhami, ka qenë një masakër me më shumë se 140 të vdekur. Për muaj është thënë se grupi i Abu Bakr al Baghdadi po përgatiste ardhjen e tij në vend në dëm të rivalëve të al Qaeda, por nuk pritej një debutim kaq i dukshëm. Instituti izraelian MEMRI, i specializuar në përkthim materialesh antisemite të prodhuara në Lindje të Mesme, ka botuar videon që tregon se çfarë po këndonin të pranishmit brenda njërës prej dy xhamive pak sekonda përpara shpërthimit: “Vdekje Amerikës. Vdekje hebrenjve. Të mallkuar qofshin hebrenjtë. Fitore islamit. Zoti është më i madh. Vdekje Amerikës. Vdekje Izraelit. Të mallkuar qofshin hebrenjtë. Fitore…”. Atentatori vetëvrasës i Shtetit Islamik është hedhur në erë në mes tyre. Disa ditë më parë, 125 forca njerëz të forcave speciale amerikane është dashur ta braktisin bazën e tyre afër qytetit al Houtha, sepse al Qaeda është afruar shumë, duke shfrytëzuar çorodinë e përgjithshme, dhe janë larguar aq me ngut sa kanë lënë në vend të gjitha pajimet dhe tani pyetet: për çfarë gjëje bëhet fjalë? Forcat speciale angleze janë larguar me avion nga Sana’a, askush nuk e dinte se ndodheshin akoma në kryeqytet, por tani nuk ka rëndësi më. I Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara në Jemen, që nuk ka asnjë peshë, por është cituar si burim titujsh të shqiptuar me seriozitet, konfirmon: “Vendi është në pragun e luftës civile”.

Javën e kaluar “Washington Post” ka botuar një artikull në të cilin shpjegohet se Pentagoni nuk arrin të kuptojë se ku kanë përfunduar pajisjet ushtarake që kishte dërguar në Jemen nga 2007, me vlerë rreth 500 milion dollarë, dhe që përfshinte veç të tjerash më shumë se 1 milion municion për mitralozë, 4 helikopterë, një avion kargo transportues, drone të vegjël mbikqyrës, nja 100 mjete të blinduara, syze për të parë natën. “E konsiderojmë krejtësisht të humbur, të kompromentuar”, i thotë një burim anonim “Washington Post”, që nuk sqaron nëse materiali tashmë ishte plaçkitur apo nëse askush nuk arrin të kuptojë se ku ndodhet për momentin. Do të ishte një histori e pabesueshme, sikur tashmë të mos ishim të mësuar përsosshmërisht me faktin që Shteti Islamik në Irak e Siri qarkullon normalisht me Humvee amerikanë dhe tanke ruse. Specialisti i “Neë York Times” në fushën e sigurisë kombëtare, Eric Schmitt, shkruan se evakuimi i detyruar i skuadrave speciale amerikane (të këshilltarëve, siç janë përcaktuar) nga Jemeni është goditja më e fundit ndaj fushatës antiterroriste të Obamas, që ka pësuar tashmë humbje “domethënëse” në Siria, Libi dhe vende të tjera të rajonit. Modeli light i antiterrorizmit, i përbërë nga marrëveshje lokale dhe ndonjë goditje me dron kur duhet, sot duket i papërshtatshëm, jo se ka alternativa më tërheqëse. Nëse gjërat ecin keq tani, ato po shkojnë në një drejtim akoma edhe më të keq. Gazeta angleze “The Telegraph” titullonte pak ditë më parë: “Jemeni është fushëbeteja midis Arabisë Saudite dhe Iranit”. Houthitë janë shiitë dhe ndihmohen nga Irani, bile pushtimet e tyre konsiderohen si kryevepër, e radhës e Gjeneralit iranian Qassem Suleimani, që është arkitekti i politikës së Teheranit në Lindje të Mesme, nga Siria në Irak. Vetë ai shkroi në një mesazh të destinuar për Gjeneralin amerikan David Petraeus në Irak në 2008, që lexonte: “Gjenerali Petraeus, do të duhet ta dinit se unë, Qassem Suleimani, kontrolloj politikën iraniane në Siri, Liban, Gaza dhe Afganistan”.

Tani Jemeni i është shtuar listës. Houthitë perceptohen kushti si një kërcënim nga sauditët dhe ekzistojnë të gjithë elementët për një luftë fetare si në Irak e në Siri, vetëm se kësaj radhë është në oborrin e shtëpisë (Arabia Saudite ndan një kufi 1500 kilometra të gjatë më Jemenin) dhe me një breg që shkon përgjatë kalimit të detit strategjik që shkon drejt Suezit dhe për këtë mundësia e një lufte me bedel është e lartë. Për hir të së vërtetës, houthitë janë shiitë ziaditë dhe nuk janë shiitë të Imamit të 12-të – domethënë nuk besojnë në Imamin okult që fshihet në pritje për t’u kthyer dhe shpallur fundin e kohërave, siç besohet, për të dhënë një shembull, se është ish Presidenti Mahmoud Ahmadinejad. Aq sa konsiderohen pothuajse sunitë, “myslimanë të vërtetë” por që kanë bërë një gabim, shokë që gabojnë. Por këto janë sofizma që nuk do ta ndalojnë luftën. Në propagandën ekstremiste sunite, houthitë quhen rafidha, renegatë, ose majus – domethënë të huaj që vijnë nga lindja si Mbretërit Magjistarë. Ditë më parë Ministri i Jashtëm saudit, Saud al Faisal, ka propozuar negociata paqeje menjëherë dhe më pas ka paralajmëruar se nëqoftëse dështojnë do të ketë një “ndërhyrje” jo mirë të specifikuar. Në gazetat jemenase flitet për aksionin ushtarak të Forcës Mburoja – domethënë NATO-s së vendeve arabe të Gjirit – dhe Ministri i Jashtëm i qeverisë tashmë të shkarkuar jemenase ka kërkuar javën e kaluar ndërhyrjen e armatosur e mbretërive të Gjirit dhe vendosjen e një no-fly zone për të bllokuar houthitët (që kanë bombarduar me avionë pallatin ku mendojnë se gjendet Hadi në Aden).

Shkruan “The Telegraph”: “Sauditët janë në rrugën e përplasjes me fqinjët e tyre të fuqishëm shiitë (Iranin) qysh kur, 10 vjet më parë, është zbuluar se ajatollahët po punonin për një program klandestin për të ndërtuar armë bërthamore. Sigurimi i bombës atomike do t’i mundësonte Iranit që të siguronte ambicien e kultivuar prej kohësh që të reklamonte pozicionin e tij si superfuqi rajonale pa rivalë dhe të intensifikonte kështu përpjakjet e tij për t’i eksportuar parimet e revolucionit iranian akoma më shumë”. Domethënë, sauditët e dinë se nëse Irani siguron bombën atomike, ai do të mund të ushtrojë një të drejte mbrojtjeje të pathyeshme mbi këdo dhe situata do të jetë e pariparueshme: nëse në atë moment houthitë e tyre kontrollojnë Jemenin, do të mund ta mbanin pa pasur frikën se mund të përziheshin, pasi do të kishin fuqinë bërthamore të Teheranit prapa krahëve. Kështu, larja e hesapeve duhet të bëhet më parë. Kjo krizë në Jemen do të shpluhurosh temën e armëpushimit sekret midis qeverisë jemenase dhe al Qaedas. Në vitet Nëntëdhjetë kishte një luftë midis pushtetit qendror të Sana’a dhe separatistëve të Jemenit të Jugut, një republikë socialiste me kryeqytet Adenin. Qeveria e asaj kohë përdori al Qaedan – që atëhere ishte një grup ekstremist i formuar në pjesën më të madhe nga të mbijetuar të luftës në Afganistan – si një forcë paraushtarake për t’i bërë luftë separatistëve. Për ta bërë, e përshkroi luftën e tyre kundër “qafirëve socialistë” të jugut si një vazhdim në atdhe të xhihadit kundër komunistëve sovjetikë në Afganistan.

Al Qaeda nuk ishte akoma grupi i sulmit në New York, por në 1992 kishte goditur tashmë me një bombë një hotel në Aden që strehonte trupa amerikane në kalim drejt Somalisë. Shkruante në 2007 Jane Novak, eksperte amerikane për Jemenin: “Vëllai për baba i Presidentit, Gjenerali Ali Mohesn al Ahmar, rekrutonte luftëtarë për bin Ladenin në vitet Tetëdhjetë dhe menaxhonte kampe stërvitore në Jemen. Pas tërheqjes së Bashkimit Sovjetik nga Afganistani, regjimi jemenas i uroi mirëseardhjen mijëra “arabëve afganes” (emri i dhënë të mbijetuarve) si jemenas, ashtu dhe jo, në kthim drejt Jemenit. Disa prej këtyre besnikëve të bin Ladenin që luftuan për Saleh në 1994 janë sot oficerë të nivelit të lartë në forcat ushtarake dhe të sigurisë së Jemenit, ambasadorë, guvernatorë. Për pasojë, mbështetja administrative klandestine për al Qaedan është thelbësore, me forma të ndryshme dhe e zbatuar në nivele të shumëfishta. Gjatë gjithë viteve Nëntëdhjetë, Usama bin Laden dhe Ayman al Zaëahiri vizituan rregullisht Jemenin, duke takuar drejtues fetarë dhe figura të tjera të spikatura. Bin Laden predikoi edhe në xhami jemenase dhe bile pati edhe një takim 6 orësh më Gjeneralin al Ahmar në aeroportin e Sana’a në 1996”.

Sot frika, por gjithçka është akoma në nivel hipoteze, është se mos lind një armëpushim i ri midis al Qaedas dhe qeverisë, por që këtë radhë është strehuar në jug. Me diferencën e mëtejshme dhe thelbësore se tani është edhe Shteti Islamik. Ghait Abdul Ahad, korrespondent anglez i “The Guardian” nga familje irakene që udhëton përsosur midis arabëve, pak ditë më parë ka shkruar një reportazh nga jugu i Jemenit të titulluar “Shpërthimi jemenas i shtyn sunitët në krahët e al Qaedas dhe të Shtetit Islamik”. Një avokat i rrëfen: “Në zonën time ishin 5 tipa që ishin me al Qaedan, tani janë dhjetëra dhe nuk mund t’u themi asgjë. Ata përgjigjen se janë duke na mbrojtur nga houthitë”. Por një xhihadist i thotë korrespondentit se al Qaeda nuk mjafton, me këtë citim që aludon për një devijim të mundshëm, për momentin e largët në kohë, por tashmë nga 2011 është mirë që të ushtrohesh për të menduar për skenarët e pamundur: “Al Qaeda ka dështuar dhe nuk i ka mbrojtur sunitët e Jemenit. Ku janë? Pse po i lejojnë houthitë që të avancojnë? Sulmet “godit dhe mbathja” kanë dështuar, duhet të themelojmë një shteti, si në Irak e Siri, për të pasur territor dhe kufij për të mbrojtur”.

(nga Geopolitcs)

Përgatiti:

Armin Tirana

Leave a Reply

Back to top button