Analiza

MONARKITE / Magjepsja e përjetshme e Kurorës

CrownNë Europën demokratike monarkia nuk bëhet më me politikë dhe as është e dominuar prej demonëve dinastikë të Zonjës Makbeth, por nga ndjenja popullore që transformon ceremonitë, protokollët dhe etiketat në shpërthime irracionalë gëzimi të masave, edhe më mirë se sa një koncert i Rolling Stones

Ja cfarë është monarkia në Europë: një marramendje kolektive, një rrëmujë e gëzueshme djerse dhe aromash, kontaktesh me trup, festash në rrugë. Dhe 35 gradët e Londrës, që kurrë më parë nuk kish qenë kaq e nxehtë, masin nevojën jetësore të identitetit dhe të identifikimit që në këtë rast është edhe fetar, sepse Mbretëresha nuk është vetëm simboli i historisë së theklë të secilit prej anglezëve, por ajo ka edhe fuqi spirituale. Ndaj është i nxehtë prej alegrisë termometri i fantazisë intelektuale dhe popullore më të lashtë. Dhe ndoshta sepse në Europë nuk ka asgjë më të vjetër se sa alegria.
Edhe Kurora angleze do të kish hyrë në krizë pa përrallën e Princërve të Kaltër, me të riun Uillliam ushtarak që merr lejë dhe Kate, nëna rrezatuese që, në mënyrën më natyrore dhe më chic, solli në jetë George, trashëgimtarin e trashëgimtarit të trashëgimtarit që turma e ka quajtur menjëherë trashëgimtarin tout court, duke kurorëzuar Kate, mbretëreshën e ardhshme borgjeze. Kështu është edhe në monarkitë e tjera të Europës: nuk kanë gjak blu Charlene (tashmë në fronin e Principatës së Monakos), Mary në Danimarkë, Daniel që është martuar me Victorian e Suedisë dhe Maxima në Holandë, Mette në Norvegji, Letizia në Spanjë… I vetmi përjashtim është Mathilde në Belgjikë.
Në Europën demokratike monarkia nuk bëhet më me politikë dhe as është e dominuar prej demonëve dinastikë të Zonjës Makbeth, por nga ndjenja popullore që transformon ceremonitë, protokollët dhe etiketat në shpërthime irracionalë gëzimi të masave, edhe më mirë se sa një koncert i Rolling Stones.
“Lëvizja e kalit” e Madhërive është karizma demokratike, mbi të gjitha e grave. Nuk kanë më rëndësi sjellja, toni i zërit, pakapshmëria, distanca dhe ftohtësia aristokratike. Monarkia rigjenerohet përmes virtuteve borgjezë të grave moderne por joshëse, nëna dhe bashkëshorte por të ndjeshme ndaj anktheve të dëshirës, jo heroina romantike plot pasion që humbiste vetveten në krah të diktatorëve të nëntëqindës, në krah të Duces, fyhrerit, babait të vogël, timonierit të madh, perandorit, jo më të dashuruara të zjarrta, por një markë e vërtetë dhe e dallueshme e simpatisë popullore si molla e Apple, si Swoosh e Nike apo si fjala Coca Cola.
Në gëzimin popullor për abdikimin e Albertos dhe Paolas në Belgjikë, apo Karlos ne Spanje, është legjitimimi masiv i xhestit më fisnik që është heqja mënjanë, sepse vazhdimësia e pyllit varet nga masa e pemëve, që do jenë ose hijerënda, ose të lodhura. Duke braktisur fronin, mbreti rikonfirmohet mbret sic nuk ka qenë asnjëherë. Të lodhur e të padenjë për shkak se janë jobesnikë ndaj vendit apo se përfshihen në ndonjë skandal popullor, mbretërit europianë vënë menjëherë në rrezik monarkinë. Pa turmën, pa miratimin e masave, magjepsja e vjetër dhe anakronike e institucionit ndryshon menjëherë e kthehet në të kundërtën e vet dhe monarkia shfaq fytyrën e saj patetike, false, dhe në fund reaksionare.
Vetëm abdikimet, si dorëheqje, e shpëtojnë institucionin, vendosin dallimin mes Mbretërisë dhe Mbretit, por edhe mes republikës dhe presidentit dhe është e njëjta edhe mes species dhe individit. Kurrë më parë mbretëresha Beatrice e Holandës nuk ka qenë kaq e dashur sa 23 prillin që kaloi, kur vendosi të heqë dorë nga froni për t’ia lënë të birit Alexander dhe Maximas (që është argjentinase).
Madje edhe Papati pati nevojë për një stafetë spektakolare. Ratzingeri hoqi dorë dhe Papati rilindi. Nga ana tjetër është e vërtetë që republikat më të mëdha të Europës, nga Gjermania në Francë, janë krenare që kanë patur mbretër. Dhe ka një bukuri në mungesën e aktualitetit të Monarkisë edhe për italianët që, bij të bindur të republikës dhe të njollosur prej tradhëtive të Savojës kemi vetëm vallëzimin e maces dhe shohin të humbur mitin, ëndrrën e vendeve të qytetëruar si një vlerë që u është mohuar.
Popi, që po transformon edhe shenjtërinë e Papatit ku ka zëvendësuar meditimin me duartrokitjet nuk ka më nevojë për mbretër mbi kuaj por për modelë në harmoni, të mirë për Ralph Lauren, jo më parada ushtarake, por bamirësi dhe shkëlqim, besnikëri demokratike dhe virtyte borgjeze. Ja përse trashëgimtari i trashëgimtarit të trashëgimtarit u rregjistrua direkt si trashëgimtar jo nga analet e pluhurosur të monarkisë, por nga syri kolektiv, që është burimi i legjitimitetit të cdo spektri, gjykatësi i cdo kurore. /corriere.it

BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button