Ekonomi

MOISÉS NAÍM / Dy fjalë për shtetet “adoleshentë” dhe krizën ekonomike

Moisés NaímVendet në zhvillim janë si adoleshentët: kanë prirjen të shkaktojnë incidente. Bota po vazhdon të paguajë, në formën e varfërisë dhe papunësisë, pavetëdijen financiare të bankave, qeverive dhe konsumatorëve të vendeve më të pasur. Dhe tani po vjen një krizë në vendet në zhvillim, ata me një të ardhur më të vogël por që po përjetonin një ekspansion të paprecedentë.

Parashikimi për ekonominë botërore varet nga përgjigja që u jepet dy pyetjeve. E para është: sëmundja e vendeve në zhvillim, a do të prekë edhe vendet e zhvilluar? E dyta është: a do të bëjnë dallim investitorët mes vendeve në zhvillim që janë “të mirë” dhe atyre që janë “të këqinj”? Me fjalë të tjera, a do të marrin mbrapsht paratë dhe do të pushojnë së investuari për pak kohë, pa bërë dallime, apo do të tregohen selektivë? PO cfarë do të thotë “i keq” apo “i mirë” në këtë rast? Një qeveri “e keqe” është një qeveri që vuan nga nekrofilia ideologjike: një dashuri e apasionuar për ide të vdekura. Një qeveri “e mirë” mëson nga gabimet dhe ka prirjen të miratojë politika që japin rezultate dhe janë të qëndrueshme në kohë.

Rasti i Argjentinës dhe Kilit është vecanërisht emblematik: ekonomia argjentinase është një katastrofë dhe qeveria e Cristina Fernandez do të hyjë në histori si një prej më katastrofikeve. Në të kundërt, Kili është një vend ku qeveritë i kanë bërë gjithmonë gjërat për mirë, në mënyrë të qëndrueshme. Ekonomia kilene ecën mirë dhe është shembull për të gjithë botën, ndërkohë që ajo argjentinase po ecën shumë keq. Pra, tërheqja e investimeve nga Argjentina është më se logjike, dhe këtë po bëjnë si argjentinasit, ashtu edhe të huajt. Po Kili? Monedha kilene është zhvlerësuar në muajt e fundit, por në mënyrë më të rregullt. E njëjta gjë po ndodh me ekonomi të tjera të forta: Korea e Jugut, Meksika dhe Filipinet e vuajnë krizën më pak se Argjentina, Ukraina apo Venezuela, tre vendet që kanë menaxhimin më të keq ekonomik dhe riskun më të madh financiar. Kjo do të thotë që për momentin, investitorët ndërkombëtarë nuk i fusin të gjithë vendet në zhvillim në një thes.

Po përse vjen kjo krizë? Kur SHBA dhe Europa ishin në recesion, vendet në zhvillim ishin një pikë mbështetjeje për ekonominë botërore, ndërkohë që sot përfaqësojnë një kërcënim. “Këta vende, në vecanti të gjithë ata të Amerikës Latine, janë shumë më të zotë në menaxhimin e krizave ekonomike se sa në menaxhimin e prosperitetit”, më ka thënë Luis Alberto Moreno, presidenti i Bankës Ndëramerikane për Zhvillim. “Vijmë nga një periudhë bollëku, dhe sapo ky bollëk nisi të bjerë, dolën në dritë dobësitë e vendeve në zhvillim, që nuk kanë realizuar në mënyrë të thelluar reformat e nevojshme ekonomike”, thotë Moreno.

Për vendet në zhvillim, këtë herë goditja është e trefishtë: rënia e cmimeve të lëndëve të para që ata eksportojnë, rritja e normave të interesit në nivel ndërkombëtar dhe zbatica e viteve të tërë në bollëk, që janë jetuar a thua do të zgjasnin përgjithmonë. Goditja e parë e ka origjinën në Kinë, e dyta në SHBA dhe e treta është prodhim i brendshëm: një autogol i të gjithë qeverive të vendeve në zhvillim.

T’i kthehemi pyetjes së parë: a do të infektohen vendet e pasur prej vendeve në zhvillim? Eshtë ende herët për ta thënë, por nëse është e vërtetë që kriza e vendeve në zhvillim ka patur impakt mbi vendet e zhvilluar, të gjithë ekspertët bien dakord që për momentin asgjë nuk tregon që infektimi do të jetë i rëndë. Të shpresojmë.

Leave a Reply

Back to top button