Ekonomi

Moraliteti dhe motivi i parasë

Ekonomia kapitaliste ka një aftësi fenomenale për të nxjerrë njerëzit nga varfëria. Megjithatë, ajo has shumë vështirësi në krijimin e një shoqërie të drejtë, ndërkohë që periudhat e bumit dhe të rënies, si edhe krizat financiare, janë tipare të përhershme të sistemit

Screen Shot 2015-07-21 at 11.12.37

Rënia spektakolare e bursës së Shangait dhe Shenzhenit në javët e fundit, në pamje të parë duket sikur është tipike kineze. E megjithatë, vështirësitë që ka hasur Pekini për t’i ridhënë shtytje tregut, ka nxjerrë dukshëm në pah limitet e modelit autoritar, intervencionist të kapitalizmit në Kinë, shkruan Financial Times, në një analizë të bazuar mbi librin e John Blenderit “Kapitalizmi: Paratë, Morali dhe Tregjet”. Sepse një krizë është krizë, pavarësisht vendit ku ndodh. Dhe sipas gazetës britanike, zbutja e bishës së kapitalizmit është po aq e vështirë në Kinë, sa edhe në Perëndim.

Më tej, në një Financial Times shkruan se Kina ka mësuar tashmë një të vërtetë themelore mbi sistemin kapitalist, të cilin e adoptoi që në vitin 1978, nën udhëheqjen e ten Hsiaopinit. Kjo e vërtetë është që, kapitalizmi ka një aftësi fenomenale të nxjerrë njerëzit nga varfëria. E megjithatë, kjo gjë e ka një kosto; një kosto e cila, sipas plender, nuk ka të bëjë as me tendencën e kapitalit për të tiranizuar punëtorët në fazat e hershme të industrializimit; as edhe me shtrëngimet e shkatërrimit krijues dhe ciklet e trazirave që e kanë shoqëruar sistemin që nga revolucioni industrial, e deri në krizën e madhe financiare të vitit 2008; as edhe nivelet e pabarazisë që kanë shoqëruar kapitalizmin gjatë dekadave të fundit. Më shumë, gjithë kjo ka të bëjë me çështjen e legjitimitetit, e që lidhet me rolin e motivit të parasë – domethënë lakmisë – në nxitjen e rritjes ekonomike. Për ta ilustruar, FT, citon ekonomistin e madh John Maynard Keynes, i cili ka thënë se “kapitalizmi është besimi i habitshëm që motivet më të këqinj të njerëzve më të këqinj, punojnë në një farë mënyre për të sjellë rezultatet më të mirë të mundshëm”.

“Një shqetësim ky i karakterit moral të parasë, i cili shkon pas, që në kohët e Platonit dhe Aristotelit. Tek Ligjet, personazhi i Platonit akuzon biznesin se “ushqen shpirtin e njerëzve me mënyra të pandershme”. Edhe Aristoteli shfrynte ndaj tregtisë, të cilin e konsideronte si të poshtër, dhe të prirur të dëmtonte angazhimin qytetar. Më tej ishte Jezusi, i cili nuk kishte kohë për të pasurit dhe Shën Pali, i cili thoshte se dashuria për paranë është rrënja e të gjithë të këqiave”, shkruan FT.

Pra, sipas Plenderit, baza morale e tregtisë, ka ngjallur dyshime përgjatë historisë. Një paragjykim që, sipas tij, nisi të gërryhet fillimisht në botën Islamike, ku profeti Muhamed ishte pro tregtisë, ndonëse kundër financës. Elementë që mund të dallohen edhe në dinastitë kineze mes shekujve 10 dhe 17. “Marshimi i gjatë i biznesit drejt një gjysmë respektueshmërie në Europë, nisi me qytet-shtetet italiane. Mes shekujve 12 dhe 14, tregtarë dhe bakierë u shkrinë në një aristokraci të fuqishme sunduese, duke forcuar lidhjet mes pushtetit dhe tokës. Ekonomitë e tyre nisën të bazohen mbi paranë dhe ato ishin protokapitaliste, në kuptimin që i kishin rrënjët në shlëmbimin tregtar dhe mbështeteshin prej të drejtave të qarta të pronësisë”, shkruan FT.

Në shekujt 17 dhe 18, pas luftërave që kishin shkatërruar Europën, shkruan Plender, filozofët si Grotiusi, Spinoza dhe Hobbesi u bënin thirrje njerëzve që t’i largoheshin akteve heorikë ushtarakë dhe të mos shqetësoheshin për shpëtimin e përjetshëm, por të siguronin begatinë në të tashmen. Afërsisht në të njëjtën kohë, Servantesi satirizonte vlerat heroike të aristokracisë mesjetare. Në shekullin 18, kthesa e madhe erdhi me glorifikimin e interesit vetiak, nga Adam Smithi, tek “Mirëqenia e Kombeve”, argumenton Plender. I cili shton se më tej, rregullat e lojës ndryshuan dramatikisht prej revolucionit industrial në gjysmën e dytë të shekullit 18.

Sipas tij, sot “në botën e zhvilluar, tiparet më të ashpër të kapitalizmit janë zbutur prej ndërhyrjes së shtetit, ndonëse me koston e rritjes së borxhit publik. Megjithatë, shqetësimi për bazën morale të kapitalizmit mbetet”. Eshtë intriguese ta mendosh, shkruan Plender, por një argument pro parasë, ndonëse i thjeshtëzuar, është se nëse “Hitlerit, Stalinit dhe Mao Cedunit, do u ishte dhënë gjithësecilit një fabrikë tekstilesh për ta menaxhuar në moshë të re, atëherë me siguri botës do i kishin kursyer tmerret e shekullit 20”.

Financial Times e mbyll analizën e bazuar në librin e John Blenderit “Kapitalizmi: Paratë, Morali dhe Tregjet”, duke shkruajtur se “kapitalizmi ka shumë të vërteta. Një prej tyre është se nuk do të krijojë asnjëherë ekonominë politike të një shoqërie të drejtë. Një tjetër është se ngritjet dhe uljet, bashkë me krizat financiare, janë tipare të përhershëm të sistemit”.

Me shkurtime nga Financial Times / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button