MagazinePsikologji

Mos u shqetësoni për zënkat, ato janë sekreti i një martese të qëndrueshme

Nga Rosie Wilby

Jeni i martuar dhe grindeni gjatë gjithë kohës? Mos u shqetësoni. Edhe çiftet më të mira zihen herë pas here. Ndërsa dashuria mund të sjellë ngazëllim, përvoja e të qenit në një marrëdhënie afatgjatë është shpesh e mjerë dhe e lodhshme.

Komediania Lucy Porter thotë se ”martesa është në thelb të zgjohesh çdo ditë, dhe të shohësh të plaket para syve fytyrën e personit që dashuron”, dhe e krahason atë përvojë me skenën në fund të filmit ”Raiders of the Lost Ark” ku shkrihen fytyrat e nazistëve.

Kjo ndodh me më të mirët prej nesh. Merrni rastin e Jennifer Lopez dhe Ben Affleck, të fotografuar javën e kaluar në atë që The Neë York Post e quajti një “bisedë të tensionuar” ndërsa pozonin në tapetin e kuq për premierën e filmit të saj të ri “The Mother”.

Ditë para kësaj, u bë virale një video që tregonte Ben duke përplasur me nerv derën e makinës ku sapo kishte hipur Jennifer. Dhe kanë kaluar disa muaj që kur ata “u grindën” gjatë ceremonisë së çmimeve Grammy, të pavetëdijshëm që ishin para kamerave (më vonë Affleck i tha ‘Hollywood Reporter’ se ai thjesht po përpiqej t’i jepte JLo pak hapësirë ​​për t’u intervistuar nga moderatori Trevor Noah).

Edhe çfarë pastaj? Edhe nëse ata po debatonin (gjë që sipas Daily Mail, që angazhoi një ekspert për leximin e buzëve, është një pretendim i rremë), kjo është e natyrshme për një çift. Ose po marr rastin e vetes time. U martova vitin e kaluar, dhe debati ynë i parë nisi kur lëshova pa dashje gazra teksa po hanim peshk dhe patatina në një varrezë.

Nuk ishte një darkë romantike me qirinj. Megjithatë ajo mendoi se e kisha shkatërruar atë moment. Nëse i hipin nervat, ajo nuk përmbahet. Në marrëdhëniet e mia të mëparshme me partnerë që nuk i kishin qejf zënkat, gjërat ishin shumë më të qeta.

Psikologu Ed Tronick beson se konfliktet e ashpra, janë vendimtare për zhvillimin tonë social dhe emocional. Duke punuar përmes tyre, ne ndërtojmë lidhje më të thella dhe të qëndrueshme. Në librin e tij “Fuqia e mosmarrëveshjes”, të shkruar bashkë me Dr. Claudia Gold, ai thotë se “keqkuptimet janë të nevojshme për të siguruar riparimin e një raporti, gjë që ofron energji për rritje dhe ndryshim”.

“dy njerëz kalojnë nga keqkuptimi në mirëkuptim, ata lidhen më shumë me njëri-tjetrin”- thekson ai. Edhe unë jam dakord. E si mund të njihni dikë pa e ditur se çfarë e mërzit atë? Dhe si mund ta njihni dhe t’i besoni vërtet marrëdhënies tuaj, pa e ditur se mund të debatoni dhe t’i mbijetoni debatit?

Prandaj le të rrimë të qetë në lidhje me Ben dhe Jennifer. Të jesh në një lidhje, është një angazhim i vështirë, masje edhe pa mbikëqyrjen intensive nga të qenit një çift i famshëm. Nuk është se duhet të rrimë me ta, dhe të përballemi me pasojat e debateve të tyre.

Siç thotë komediani dhe podkasterja Grainne Maguire, i fiksuar pas çifteve të famshëm: “Ata janë dy personalitete me peshë, që do të krijojnë drama, fërkime dhe zënka. Unë jam shumë i lumtur që ata janë rikthyer bashkë. Por s’do të doja të isha shoku i tyre më i mirë”.

Zënkat e një çifti, janë një spektakël po aq tërheqës për t’u parë sa sportet e përgjakshme në arenat e Romës së lashtë. Nuk besoj se janë e vetmja, që afrohem dhe përgjoj poshtë dritares sa herë që dëgjoj fqinjët të debatojnë me tone të larta midis tyre, se cilin kosh me mbeturina duhet ta nxjerrin këtë javë. Megjithatë e përsëris:zënkat dhe përplasjet janë krejtësisht normale në çdo marrëdhënie. Një këshillë nga unë:mos u frikësoni, pasi do të jeni mirë.

Shënim: Rosie Wilby, komediane dhe autore e “The Breakup Monologues” (Bloomsbury). / “The Independent” – Bota.al

Back to top button